Nga Prof. Dr. Marenglen Spro
Studimet fizike në lëndë dhe lidhja me dukuritë e botës së gjallë kanë tërhequr gjithmonë vëmëndjen e studjuesve, përsëpari nga kurioziteti, shumëllojshmëria, ndërthurja e tyre e, më tej, me qëllim për ta njohur më mirë atë, që të bëhet e mundur përmirësimi i funksioneve të saj.
Fushat e Shkencave të Jetës përbëjnë drejtim të rëndësishëm i zhvillimeve shkencore aplikative. Akademia e Shkencave ndjek me vëmendje perspektivat e mundëshme të shkencave të ndërthurura që përbëjnë këtë grup. Pas konferencës mbi Biomatematikën dhe Biologjinë Komjuterike, Forumi “Zhvillime, organizime dhe perspektiva të Fizikës Mjekësore, zhvilluar në Akademinë e Shkencave, hedh bazat e aktivitetit të organizuar në fushën e Fizikës Mjekësore.
Me zbulimin e rrezatimeve bërthamore dhe ndikimit dhe veprimit të tyre në lëndën e gjalla, në imazheritë e para dhe, më tej, me zhvillimin, në dy dhjetëvjeçarët e fundit, të teknikave imazherike dhe përdorimit të akseleratorëve të grimcave si paisje unikale speciale, flitet shumë për një disiplinë të re, të krijuar brenda kuadrit të sipërpërmendur që ka marrë emrin Fizika Mjekësore. Gjatë kësaj periudhe, është formëzuar aktiviteti në Fizikën Mjekësore si një aspekt klinik, për kujdesin diagnostikues ndaj pacientëve dhe cilësinë e trajtimeve të tij.
Në veprimtarinë e zbatimeve në institucionet spitalore, në vendin tonë dallohen punime të mirëfillta studimore si dhe praktika të kohës në diagnostikë e terapi: vlerësimi i shpërndarjes së dozës në lëndë nëpërmjet algoritmeve matematikorë, instalim i procesit të monitorimit të dozave dëmprurëse të pacienteve dhe stafit në përdorimin e gjurmuesve radioaktivë, vlerësimi i efikasitetit të trajtimit të glioblastomave, vlerësimi i efikasitetit në akseleratorët linearë në shërbim, realizohen planet e trajtimit të pacientëve, garantim i saktësisë së imazhit të pacientëve dhe përpjekje serioze për ndërhyrje në nivel molekular, nëpërmjet rrymave elektrike membranore të qelizave për diagnostikimin e hershëm të çrregullimeve të mekanizmave funksionimit.
Veprimtari me kompetenca bashkëkohore vihet re nga specialistët e kësaj fushe në qendrat studimore e shëndetësore jashtë vendit: përdorimi i joneve të rënda në terapinë antikancerigjene, llogaritja e aplikimi i rendjeve të grimcave në inde (Gjermani), analiza e fusionit të imazheve nga tomografia kompjuerike dhe përcaktim i planeve të trajtimit të pacienteve (Kanada), flukset e gjakut të tru nëpërmjet rezonancës magnetike (SHBA), modulimi i intensitetit dhe i profileve të dozës (Francë), kontrolli i cilësisë në përshpejtuesit linearë (Oslo) etj.
Zhvillimet e fundit në teknikën e imazhit mjekësor dhe plotësimet në kërkesat rregullatore, evidentuan vështirësitë e hasura nga disa shtete pjestarë të Komunitetit Europian, lidhur me gadishmërinë e ekspertëve të përshtatshëm të kualifikuar. Për këtë qëllim janë formuluar udhëzimet përkatëse për shtetet anëtare, autoritetet nacionale, spitalet dhe institucione të tjera të interesuara, lidhur me formimin e fizikanit mjekësor.
Roli primar i tij në praktikën klinike është të optimizojë metodat dhe të këshillojë të tjerë profesonistë të kujdesit shëndetësor, në përdorimin e rrezatimeve, për të siguruar procedura diagnostike apo terapeutike të sigurta e cilësore, të adoptojë politika, manuale dhe teknika të matjeve për përcaktimin e dozave për pacientët si dhe dhe të mbledhë e analizojë të dhëna klinike fizike për diagnoza e trajtime terapeutike të sëmundjeve.
Analizat tregojnë nevojën e vendosjes së kritereve të harmonizuara mbi një minimum rekomandimesh për formimet akademike dhe trajnimet klinike të fizikanit mjekësor. Kjo mund të përdoret për të arritur standarde dhe kompetenca të njëjta në të gjithë botën.
Për shkak të zhvillimit të madh të metodave fizike të aplikuara në Mjekësi, krijimit të paisjeve me aftësi të mëdha diagnostikuese dhe mënyrave të zhvillimit të terapive të shumta speciale bazuar në këto metoda, formimi i plotë dhe i veçantë universitar, me programe studimi në një nivel të përshtatshëm në fushën e Fizikës Mjekësore, në vendin tonë, është i nevojshëm dhe shfaqet si imperativ i kohëve të fundit.
Akademia e Shkencave synon të krijojë bazat shkencore mbështetëse për realizimin me sukses të projektit rajonal: Instituti Ndërkombëtar i Europës Juglindore për Teknologji të Qendrueshme (SEEIIST), me një degëzim në ngritjen e një qendre në vend dhe për të hapur rrugë e mundësi për projekte të tjera në fushën e përdorimit të joneve të rënda në diagnostikë e terapi si dhe të teknikave të tjera specifike të kohës që do të vijnë si rezultat i bashkëpunimit me fizikanët mjekësorë të punësuar në qendra të rëndësishme universitare të specializuara jashtë vendit.
*Komisioni i Biologjisë, Veterinarisë dhe Shkencave Bujqësore të Akademisë së Shkencave