Tre vite më vonë Boris Jelcini e instaloi Vladimir Putinin si pasardhës dhe për Matthias Warnigun u hapën gati të gjitha portat e Kremlinit. Thuhet se nuk ka gjerman tjetër që ka qasje pa protokoll te Putini. Warnig është anëtar i bordeve të ndërmarrjeve më të mëdha ruse: banka VTB, ndërmarrja e naftës Rosneft, gazsjellësi Transneft, Gazprom (selia në Zvicër) dhe klubi i futbollit Schalke 04, sponsor kryesor i të cilit është Gazpromi. Matthias Warnig është – krahas ish-kancelarit Gerhard Schröder – lobisti më i madh i interesave ruse në Gjermani. Ai ka përkrahur me ngulm ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2 (selia e këtyre firmave është në Zug të Zvicrës). Sipas gazetës gjermane “Die Welt” Putin takohet çdo tri javë me mikun e tij gjerman Matthias Warnig.
Gazeta amerikane “Wall Street Journal” shkroi që më 2005 se Putini e ka takuar oficerin e Stasit, Matthias Waring, më 1989 në Dresden dhe e kishte angazhuar që të rekrutojë agjentë për shërbimin sekret sovjetik. Warnig demanton këtë version dhe thotë se për herë të parë e ka takuar Putinin më 1991 në Shën Petërburg, ku Putini ishte zyrtar i administratës së qytetit dhe Warnig dëshironte të hapte një filial të Dresdner Bankës në Rusi. Mes viteve 1986-1989 Warnig ka spiunuar firmat e Gjermanisë perëndimore në Düsseldorf dhe rrethinë – mes tyre edhe Dresdner Bankën. Më vonë kjo bankë do ta bëjë Warnigun shef të filialit në Rusi. Kur më 1993 Ludmilla Putina, gruaja e atëhershme e Putinit, u lëndua rëndë në një aksident komunikacioni, trajtimin e saj mjekësor në Gjermani e pagoi Dresdner Banka.
Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare më 2005 në shërbim të Putinit u vu edhe ish-kancelari Gerhard Schröder. Ai sot është anëtar i disa bordeve të ndërmarrjeve ruse, mes tyre Gazprom. Kësisoj filloi ndërtimi i një rrjeti të Putinit në Gjermani. Lojaliteti i Schröderit dhe Warnigut ndaj Putinit është i padiskutueshëm. Më 2007 Putin mbajti një fjalim në Konferencën e Sigurisë në München, i cili konsiderohet si ndarje e qartë me Perëndimin. Putin akuzoi SHBA-të se synojnë “sundim monopolar të botës”, se “i kanë tejkaluar kufijtë në gati të gjitha fushat” dhe kundërshtoi zgjerimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian në Europën Lindore. Më 2014 Putin aneksoi siujdhesën ukrainase të Krimesë dhe Schröder i doli në mbrojtje, duke thënë se edhe Perëndimi e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare (në rastin e Kosovës). Ky krahasim është johistorik, sepse Krimeja dhe Kosova janë raste krejtësisht të ndryshme. Në krizën aktuale Schröder nuk e akuzon Rusinë, por Ukrainën për “vringëllim të shpatave”.
Për shërbimet e tij që po ia bën Kremilit, Schröder tani është shpërblyer me postin e anëtarit të bordit të Gazpromit. Sipas vlerësimeve të mëhershme Schröder merr 250 mijë euro në vit për angazhimin e tij në Nord Stream AG dhe 600 mijë për postin te ndërmarrja e naftës Rosneft. Warnig hesht kryesisht, por në prapavijë ai është tejet i angazhuar për përfaqësimin e interesave ruse në Gjermani. Gazsjellësi Nord Stream 2 është ndërtuar dhe pret certifikimin nga Berlini dhe Brukseli. “Rusia ka përkrahës të fuqishëm në Gjermani. Ata minimizojnë vrasjen e disidentëve, i ndihmojnë Moskës në bizneset me gaz dhe kanë kontakte në nivelet më të larta”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” në një hulumtim mbi rrjetin e Putinit dhe Schröderit në Gjermani.
Në një koment të botuar të hënën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ishte edhe më e qartë: “Në çështjen e luftës dhe paqes Gerhard Schröderi është në shërbim të agresorit. Gjermania duhet të tërheq konsekuencat”. Çka domethënë kjo? Si ish-kancelar Schröder gëzon disa privilegje, përfshirë një zyrë dhe një shofer. Tani ka kërkesa që Schröderit t’i merren këto privilegje për shkak se “me infrastrukturë gjermane” po i shërben Putinit. Warnig nuk ka halle të tilla. Privilegjet e tij e kanë një adresë: Kremlinin.
Robell
Se ti e mban veten edhe per te ditur.
Jane ca fakte shume te medha gjigante para ketyre qe servir ti.
Fakt eshte se gjermanet vrane ne lufte rreth 25 milione ruse.
Fakt eshte se ruset vrane 5 milione gjermane.
Fakt eshte se ruset e pushtuan gjermanine.
Fakt eshte se gjermanine, fituesit e luftes e ndane ne 4 pjese, dhe perfundoi ne 2 pjese lindore dhe perendimire.
Fakt eshte se ruset ne 1990 i terhoqen te gjithe trupat nga gjermania dhe lejuan qe te bashkohej.
Fakt eshte se edhe sot gjermania perfshire edhe pjesen lindore vazhdojne te jene te pushtuar nga amerikanet.
Keto jane faktet , keto te tuat jane muhabete cunash lagjeje qe pine bira.