Në nismën “Ballkani i Hapur” janë tri vende të Ballkanit Perëndimor që po kundërshtojnë të bëhen pjesë e saj: Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, që nga fillimi i kësaj nisme kanë refuzuar që të bëhen pjesë e saj, duke argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa si një nismë për treg të përbashkët rajonal.
Ndërkaq, përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës mbajnë qëndrimin se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian./REL