Regjistrimi dhe saktësimi i adresave, Çuçi: Pa një adresë të saktë përjashtoni veten nga shërbimet publike

22 Nëntor 2021, 13:28Sociale TEMA

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, mblodhi sot në një takim kryetarët e bashkive, prefektët dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile në mbarë vendin, për t’i kërkuar përfshirjen e tyre në procesin e regjistrimit dhe saktësimit të adresave të banimit.

Në nisje të një fushate ndërgjegjësimi për qytetarët, por edhe të një detyrimi ligjor për të vendosur një raport mes shtetit dhe qytetarit përmes adresës së saktë, Çuçi tregoi dy mënyrat se si mund të regjistrohet adresa.
“Është një proces i lehtë dhe i thjeshtë që kërkon fare pak kohë. Kudo ndodheni e në çdo kohë mund të aplikoni online nëpërmjet portalit “e-Albania” ose duke shkuar vetë në zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë ku banoni.

Bashkitë duhet të kenë një rol proaktiv në këtë drejtim dhe t’i nxisin qytetarët të regjistrojnë adresën e banimit. Duhet t’i krijojnë të gjithë kushtet për finalizimin e këtij procesi tejet të rëndësishëm për të gjithë”, tha ministri Çuçi.
Regjistrimi dhe saktësimi i adresës iu jep akses qytetarëve në shumë shërbime publike tha ministri Çuçi, prandaj është e domosdoshme që qytetarët që s’kanë ende një adresë të deklaruar dhe të verifikuar të përfshihen në këtë proces.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të regjistrojnë një adresë të saktë banimi si detyrim karshi raportit që duhet të kenë me shtetin dhe si një parakusht i domosdoshëm për të përfituar shërbimet publike dhe për të shmangur çdo penalizim. Në finale të këtij procesi që do të vazhdojë përtej kësaj fushate ndërgjegjësimi, Regjistri Kombëtar i Adresave idealisht do të jetë burimi i vetëm i saktë dhe i përditësuar për të ditur më në fund se kush banon ku”, tha ministri Çuçi.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maître. Fushata e ndërgjegjësimit për vetëdeklarimin e adresës mbështetet nga projekti “Bashki të Forta”, financuar nga zvicerianët.

Saktësimi i adresave sjell përfitime edhe për vetë bashkitë për zbatimin e politikave të ndryshme dhe ofrimin e shërbimeve publike. Aktualisht janë rreth 750 mijë familje që kanë një adresë të saktë sipas sistemit të unifikuar të adresave me të 8 elementët përbërës. Bashkitë me numrin më të ulët të adresave të sakta janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Vlora. Por fenomeni është i përhapur gjerësisht edhe në bashkitë e tjera. Ministria e Brendshme, pushteti lokal dhe gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces do të punojnë për të pasur një sistem të identifikueshëm dhe lehtësisht të referueshëm nga kushdo që do të orientohet në vendin tonë.

2 komente në “Regjistrimi dhe saktësimi i adresave, Çuçi: Pa një adresë të saktë përjashtoni veten nga shërbimet publike”

  1. adresa ne shqiperi si adresa ne absurdistan says:

    Shtaze ne pushtet si nga e majta si nga e djathta. Nje karusel kllounesh qe e njohin shtetin si te jete kendi i lojrave.
    Adresa postare, adresa e banimit, adresa e perkoheshme, adresa pemanente, adresa e biznesit jane kategori dhe mundesi qe nje subjekt fizik apo juridik i percakton ne vullnet te lire. Te gjitha keto lloje adresash jane me DEKLARATE.
    Adresa nuk eshte e qytetarit, por e objektit! Qytetari njofton shtetin per adresen adresat e tije me vullnet te lire.
    Psh. Adrese eshte nje kordinate e koduar e nje objekti fizik. Psh Qyteti, Komuna, Rruga, Godina, Hyrja, Apt, Njesia Postare jane adresa.
    Personi/qytetari deklaron cilen te doje. Nje qytetar me 5 prona ne 5 qytete simbas qeverise cilen adrese ka?
    Adresa per poste apo adresa e rezidences jane kategori te ndryshme qe duhen perkufizuar ne ligj perpara se ti kerkosh qytetarit te regjistrohet.
    Shqiperia eshte primitive jo vetem ne nivelin aktual, por edhe ne perpjekjet per tu permiresuar.

  2. tedi says:

    Para se qytetari te saktesoje adresen ku banon, duhet qe godina ku ai banon te kete nje adrese te sakte. Adresat e shumices se godinave ne Shqiperi nuk ekzistojne ose jane te tipit :pallati ne forme “L-je” perballe gjelletores jeshile. Saktesimi i adresave te godinave dhe vendosja e numrave te godinave, eshte hapi i pare qe duhet te beje shteti, pastaj vjen radha e qytetareve.

    Nuk besoj se ka ndonje shtet Rumpalle ne bote qe nuk ka numra te godinave, pervec Shqiperise!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje