Nga porta në sulm, Barça e të ardhmes është vërtetë e frikshme

22 Tetor 2021, 22:40Sport TEMA

Barcelona bëri dy lëvizje mjaft interesante në dy javët e fundit, duke siguruar të ardhmen e saj, pasi arriti të rinovojë me dy futbollistë kyç të projektit të ri të klubit, si mesfushori Pedri dhe sulmuesi Ansu Fati, që kanë zgjatur kontratat përkatësisht deri më 2026-ën dhe deri më 2027-ën, me klauzolë prishjeje prej një miliard eurosh.

Ndonëse pa shumë eksperiencë në prag të El Clasicos, e ardhmja e Barcelonës duket e ndritur, pasi në gjirin e klubit ka një sërë futbollistësh shumë të talentuar, një pjesë e të cilëve e kanë bërë tashmë hapin e madh dhe të tjerë pritet ta bëjnë gjatë sezonit, për t’u rikthyer “blaugranave” lavdinë e dikurshme.

Po cila do të jetë Barcelona e të ardhmes:

Inaki Pena (22 vjeç) – Është aktualisht portier i Barcelonës B dhe me ter Stegen nuk do ta ketë të lehtë të konkurrojë, megjithatë ka treguar cilësi mjaft të mira dhe me pak më shumë eksperiencë, do të jetë gati të vendoset mes shtyllave. Ka kontratë deri më 2023-shin

Sergino Dest (20 vjeç) – Mbrojëtsi holandez ka nisur sezonin e tij të dytë me fanellën e Barcelonës dhe tani po merr gjithmonë e më shumë minuta nga trajneri Ronald Koeman. Ka ende shumë vend për përmirësim, sidomos në fazën mbrojtëse, por është vetëm 20 vjeç dhe pritet të bëhet padroni i korsisë së djathtë, që te Barca e presin që prej kohës së Dani Alves. Ka kontratë deri më 2025-ën

Ronald Araujo (22 vjeç) – Uruguaiani është padyshim lider i prapavijës, kur është në formë të mirë fizike, pasi është shumë i fortë në lojën një kundër një dhe po rritet ndjeshëm nga java në javë. Duhet të përmirësojë ende lojën me top. Ka kontratë deri më 2023-shin.

Eric Garcia (20 vjeç) – Shumë i fortë në përdorimin e topit, por ka ende shumë për të përmirësuar, sidomos në duelet fizike. Erdhi me parametra zero nga Manchester City dhe ka kontratë deri në verën e 2026-ës.

Alejandro Balde (18 vjeç) – Bëri debutimin në humbjen ndaj Bayernit të Mynihut në “Camp Nou” dhe ndonëse hyri në një moment të vështirë, tregoi shumë cilësi në ato pak minuta në fushë. Ndonëse ka luajtur pak, shihet si nga futbollistët më premtues dhe ka merituar komplimentet e trajnerit Koeman. Ka kontratë deri më 2024-ën.

Nico (19 vjeç) – Mesfushor që ka luajtur nga minuta e parë në Atletico Madrid-Barcelona. Pranë njërit si Sergi Busquets ka shumë për të mësuar mbi mënyrën si të përballojë trafikun e mesfushës. Ka kontratë deri më 2024-ën.

Gavi (17 vjeç) – Ka debutuar me Barcelonën, ndonëse nuk ka mbushur ende moshën e përgjegjësisë ligjore dhe gjithashtu ka lënë gjurmë edhe në përfaqësuesen spanjolle, ku debutoi në Ligën e Kombeve me dy ndeshje mjaft të bukura. Shumë personalitet pavarësisht moshës dhe ndonëse është një lojtar me cilësi të larta teknike, është gjithmonë i pari që ndihmon në fazën mbrojtëse. Ka kontratë deri në 2023-shin.

Pedri (18 vjeç) – një realitet tashmë. Absolutisht futbollisti më i mirë spanjoll deri në moshën 18-vjeç. Është shndërruar në lider të mesfushës së Barcelonës, por edhe te përfaqësuesja spanjolle. Sapo ka rinovuar deri më 2026-ën, duke dhënë siguri për të ardhmen e katalanëve.

Riqui Puig (22 vjeç) – Vijon të cilësohet si një talent i madh dhe me të ardhme të ndritur, ndonëse Koeman nuk e preferon shumë dhe e ka lënë shpesh në pankinë apo tribunë. Gjithsesi do t’i mjaftojë pak besim për të marrë vendin e formacionit, pasi cilësitë nuk i mungojnë. Ka kontratë deri më 2023-shin.

Demir (18 vjeç) – I majtë dhe shumë i talentuar. Preferon të niset nga krahu i djathtë dhe të hyjë drejt qendrës, por gjithashtu luan shumë mirë mes linjave. Barcelona e ka marrë këtë verë në huazim me opsion blerjeje, të cilin do ta ushtrojë patjetër në fund të sezonit.

Ansu Fati (18 vjeç) – Xhevahiri në kurorë. Ka gjithçka për t’u bërë një yll i futbollit botëror. I shpejtë, me imagjinatë dhe me nuhatje të fortë për golin. Mund të bëhet një nga ata që do ta udhëheqin Barcelonën drejt një tjetër niveli. Skuadra i ka besuar numrin 10 të Lionel Messit dhe sapo i ka zgjatur kontratën deri në 2027-ën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje