Cristiano Ronaldo vijon të përgatitet për sezonin e tij të katërt me fanellën e Juventusit, megjithatë zërat për një largim të mundshëm të tij në dy javëshin e fundit të merkatos, po bëhen çdo ditë e më të shumta.
Nuk është më sekret që bosi i PSG-së, Nasser Al Khelaifi dëshiron ta sjellë në “Parc des Princes” që këtë verë, nëse nuk arrin të bindë francezin Kylian Mbappe të qëndrojë akoma në ekip dhe për këtë ka bërë edhe negociatat e para me menaxherin Jorge Mendes.
Megjithatë “bomba” e fundit vjen nga Spanja, pasi raportohet se edhe Reali i Madridit ka vendosur të provojë rikthimin e yllit portugez në “Santiago Bernabeu”, aty ku fitoi thuajse gjithçka në nivel klubesh.
Synimi kryesor i Florentino Perez është që të sjellë në Madrid Kylian Mbappe, për të cilin është gati të paguajë plot 120 milionë euro, por nëse francezi nuk largohet këtë verë nga PSG- atëherë do të provohet rikthimi i Ronaldos.
Portugezi ka marrëdhënie mjaft të mira me trajnerin Ancelotti dhe pikërisht ky i fundit i ka sugjeruar presidentit Perez blerjen e CR7-ës si opsion nëse nuk do të arrihet dot te transferimi i Kylian Mbappe.
Nga ana tjetër Juventusi është në rolin e spektatorit të interesuar, pasi bardhezinjtë do të preferonin më shumë ta shisnin Ronaldon këtë verë për t’u liruar nga paga e tij prej 31.5 milionë eurosh në vitin e fundit, por edhe për të shmangur humbjen me parametra zero verën e ardhshme.