Ka arritur në Kosovë grupi i dytë i shtetasve afganë, të cilët janë evakuuar nga Kabuli. Siç bëhet e ditur, edhe ky grup është i përbërë nga afganët që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.
Ende nuk dihet se sa është numri i grupit të dytë të afganëve që strehohen në Kosovë, derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.
Në Kosovë tashmë janë strehuar 111 qytetarët e parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Prej tyre, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra. Ata arritën në Prishtinë më 29 gusht.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.
Afganistani është prej disa ditësh nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.