Po sikur të më ndodhë mua?!

19 Nëntor 2021, 13:04Blog TEMA

Nga Lutfi Dervishi

Për fat të keq në raportimin e tragjedive kemi shembuj të pafund të dhunimit të kodit të etikës dhe fare pak raste kur kodi etik respektohet.

Tragjeditë ndodhin, do të ndodhin sërish dhe sërish do të kthehemi aty ku ishim tek pyetja bazë: a ka mundësi të raportohet ndryshe?

A është e mundur që lajmet për tragjeditë t’i shohim në ekranin e televizionit bashkë me anëtarët e tjerë të familjes përfshirë edhe fëmijët?

Raportimi i ngjarjeve të jashtzakonshme nuk është i lehtë- por shembuj të raportimit të vetëpërmbajtur gjen, në mos këtu, në vende të tjera.

Çfarë ka ndodhur, kur ndodhi, ku ndodhi, sigurisht që duhet raportuar, por pyetja si ka ndodhur ndoshta ka më shumë vlerë për hetimin se për publikun e gjerë. Pyetja pse ndodhi është pyetja që kërkon më shumë mund, kohë dhe hapësirë. Pyetja: po më tej nuk ka përgjigje të lehtë.

Raportimet “live” janë sfiduese për këdo dhe aty mund të gabosh. E pa shpjegueshme dhe e pajustifikueshme është që edhe në “debatet” e mbrëmjes përsëriten gabimet dhe gafat që nuk duhet të ishin transmetuar gjatë ditës. Të nesërmen në vend të reflektimit shohim thellim në gabimin e bërë një ditë më parë!

Meqë referencat ndaj kodit të etikës duket se nuk kanë vlerë praktike ndoshta duhet kaluar te referencat e librave të shenjtë

“Mos i bëj tjetrit, atë që nuk do të dëshiroje ta bëjnë edhe ty”.

-A ndodh që gazetarët dhe redaktorët t’i bëjnë pyetje vetes: po të më ndodhë një gjëmë e tillë mua çfarë do të mendoja nëse do të shihja kamera dhe mikrofonë para vetes?!

3 komente në “Po sikur të më ndodhë mua?!”

  1. Besi says:

    Ndalo dhe jepu nje gote uje atyre gazetareve se e kalojne diten aty duke pyetur kedo qe mund te jete ne dijeni. Te ankohesh se vrane njeri gazetaret hajde de, po te ankohesh se po ndjekin nje lajm kjo vetem ketu ndodh.

  2. Lona says:

    Gazetare qe rendin pas lajmit ne meyren me te keqe duke shfrytezuar dhimbje e thelle dhe gjendjen e renduar emocionale te familjes se viktimes,thjesht te pashpirt

  3. Albert says:

    Lutfi, meqe te njoh prej kohesh, ndonese je plot pervoje, jam i detyruar te them qe me se pari duhet te ndajme mendjen e te mos quajme gazetar, opinionist, analist cilindo qe”per arsyet e mos arsyes” mund te kete nje mikrofon ne dore ne vendin ku ka ndodhur nje ngjarje, apo qe rreshtohet ne darke krahas disa te tjereve, demek kundershtare ne mendime, dhe bejne “zhurmuesin” e njeri tjetrit sepse ndonje mendim te pjekur qe te na mbetet ne mendje nuk sjellin dot. Gazetaret e vertete sot mund te numurohen me gishtat e duarve, kurse te tjeret jane emra ne bordero. Le po kur zgjidhet ndonjeri deputet dhe kujton se pas 25 prillit eshte bere me i mencur.
    Respekti per fjalen vjen nga cfare ajo mbart, thone te mencurit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje