Në dekadën e fundit, agroturizmi ka njohur rritje në Shqipëri, si në drejtim të prodhimit, por edhe në atë të konsumit turistik.
Profesorët Lorena Shele dhe Edmond Kadiu nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në një studim trajtojnë zhvillimin e agroturizmit në territorin e kryeqytetit, si alternativë e zhvillimit ekonomik.
“Agroturizmi në Tiranë është një koncept, i cili po evoluon dita-ditës”, shkruan Shele.
Madje, ajo thekson se ky lloj turizmi po zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, duke ofruar “një tërësi elementësh për të qenë gjithnjë e më tërheqës për vizitorët vendas e të huaj”.
Më tej, autorët e studimit shprehin qartë faktin se, gjithnjë e më shumë, turistët, përveçse zgjedhin një vend për ta eksploruar nga pikëpamja kulturore dhe historike, e “kanë kthyer vëmendjen e tyre ndaj turizmit të aventurës, kulinarisë, natyrës etj”.
“Turistët e shohin agroturizmin kryesisht si mënyrën më të lehtë për të qenë sa më pranë aktivitetit bujqësor, natyrës, monumenteve dhe kulinarisë”, shprehet Shele.
Në territorin e Tiranës, të gjitha tipologjitë e turizmit, si turizmi historiko – kulturor, turizmi rural, turizmi i konferencave, turizmi kulinar, turizmi religjioz apo turizmi dentar gjejnë një hapësirë të posaçme për t’u zhvilluar.
Për sa i përket turizmit kulinar, vitin e kaluar, Tirana ka zënë vendin e katërt në renditjen e kryeqyteteve evropiane me ushqimin më të shijshëm.
Ky fakt tregon që bizneset, çdo ditë e më shumë po u kushtojnë vëmendje dëshirave të vizitorëve dhe ndjekjes së gjërave të panjohura më parë.
Që nga viti 2015, me ndarjen e re territoriale të Shqipërisë, Tirana ka pjesë të saj, përveç qytetit, edhe 13 njësi administrative rurale: Baldushk, Bërzhitë, Dajt, Farkë, Kashar, Krrabë, Ndroq, Petrelë, Pezë, Shëngjergj, Vaqarr, Zall-Bastar dhe Zall-Herr.
Në secilën prej tyre, thekson profesoresha, gjenden të evidentuara atraksione të ndryshme, si: monumente kulture e natyre, restorante tradicionale, biznese agroturizmi dhe punishte, të cilat tentojnë të ruajnë elementët e traditës “kulinaria dhe artizanati”.
Nga ana tjetër, në bazë të të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), në Shqipëri janë të regjistruar 75 operatorë turistikë dhe 322 agjenci udhëtimi.
“Ky numër është i shpërndarë në të gjithë rrethet”, shton Kadiu, por “pjesa dërrmuese e tyre është e përqendruar në Tiranë”.
Pikërisht për këtë arsye, vijon profesori, “janë pa dyshim pjesë e rëndësishme e zinxhirit për zhvillimin e turizmit rural në kryeqytet”.
Sipas profesorit, “agroturizëm është veprimtaria pritëse që zhvillohet në një fermë ose njësi tjetër agrokulturore, me qëllimin për të tërhequr vizitorë”.
Gjithashtu, ky lloj turizmi u jep mundësi vizitorëve të marrin pjesë në sipërmarrje bujqësore, ose veprimtari të tjera ndihmëse që zhvillohen në atë mjedis bujqësor, duke rritur ndërveprimin e tyre me natyrën.
Nëpërmjet mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës, agroturizmi ka një ndikim pozitiv në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të zonave rurale.
Kjo nëpërmjet “mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës”.
Megjithatë, edhe agroturizmi “çalon” në një vend.
Fakti që, sipas profesorëve, jo të gjitha subjektet janë të certifikuara pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të njihen si të tilla, ndikon në përfitime financiare apo të granteve nga qeveria.
Nëse do të kryenin procesin e certifikimit, i cili vlen për një periudhë pesëvjeçare dhe me të drejtë rinovimi, shpjegon profesor Kadia, “do t’u jepnin subjekteve seriozitetin dhe standardin e dëshiruar”.
Në një pamje më të përgjithshme, agroturizmi, si sektori ndoshta më i përkryer që ndërthur mikpritjen e ngrohtë të shqiptarit me freskinë e zonave malore apo fushore, ka të gjithë potencialin të rritet dhe të ndryshojë për mirë ekonominë e brishtë të Shqipërisë.
Sa bukur aty ku eshte balta me e embel se mjalta.
Shyqyr o zot qe kemi ikur nga aty dhe vijm ndonjehere me tall trapin.