Këtë javë, kompania Pfizer publikoi lajme premtuese në përpjekjen për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, duke njoftuar se vaksina e saj ndaj COVID-19 funksionon për fëmijët e vegjël. Për këtë zhvillim të ri njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson.
Vaksina kundër COVID-19 e prodhuar nga kompania Pfizer në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech është tashmë në dispozicion për këdo që është 12 vjeç e lart. Pfizer thotë se provat klinike tregojnë se vaksina funksionon edhe për fëmijët e moshës 5 vjeç.
Mjeku pediatër Bill Gruber është nënpresident në kompaninë Pfizer.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se kemi të dhënat e para që do t’ia dorëzojmë FDA-së që demonstrojnë një përgjigje të fortë imune dhe profil të kënaqshëm të sigurisë për vaksinën mRNA Pfizer-BioNTech tek fëmijët 5 deri në 11 vjeç“, tha Dr. Gruber.
Kompania Pfizer testoi një dozë shumë më të ulët për fëmijët më të vegjël … rreth një e tretën e dozës, që marrin fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit.
Kompania i bëri të disponueshme të dhënat fillestare për specialistë të sëmundjeve infektive, siç është Dr. Frank Esper në Klinikën e Fëmijëve në Cleveland.
“Pavarësisht dozës më të vogël tek fëmijët më të vegjël, ajo në fakt rezultoi po aq e fuqishme sa tek grupmoshat më të mëdha. Pra, po shohim një përgjigje të fortë të antitrupave dhe në nivelin e duhur mbrojtës“, tha Dr. Esper.
Ndërsa fëmijët janë në rrezik më të ulët nga sëmundja e rëndë ose vdekja nga COVID-19 sesa të rriturit, rastet tek fëmijët janë rritur sepse varianti delta është shumë më infektiv se variantet e tjera.
“Në veçanti prej variantit Delta, spitalet po shohin më shumë raste tek fëmijët. Me sa kuptoj, nga fëmijët që janë shtruar në spital, një e katërta po përfundojnë në pavionin e kujdesit intensiv. Për fat të mirë, vdekjet janë të rralla, por, megjithatë, kjo është një barrë e madhe“, thotë dr. Gruber.
Për më tepër, fëmijët gjithashtu mund të kenë efekte anësore shumë kohë pasi ta kenë kaluar virusin. Ashtu si fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit, fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç kanë nevojë për një vaksinim me dy doza për t’u imunizuar plotësisht. Të dhënat tregojnë se ka efekte anësore, si tek grupmoshat më të vjetra: lodhje, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe pasoja të tjera të ngjashme. Por, nuk pati njoftime për një lloj inflamacioni të zemrës të quajtur miokardit që një numër i vogël i djemve adoleshentë e kanë përjetuar pas marrjes së vaksinës.
Kompania Pfizer pret të ketë kërkesë të madhe për vaksinën nga prindërit e fëmijëve të vegjël.
“Patëm më shumë vullnetarë se ç’mundeshim të përfshinim në provën klinike“, tregon Dr. Gruber.
10-vjeçarja Maya Huber nga Nju Xhersi ishte një nga më shumë se 2 mijë fëmijët që morën pjesë në studim. Nëna e saj, Nisha Gandhi, është mjeke e kujdesit intensiv.
“Duke parë njerëzit që vdesin nga COVID-i, frika se mos sjellim COVID-in në shtëpi ka qenë dhe është e tmerrshme në familjen tonë“, thotë ajo.
Familja nuk e di nëse Mayas iu injektua placebo apo vaksinë. Por ajo e di se çfarë dëshiron të bëjë kur të jetë plotësisht e vaksinuar.
“Gjëja e parë që ndoshta do të bëj është të mblidhemi me të gjitha shoqet e mia“, thotë Maya.
Kompania Pfizer pret të fillojë deri në fund të shtatorit dërgimin e informacionit tek Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Agjensia rregullatore pritet ta miratojë vaksinën për fëmijët diku midis 5 dhe 11 tetorit.
Veprimi i shpejtë mund të ndalojë një rritje të mundshme të rasteve të koronavirusit në shkolla.
Mos vrisni femijet tuaj. Moshat 12-16 vjec po kalojne ne gjendje miokarditi dhe po vdesin duke luajtur. Femijet nuk kane nevoje per nje vaksine te tille. Ata mund ta kalojne edhe kete grip ne menyre te lehte. Shpresoj qe TEMA nuk do t’a censuroje kete koment qe ju vjen ne ndihme prinderve shqiptare qe nuk jane te edukuar ne fushen e mjekesise.