Është shkarkuar nga detyra nënkryetari i bashkisë Durrës, Arbri Braho.
Shkarkimin e ka firmosur Emirjana Sako, kryetarja e komanduar. Vendimi është marrë dje dhe ka hyrë në fuqi ditën e sotme.
Kujtojmë se një ditë më parë, Braho ka bërë një denoncim publik ndaj ish-kryebashkiakut Vangjush Dako. Në një status të publikuar në WhatsApp, Braho e quan Dakon, “xhuxhi 339”, referuar edhe përgjimeve për vjedhjen e votave dhe e akuzoi atë për vjedhje fondesh publike si në rastin e autoshkallës për të cilën Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar organizoi një operacion dhe vuri në pranga zyrtarë.
Në mesazhin e publikuar, Braho shton se Dako planifikon të marrë edhe paratë e hidrovorit. Megjithatë, nuk dihet nëse shkarkimi i tij është i lidhur me këtë denoncim apo jo.
Braho mbante pozicionin e nënkryetarit të Bashkisë Durrës që prej vitit 2013.