Sëmundja “duar-këmbë-gojë”, që ka alarmuar mjekët në Shqipëri

25 Nëntor 2021, 10:41Sociale TEMA

Rritja e rasteve te fëmijët me sëmundjen “duar-këmbë-gojë” alarmon mjekët. Pediatrët dhe infeksionistët pohojnë se ditët e fundit është shtuar përhapja e kësaj sëmundjeje që prek kryesisht fëmijët, por edhe të rriturit që nuk e kanë kaluar në vegjëli; sëmundje që shfaqet me temperaturë, me puçrra të qelbëzuara në këmbë, duar dhe gojë.

Shqetësimin fillimisht e ngriti mjeku infeksionist Tritan Kalo, i cili para pak ditën në profilin e tij në FB, shkruante se kjo sëmundje mund të kalojë edhe tek të rriturit.

Ndërkohë i pyetur nga gazeta “Si“, Kalo tha se shkaktari më i shpeshtë i kësaj sëmundjeje është virusi Coxsackivirus A 16 dhe më i rralli Enterovirus 71. Mjeku infeksionist shpjegon se sëmundja përhapet nga kontaktet direkte me personin e sëmurë, meqenëse virusi gjendet në çarjet e vogla të lëkurës, të gojës si dhe eliminohet nëpërmjet feçeve dhe me kalimin e kohës.

Llidhur me këtë çështje, mjekët në qendrat shëndetësore në kryeqytet thonë se ka rreth dy javë që është rikthyer kjo sëmundje në vend e cila shihet si një virozë sezonale. Ata shpjeguan se ka ndodhur që të kenë pasur edhe më shumë se 10-15 raste në javë, fëmijë të cilët kërkuar ndihmë mjekësore.

Mjeku pediatër Gëzim Shehu shton se këta 3 muaj ka pasur më shumë raste se disa vite më parë. “Nuk është sëmundje e panjohur tek ne mbasi herepashere kemi pasur, por fatmirësisht pa probleme të rënda,” shtoi Shehu.

Mjeku Kalo ka shpjeguar se në periudha afatmesme kjo sëmundje shkakton dëmtimin e rëndë të thonjve të cilët rigjenerohen përsëri më vonë.

Ai ka shtuar se edhe uji i infektuar me këto viruse është përhapës i infeksionit

“Personat e infektuar janë përhapës të tij në javën e parë të shfaqjes së sëmundjes. Transmetohet vetëm midis njerëzve dhe kalimit të sëmundjes virusi mundet të jetë i pranishëm në rrugët e sipërme të frymëmarrjes edhe për tre javë, si edhe në tubin tretës për dy deri në tetë javë,” shprehet Kalo.

Kalo shton se periudha pa shenja/e inkubacionit varion nga një deri në tre ditë pas kontaktit me një person të sëmurë. Sipas tij shenjat e sëmundjes janë temperaturë (37.5-39 gradë celcius), ulje e oreksit dhe ndjesi lodhjeje, të cilat 2-3 ditë më pas vijohen nga shenjat karakteristike të sëmundjes: njolla të kuqe në lëkurë 2-3-5 mm, që më pas evoluojnë shpesh në fshikëza të vogla në duar, këmbë dhe gojë.

Sipas mjekut infeksionist, “fshikëzat e gojës shoqërohen shpesh me dhimbje fyti e vështirësi në gëlltitje, çka i rrezikojnë pacientët nga dehidrimi. Sëmundja përgjithësisht zgjat nga 7-10 ditë. Nuk ka asnjë mjekim specifik ose vaksinë për parandalimin e saj. Kujdes i kushtohet dhënies së paracetamolit dhe antipiretikëve të tjerë, rehidrimit si dhe ushqimit sa më të lëngshëm, sidomos kur i sëmuri ka lezione në gojë”.

Parandalimi

Sipas Klinikës Mayo në SHBA disa masa paraprake mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të infektimit me sëmundjen e dorës-këmbës dhe gojës janë:

– Lani duart me kujdes veçanërisht pas përdorimit të tualetit ose para përgatitjes së ushqimit dhe konsumimit. Kur sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm, përdorni peceta duarsh ose xhel të trajtuar me alkool që vret mikrobet.

– Dezinfektoni zonat e përbashkëta. Bëjeni zakon të pastroni zonat dhe sipërfaqet që preken nga shumë njerëz, fillimisht me ujë dhe sapun, pastaj me klor të holluar në ujë. Qendrat e kujdesit për fëmijët duhet të ndjekin një orar të rreptë pastrimi dhe dezinfektimi të të gjitha ambienteve të përbashkëta, duke përfshirë sendet e përbashkëta si lodrat, pasi virusi mund të jetojë në këto objekte për ditë të tëra. Pastroni shpesh biberonin e bebes tuaj.

– Izoloni njerëzit e infektuar. Për shkak se sëmundja e dorës-këmbës dhe gojës është shumë ngjitëse, njerëzit me këtë sëmundje duhet të kufizojnë ekspozimin e tyre ndaj të tjerëve ndërsa ata kanë shenja dhe simptoma aktive. Mbajini fëmijët me sëmundje dorë-këmbë dhe gojë në shtëpi derisa të jenë shëruar.

2 komente në “Sëmundja “duar-këmbë-gojë”, që ka alarmuar mjekët në Shqipëri”

  1. vathoida says:

    Gjyshja ime me keshillonte se bryma qe binte gjate nates , si ne vjeshte ashtu dhe ne pranvere , dhe kjo duket se zbardhellon tek cdo gje kur shikohet heret ne mengjez , ishte burim i keyre lloj infeksionesh , pra virusale , te cilat gjenden tek kondesimi i lageshtise se ajrit, prandaj mos haroni per tu thare ndresa trupore (placka) jashte shtepise apo mos perdorni ujin qe ka mbetur i zbuluar perjashta gjate ketyre neteve qe ka bryme . Por gjithashtu mos e prekni me dore brymen . Plackat e haruara perjashta gjate nates duhet te rilahen edhe njehere tjeter pastaj te thahen vetem per gjate oreve me diell .
    Ndersa shtresimi i debores nuk eshte i kontaminuar ashtu si cipa e brymes .

    1. qytetar says:

      Pergezime per kujtesen popullore per Mjeksine.!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje