Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia deklaroi se varianti Delta i COVID-19 është shumë më agresiv se variantet e tjera dhe se ai po i prek edhe moshat e reja.
“Duket se në mesin e qytetarëve por jo vetëm është krijuar një ide se ky variant edhe pse po shpërndahet më shpejtë është më i lehtë se variantet paraprake. Me shumë keqardhje më duhet të ju them se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Ky variant në studimet e fundit tregon se përveç shpërndarjes shumë më të shpejtë se variantet tjera paraprake, është edhe një nga viruset më agresive respiratore për momentin. Shpërndarja e tij është me e shpejt se sa gripi i zakonshëm, dhe ekuivalentë me linë e ujit që është sëmundja më ngjitëse që njehë sot shkenca. Një pjesë e madhe e moshave të reja po kanë simptome edhe të rënda”, ka thënë ai.
Vitia është shprehur se kjo ka ndikuar edhe që të përkeqësohet situata në spitale për një kohë shumë të shkurtër.
“Kjo natyrisht ka përkeqësuar situatën edhe në spitalet tona ku për një kohë shumë të shkurtër janë mbushur me pacientë me COVID”, u shpreh Vitia, ndërsa ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen.