Takimi i fundit me "xhelatin" shqiptar Aranit Çela: Ç’kuptim ka të kërkoj falje tani, ishte kohë tjetër ajo djalo

22 Tetor 2021, 12:11Politika TEMA

Nga Afrim Imaj

Vdiq dje në Tiranë në moshën 98-vjeçare Aranit Çela, ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të regjimit komunist.

Ai ka qenë ndër figurat kryesore të gjyqësorit shqiptar që ka çuar në pushkatim shumë ndër liderët politikë të kohës, duke filluar nga Beqir Balluku e Petrit Dume, Abdyl Këllezi e Koço Theodhos, për ta mbyllur me Kadri Hazbiun e Feçor Shehun. Aranit Çela lindi në Vlorë më 1923-shin, në një familje me origjinë nga Kanina. Në vitet 1935-1942 ndoqi Institutin Tregtar të Vlorës dhe prej aty u angazhua në radhët e Lëvizjes Antifashiste.

Në prill-maj 1942 u dënua pasi iu gjetën në shtëpi disa trakte kundër fashizmit.

Më 10 janar 1943 bëhet anëtar i PKSH-së në organizatën e Mallakastrës.

Në nëntor të atij viti doli partizan.

Në korrik 1944 bën pjesë në brigadën e 14-të e më pas deri në mars 1945 në divizionin e 3-të të mbrojtjes popullore.

Në mars 1945-shtator 1946 ishte prokuror ushtarak në Shkodër, në qytetin ku zhvilloheshin përditë proceset më të tmerrshme politike të kohës.

Më 1946-1948 vazhdon me këtë cilësi por në divizionin e Korçës.

Më 1948-1949 ishte ndihmësprokuror i Prokurorisë Ushtarake.

Në vitet 1949-1953 ndjek studime në fushën e drejtësisë në Bashkimin Sovjetik.

Më 1953-1954 ishte nënkryetar i Degës së Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit.

Më 1954- 1955 prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Më 1955– 1958 dhe 1966–1990 kryetar i Gjykatës së Lartë.

Më 1958–1966 Prokuror i Përgjithshëm.

Më 1958–1991 deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

U arrestua më 3 nëntor 1993 dhe dënohet me akuzën “Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal”.

Doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997.

Drejtësia e kohës e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi dëmshpërblimin e tij.

Takimi i fundit me Aranit Çelën: Falje tani, ç’kuptim ka

Aranit Çela ka qenë ndër të rrallët zyrtarë të lartë të regjimit komunist që nuk pranoi kurrë të flasë për median.

Madje edhe në biseda me shokë e miq nuk dëshironte t’i kthehej kohës kur drejtonte me grusht të hekurt Gjykatën e Lartë.

“Gazetarë, jo”, refuzonte në mënyrë kategorike çdo ndërhyrje nga të njohurit e tij për t’u takuar me njerëzit e medias.

Megjithatë, falë ndihmës së profesor Bardhosh Gaçes, mundëm të kapërcejmë një ditë derën e shtëpisë së tij. Kuptohet, nuk na priti si gazetar, po si të njohur të mikut të tij.

Ato ditë “Panorama” botonte intervistën e Rrapi Minos, ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Pasi u përshëndetëm dhe folëm për shëndetin, një çast mendova ta ngacmoj me pohimet e Rrapi Minos për gjyqin e Kadri Hazbiut.

“Lere more Rrapin, gjepura thotë ai”, i ra shkurt Araniti që herë pas here e ngacmonte një kollë e thatë.

“Rrapi thotë se ju keni këmbëngulur për ta dënuar me pushkatim Kadri Hazbiun, që e kishit mik të vjetër”, i thashë unë.

“Akoma me Rrapin ti”, ia bëri ai me shpërfillje dhe si qëndroi një çast në heshtje, vazhdoi: “E kam pasur shok e mik të afërt Kadriun. Kjo është e vërtetë. Po i doli kundër Enverit. Enveri pastaj e dërgoi për ta gjykuar. Dhe u gjykua, sipas ligjit dhe kohës. Kaq.

Mos i vër veshin Rrapit. Pastaj Rrapi e solli aktakuzën. Ishim të afërt me Kadriun. Po ishte Enveri mbi krye. Pra, kushdo të ishte në vendin tim, atë do të bënte”.

Shoku me të cilin kishim shkuar, një i njohuri i tij, ma bëri me shenjë ta mbyllja aty. Nuk mund të bëja ndryshe. Araniti, i vendosur për t’i rënë shkurt historisë së Kadri Hazbiut, filloi të tregojë diçka për shokët e tij të luftës.

Aty u gjallërua i tëri duke përmendur beteja e episode të dëgjuara e stërdëgjuara prej kohësh.

E ndoqa disa çaste monologun e tij për luftën të ndërprerë herë pas here nga kolla dhe aty nga fundi, duke i kujtuar përsëri intervistën e Rrapi Minos te “Panorama”, i përmenda pohimin e tij për mungesën e faljes dhe keqardhjen për familjarët e viktimave.

“Kështu ka thënë Rrapi, ë. Po ç’të thoshte tjetër lumadhi. Faljen na kërkojnë të gjithë. Falje tani, ç’kuptim ka. Ishte kohë tjetër, djalo”.

Dhe si shqiptoi këto, Aranit Çela që fliste në gjunjë, u mbështet në krevat duke vënë bërrylat në jastëk, si për të na thënë se kaq mundet.

Kjo ishte biseda e fundit me ish-kreun e Gjykatës së Lartë të regjimit komunist, që me firmën e tij në proceset e tmerrshme ka çuar para skuadrës së pushkatimit dhjetëra njerëz.

22 komente në “Takimi i fundit me “xhelatin” shqiptar Aranit Çela: Ç’kuptim ka të kërkoj falje tani, ishte kohë tjetër ajo djalo”

  1. Bardha says:

    Prape nga trusti i geshtenjave te vicidolit,pse nuk gjetet nje tjeter te komentoje jeten e ketij xhelati ,te pakten te jete nje i denuar politikish,por gjithmone na nxjerrnin kete ftyrat e qelbura te tropojes

  2. Rita says:

    Epilogu i njeriut qe me shpaten e diktatorit ne dore firmosi qindra denime me sfond vdekjen.Epilogu ? Demshperblimi i xhelatit.Kjo eshte demokracia qe erdhi ne Shqiperi.Me miratimin e Berishes per te persekutuarve e te persekutoreve.Nje pajtim simbolik qe u praktikua me demshperblime per te dy klasat nga partia e rinovuar vetem ne emer PS. Se ne praktike duket qarte.Bijte e trashegimtare te xhelateve mbeten besnike ,,

    1. Tirona says:

      Me Sali Berishen dhe Andi Bushati ne krye

  3. 17nentori says:

    Gazetari demonstron paaftesine e vete per te krijuar permbajte ne shkrim dhe interviste.

  4. Shefqet Cela says:

    Nga ky gazetar “i pa aftë” unë mësova disa të vërteta:
    -Arjaniti paska qënë nga ata që përzunë okupatorin.
    – paska qënë i kualifikuar në Rusi për gjyqtar dhe jo në “plepat e komunizmit”
    – ka zbatuar me rreptësi ligjet e kohës, të drejta të pa drejta.
    —-NUK E PASKA DREDHUR SI KËTA LEGENAT POLITIKANË TË SOTËM APO VETË RRAPI QË JA PASKA DËRGUAR DOSJEN E KADRIUT.
    —-ÇUDIJA MË E MADHE, gazetari flet për dhjetëra egzekutime; ndërsa tellallët e tjerë mijëra!!!!
    Me këtë të fundit aferim i qoftë gazetarucit.

    1. Student Horr i dhjetorit says:

      O Shefqet, ky Araniti ka bere pretence, Rustem Gjata e te tjere kane dhene vendimin. Prokurori “xhelat”, gjygjtari Hero i Demokracise. “KUR U NDANE, KAQ I RANE”. PROBLEMI ESHTE KUSH E NDAU KAQ DREJTE E BUKUR?

  5. TURIEMIGR says:

    KUR THUHET XHELAT I KOMUNIZMIT DUHET TE THUASH TE NJEJTEN GJE DHE PER 85% TE POPULLSISE SHQIPTARE. ATO LIGJE ISHIN NE ATE KOHE DHE ISHE I DETYRUART TA ZBATONIN TE GJITHE,NDRYSHE DO TE IKTE ARIANITI E DO TE VINTE NJE TJETER ARIANIT.JO SE ME VJEN KEQ PER ISH KOMSHIUN E RRUGES POR AI, AJO ,UNE ,TI, DHE TE GJITHE TE TJERET ISHIM TE DETYRUAR TA ZBATNIM ME HIR E ME PAHIR,SE NDRYSHE PERFUNDOJE TE SHTEPIA PA QERA OSE TEK NJE GROPE 2 me 1. ASNJE PROKUROR OSE GJYKATES NE GJYQE POLITIKE NUK DENONTE ME KOKEN E VET, POR ME DIREKTIVE NGA LART

    1. Shmil Gurra says:

      TURIEM,

      Cilat ligje ishin, mor kokëkënetë!! Me 250 gr ekspliziv (të mos flasim nga dhe si u gjet, të shembësh gjithë Kombinatin e Beratit!!!
      Të detyrosh “të pandehurit të pranojnë se kanë parë ëndërra me përmbajtje armiqësore!! Pse mba një lopë në shtëpi, qenke kullak se je idhëtar i revizionizmit e lakmon pronën private dhe duheshka të mbash 11 vite burg. Ashtu ishin kohërat; ashtu ishte puna; ashtu veprohej atëherë…nuk janë ligje, por arbitrarizma për keqpërdoromin e pushtetit.
      Ligjet janë logje, abuzimi me ligjet është penalitet

    2. Diktatura says:

      E ka thene mire i ndjeri Sherif Mejdani: Une isha ne burgun e vogel ndersa i gjithe populli ishte ne burgun e madh.
      Ashtu ishte rregjimi me ligje te tilla qe e mbante te burgosur gjithe Shqiperine dhe Ne te tjeret edhe pse zbatonim ato ligje prap ishim te burgosur dhe me te vuajtur se Ata qe ishin te mbyllur ne burgun e vertete se te burgosurit e kishin te sigurte tre racionet e udhqimit ndersa Ata qe ishin te “lire” ku roptoheshin gjithe diten neper fusha, miniera, kantjere, uzina dhe fabrika duke punuar me tre turne nuk i kishin te sigurta tre vaktet e ushqimit per familjet e tyre.

  6. k says:

    Ky mostër , bën me turp , gjithë njerëzimin, sa i ndyrë dhe degjeneruar ishte .

    1. zhaku i pamposhtur says:

      Vetem ne shqiperi xhelatet iken me ‘nder’…si puna e ketij iken me qindra e qindra…vrane prene dhe iken pa paguar asnje fije pet sa I bene ketij populli,iken ‘ me nder’ (megjithese ishin te menderosur),normalisht qe ashtu do iknin perderisa km eshte biri I Kristaq Rames,Sali Berisha apo Fatos Nano..normalisht..gjelle qenesh…

  7. Buda says:

    Aranit Cela ishte nepunes tipik i cdo regjimi: u kujdes per jeten e tij dhe rrojti sa deshi!

  8. LALA says:

    Në fund të fundit burrë që nuk e drodhi dhe çdo ditë që kalon i jepet e drejta.

    1. KOZi... says:

      KËRKESA
      Me ndërmjetësin e P.T Prokurorisë së Shtetit
      Vlorë
      P.T
      Ministrisë së Drejtësisë
      Zyrës së Regjistrimit të Gjendjes Gjyqësore
      Tiranë
      Parashtroj se për të marrë pjesë në konkursin e Nën Sekretarëve Gjyqësor më nevojitet dhe certifikata e penalitetit.
      Me qenë se shënimet rreth identitetit janë të shënuara në modelin e bashkangjitur.
      Pra:
      Lutem që si të bëhen kërkimet e duhura të më lëshohet certifikata në fjalë dhe meqenëse dokumentet me kërkesën, datën e sotme, ja kam referuar P.T Ministrisë së Drejtësisë. Lutem gjithashtu që dëshmia e penalitetit të dorëzohet në Sekretarin e Ministrisë për tu bashkuar me akt.
      Vlorë, më 17 mars, 1941.
      Nderime
      (Aranit Hysni Cela nga Vlora)
      (ed.me/BalkanWeb)

      Ishte pak fashist por i falet se ishte i ri. Sic duket nuk e pranuan fashistet ne 1941 dhe ne 1942 kaloj me komunistet. Edhe aty u” pendua” dhe denoj e pushkatoj sa e sa komuniste ! Nga kjo u quajt si dhe Enveri antikomunist dhe e mbylli jeten i nderuar nga te gjithe !!!…..

  9. Shmil Gurra says:

    Më 1997 – LIROHET!!!
    Edhe më shumë forcohet argumentimi se SHQIPËRIA 1997, pranverë, ishte produkt i 3 – GISHTËRINJVE.

    Duku në pranverë të vitit 1999, Dardania shkonte drejt clirimit, e takova, duke ecur paralel me shkallët e Pallatit të Kulturës në Tiranë këtë krijesë. Ecte në drejtim të xhamisë. Për pak sekonda rinjoha se cilin person po shoh së gjalli. Ia drejtova ssytë në fytyrë, për të parë më thellë këtë qenie që ishte pjesë e armiqve të Shqipërisë Etnike. Regjistronte se po e sodis me kërshëri dhe këmbyem hapat duke marrë komunikimin nga ai se – “Unë jam ai. Nuk më bëni gjë. E vetmja gjë që doja ta dija prej tij në atë cast qe – a gëzohej se jetonim castet e clirimit kombëtar në veri, ngase ai, e kolegë të tij, dënuan edhe me vdekje sa e sa vetë për idealin e kombëtar – Shqipëri dhe Kosovë (Dardani) e lirë.
    Ndër një segment të brezave të tanishëm jeton ende shpirti i arianitëve i armiqësisë ndaj Shqipërisë Etnike, në formën e një OPEN BALLKAN (më mirë ILIRI) me pentagram të dorës së zgjatur të Sl Miloshevicit – shovenisti antishqiptar VUCIC (ujku i vogël) me orekse të mëdha antishqiptare, antiboshnjake, antikroate, antimalazeze.

  10. Ylli says:

    qenka pastruar nje plere ….

  11. Kovid says:

    Mos ka vdekur nga kovidi, ky??

  12. Bashkim Bozuku says:

    Dhe ja prapë Shqipot duke komentuar për xhelatin duke mallkuar 30 vjetët e demokratiqisë duke mallkuar komunistin Hoxha POR si gjithmone duke pritur që ata të vdesin të qetë pa i përmbysur . E keni kuptuar sa mjeranë që jemi?
    Unë them që të gjithë ne duhet të bëjmë Shqiponjën tani ???. Merrjani këngës: O sa mirë me qënë Shqiptar oe oe

  13. Pokeristi says:

    Te gjitha krimet ne harkun kohor kur ne krye te Partise komuniste shqipetare dominoji ai vagabondi i “Sokakut të të mareve “ te Gjirokastres,kryekrimineli Hoxha dhe derisa ai ngordhi,kanë vetem nje emër:”Krimet hoxhiste”.Ai qe i perligji ato krime, qe beri interpretimin ligjor sipas shijes se Hoxhes ka qenë,krimineli Aranit Çela.

  14. Per komentuesin tru bunker me emer Sala , Ngushellime me rastin e ngordhjes se kriminelit Aranit , megjithese edhe ai e pati ba ndonje te mire , cila ishte e mira ? e thjeshte denimi me vdekje i kriminelave te birose gjakatare si Beqir Kadri etj ksi plehrash , sigurisht urdherat ivinin nga kjofte largu Djadhi Enver . Sala te rroni vet edhe te me rrosh B…let , e tme hashe ato qe benim ne bunkeret e rregjimit te deshtuar komunisto islamik ..

  15. Nje mergimtar says:

    Mllefet qe paraqesin komentuesit tregon paaftesin per ti vene gjerat ne kandar.Aranit Cela ishte nje nga funksionaret qe i qendroi besnik rregjimit te Enver Hoxhes.Sipas gazetarit ai nuk kerkoi asnjehere ndjese,qe tregon se ai ka qene i pergjegjshem per punen e tij.Me permbysjen e diktatures gjykimi i tij te mos behej per “kafet e pira” por te faktohej se ku kishte shkelur ligjin e kohes.Ai dhe te tjeret operonin me ate ligj qe kishte vendosur Kuvendi i SHqiperise.Ne kohen e permbysjes,qe vazhdon dhe sot,arbitrariteti eshte se te gjithe te denuarit e para 1990-tes u quajten te”persekutuar”,duke u shperblyer me pa te drejte per denimet e kryera.Te gjithe duhet ta fitonin pafajsine me gjyq.Abrogimi i ligjeve antinjerezore te atij sistemi nuk i jep asnjerit te drejten e pafajsise.Sot shume vete denohen nga gjykata per tregetim e prodhim droge.Si do te quhen ata te denuar kur ky ligj te abrogohet e drogerat te jene te lejuara?Po gjyqtaret qe po i denojne si do te quhen?Ne mendimin tim,kush ka zbatuar “LIGJIN”,duhet lene menjane si relike e kohes,se nuk bejme gje tjeter vec shtojme marazin tone,per te vendosur drejtesi.

  16. Prof.Sp.5 says:

    Aranit Cela ngjason me juristin Nazist Roland Freisler, i cili u tregua i pameshirshem me atentatoret qe vune bomben kunder Hitlerit ne 1944.
    Freisler u bazua ne fakte reale.Araniti u bazua ne fakte te fabrikuara nga Diktatori.Megjithate tregoje nje tipar karakteri
    qe nuk levizi deri ne fund te jetes, nga bindjet e tij te atij sistemi te mallkuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje