Norvegjia të shtunën (12 shkurt) hoqi kufizimet e saj përfundimtare për COVID-19, duke hequr obligimin për distancimin shoqëror dhe maskat në hapësirat e mbushura me njerëz.
“Metri po zhduket. Ne po heqim rekomandimin për distancimin shoqëror,” u tha gazetarëve Kryeministri, Jonas Gahr Store në një konferencë për shtyp.
“Tani ne mund të shoqërohemi si më parë, në jetën e natës, në ngjarje kulturore dhe raste të tjera sociale. Dhe gjatë rrugës për në dhe nga puna me autobusë, trena dhe tragete,” tha ai.
Norvegjia hoqi shumicën e kufizimeve të tjera në fillim të këtij muaji, duke përfshirë punën në distancë, numrat e personave që lejohen në grumbullime dhe shitjet e kufizuara të alkoolit në bare dhe restorante.
Kërkesa për t’u izoluar për katër ditë pas një testi pozitiv për COVID-19 ndërkohë u ul të shtunën në një rekomandim dhe fëmijëve me simptoma të problemeve me frymëmarrje nuk u kërkohet më të testohen për koronavirus.
Gahr Store theksoi megjithatë se “pandemia nuk ka mbaruar” dhe këshilloi personat e pavaksinuar dhe ata në grupet e rrezikut që të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror dhe të mbajnë maska ku distancimi nuk është i mundur.