Data 8 shkurt shënjon Ditën e Internetit të Sigurt (SID), e cila festohet në rreth 200 shtete në mbarë botën.
Në fakt, bëhet fjalë për një nismë të Bashkimit Evropian (BE), e cila do të merrte fill në vitin 2004, për një lundrim më të sigurt në internet të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Në të njëjtën kohë, në ditën e SID-it, ndërmerren veprime konkrete për të ofruar mbrojtje dhe fuqizim të fëmijëve dhe të rinjve në internet.
Sipas raportit të UNICEF-it, çdo ditë, më shumë se 175 mijë fëmijë hyjnë online për herë të parë – pra një fëmijë çdo gjysmë dite.
Njëkohësisht, ka mjaft të dhëna, sipas së cilave fëmijët po hyjnë në internet në moshat gjithnjë e më të reja.
Në deklaratën e nismës së BE-së qartësisht shkruhet se “interneti është një mjet i fuqishëm me mundësi të mëdha për të mësuar, për të rritur aftësitë dhe për të përvetësuar njohuri të reja, siç u vu re gjatë pandemisë COVID-19. Megjithatë, me mundësitë vijnë edhe rreziqe”.
Në Shqipëri, numri i përdoruesve aktivë të internetit u rrit në 2 milionë në vitin 2017, 18 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2016.
Ata organizojnë fushata nëpër shkolla dhe workshope për mbrojtjen e fëmijëve nga ekspozimi në internet.
Shqipëria nuk e “feston këtë ditë”
Përveçse organizatave joqeveritare nga institucionet nuk ka pasur ndonjë fushatë të mirëfilltë në Shqipëri.
Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt (CRCA/ECPAT) ka paraqitur për të tretin vit radhazi situatën e incidenteve të ndeshura nga fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.
Raporti paraqiti një situatë tejet kritike për gjendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve, gjatë vitit 2020, që përkoi edhe me mbylljen prej pandemisë globale të COVID-19.
Sipas këtij raporti, numri i faqeve të raportuara të pornografisë me fëmijë ka shënuar një shifër rekord prej 6 mijë 273 faqe, ose një 600-fishim të tyre, krahasuar me një vit më parë.
“40% të rasteve të faqeve pornografike, videove apo edhe imazheve me të njëjtën përmbajtje janë me fëmijë shqiptarë, ndërsa mbi 60% e rasteve të pornografisë me fëmijë u përkasin fëmijëve jo shqiptarë, por të aksesueshme nga fëmijët dhe adoleshentët në vend”, shkruhet në studimin e QKIS-së.
Ndërsa nga platformat të raportuara me më shumë incidente janë Instagram-i me 52%, e ndjekur nga Youtube me 17% dhe Facebook me 15%.
Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Altin Hazizaj, në një prononcim për Albanian Post shpjegon se një ndikim në këto shifra pati edhe pandemia e COVID-19.
“Pandemia e ka komplikuar jetën e të gjithë qytetarëve. Stresi, mërzia dhe depresioni ndonjëherë janë bërë pjesë e realitetit ku jetojmë të gjithë”, thotë ai, duke shtuar se qëndrimi i fëmijëve përballë pajisjeve teknologjike është rritur.
Hazizaj thekson se organizata është munduar t’i mbrojë fëmijët nga pedofilia dhe nga krimet seksuale online dhe të krijojë një jetë sa më të sigurt të fëmijëve në lundrimin e tyre.
“Jemi munduar të vendosim shërbime psiko-sociale online ose nëpërmjet telefonit, për fëmijët qoftë edhe kur janë të mërzitur, apo kur kanë pyetje të marrin në telefon dhe një profesionist, një psikolog apo punonjës social u sqaron shumë nga pikëpyetjet që kanë fëmijët në Shqipëri”, deklaroi ai.
Kjo vërtetohet edhe me rastet e ndodhura gjatë vitit të kaluar në Shqipëri.
Në harkun kohor të disa muajve, dy fëmijë u vetëvranë pas lojërave në Tik Tok.
Një 10-vjeçar humbi jetën në Shkodër, në përpjekje për të regjistruar një video sikur po vetëvritej me qëllimin për ta hedhur në Tik Tok.
Më pas, po një 13-vjeçar në Lushnjë do të humbte jetën po në të njëjtën mënyrë.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, do të mjaftohej vetëm me një deklaratë në të cilën shprehej se e ka ngritur si shqetësim kaherë me mësuesit dhe familjarët, kohën që të rinjtë kalojnë në internet.
Po – si gjithmonë – fjala e fundit u mbetet familjarëve, të cilëve u kërkohet që të kujdesen për fëmijët e tyre nga përdorimi i tepruar i teknologjisë.