Fragment nga libri “Topi nën pushtetin e tyre” i shkrimtarit dhe komentatorit sportiv, Skifter Këlliçi
Aty nga fillimi verës së vitit 1946, kur unë dhe Luani, vëllai binjak ishim 8-vjeçarë, u përhap lajmi se në stadiumin e Tiranës do të zhvilloheshin Lojërat Ballkanike, ose siç i thonin shkurt, Ballkaniada, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.
Një pasdite shkuam me vrap andej dhe pamë, jo vetëm punëtorë, por edhe të rinj që po ndihmonin në regullimin e zhveshtoreve, tribunave, në shtrimin e barit, në ndërtimin e pistës së vrapimit dhe mbulimin e saj me pluhur qymyri…
Stadiumi që u quajt “Qemal Stafa”, po merrte kështu pamje krejt të ndryshme nga pamja që kishte pasur më 1 maj të atij viti, kur përfaqësuesja e Tiranës ishte ndeshur me “Spartakun” e Moskës, skuadër që, siç lexova te “Sporti”, gazetë të cilën kisha nisur ta lexoja thuajse regullisht, ishte nga më të fortat në Bashkimin Sovjetik…
E kisha parë këtë ndeshje, të fituar 2-1 me shumë vështirësi nga sovjetikët, që duhej të ishte mbyllur në barazim. Mbaj mend se sovjetikët shënuan një gol me 11-metërsh, të ciilit po me 11-metrërsh iu përgjigj edhe Teliti për skuadrën tonë.
Kështu pra, më 6-13 tetor, bash në këtë stadium do të zhvilloheshin Lojërat Ballkanike, në dy sporte, futboll dhe atletikë. Do të merrnin pjesë skuadra nga Shqipëria, Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania, por jo Greqia dhe Turqia.
Siç mora vesh kur u rrita, sipas vendimeve të Konferencës së Jaltës në shkurt të vitit 1944, të marra nga Ruzvelti, çërcili dhe Stalini, përkatësisht udhëheqës të Amerikës, Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik, vendet e mësipërme pas Luftës së Dytë Botërore u përfshinë në sferën perendimore, pra u bënë vende kapitaliste, me të cilat atëherë Shqipëria, që fatkeqësisht mbeti në sferën komuniste, nuk kishte mërrëdhënie shtetërore.
Unë me tim vëlla dhe shokë e mëhallës, u gëzuam së tepërmi. Dhe gjëja e parë që bëmë, ishte të shkonim të shihnim stadiumin, që shtrihej në kodrat e jugore të Tiranës.
Siç mësova vite më vonë, kur fillova të punoja gazetar në Radio Tirana, gurin e parë në përurimin e punimeve për ndërtimin e stadiumit të Tiranës, sipas projetit të arkitektit italian, Xherardo Bozio, e kishte vënë Galeaco Ciano, dhëndri i Musolinit dhe ndër drejtuesit kryesorë të shtetit fashist.
Stadiumi ishte parashikuar të mvishej i tëri me mermer. Por punimet u ndërprenë në vjeshtë të vitit 1943, kur Italia fashiste kapitulloi.
Me ardhjen e pushtuesve gjermanë fusha e stadiumit u kthye në venqendrim të tankeve dhe armatimeve të tjera të rënda të ushtrisë gjermane.
Pikërisht në fushën e këtij stadiumi, së bashku më prindët e mi, në vjeshtë të vitit 1945 kam parë një nga ndeshjet e para, madje ndërkombëtare, midis përfaqësueses së Tiranës dhe të Maqedonisë, që, siç kam përmendur më sipër, tanët e fituan 5-2.
Në një tjetër ndeshje, në verë të vitit 1946, “Vllaznia” e Shkodrës mundi “Tiranën” 5-1, dhe u kualifikua të ndeshej në finale me “Flamurtarin” e Vlorës, të cilën e mundi 2-0 dhe për të dytën herë radhazi u bë kampione e Shqipërisë.
Aty për herë të parë pashë sërishmi Loro Boriçin dhe mbeta pa mend nga loja e tij, aq sa më vonë, së bashku me tim vëlla, Luanin, e detyronim nënën të na sajonte prapa fanellave, në qoftë se ato mund të quanin të tilla, numrin 9, që ishte numri i fanellës me të cilën luante Loro Boriçi.
Më 1 maj të vitit 1946 ne kalamajtë e mëhallës ndoqëm plot kurreshtje takimin midis përfaqësueses së Tiranës dhe “Spartakut” të Moskës, ku rusët na mundën me shumë vështirsi 2-1. Por asokohe stadiumi kishte mbetur, ashtu siç e kishin lënë italianët pas kapitullimit, në verë të vitit 1943: fusha ishte e zhveshur nga bari, mungonte pista e vrapimit, mungonin portat e mëdha dhe të hekurta, nga ku hynin dhe dilnin shikuesit; mungonte dhe muri rrethues pas pistës dhe sipër, pas shkallëvë, ku qëndronin shikuesit…
Mirëpo në pushimet e verës së atij viti, kur u futëm plot kurreshtje në stadium, menjëherë na ranë në sy plot të rinj që po punonin krahas punëtorëve të ndërtimit.Fusha tani gjelbëronte nga bari, në pistë po shtrohej pluhur qymyri, që i jepte një pamje të murrme, pas portave po ndërtoheshin pedanat e kërcimeve dhe nga jugu, një fushë basktebolli, ku një vit më pas do të zhvilloheshin edhe ndeshje ndërkombëtare.
Të tëra këto punime plotësuese të stadiumit, vepër e të rinjve të Tiranës, u kryen brenda pak muajsh dhe kështu ky stadium, i quajtur tashmë “Qemal Stafa”, për kujtim të heroit tonë, ndonëse ai nuk kishte qenë kurrë i lidhur me sportin, ishte gati për të pritur Lojërat Ballkanike, që u zhvilluan nga 6-13 tetor të vitit 1946.
Nga më të mëdhenj mësova atëherë se në skuadrën tonë do të bënte pjesë Riza Lushta,(1916-1997).
Me origjinë kosovare, kishte luajtur deri më 1938 me “Tiranën”. Mirëpo, pasi në pranverë të atij viti skuadra e “Barit” kishte zhvilluar në Shallvare një ndeshje miqësore me skuadrën tiranase, italianëve u kishte bërë kaq përshtypje ky qendërsulmues i fuqishëm, sa e kishin përlarë menjëherë. Por edhe barezëve nuk u kishte prirë nafaka, sepse, pa kaluar mirë një vit, Riza Lushtën e kishte gllabëruar “Juventusi” i famshëm i Torinos, ku kishte luajtur deri më 1945, (85 ndeshje dhe 46 gola!…)..
Madje , kur Loro Boriçi, siç me ka treguar më vonë kur u bëra gazetar në Radio Tirana, aso kohe bënte pjesë në skuadrën e “Lacios” së Romës, ishte vënë edhe përballë tij, duke ngjallur admirimin e shikuesve italianë dhe shqiptarë, (studentë, a vizitorë), ngjarje që në reportazhet e tij në shtypin e asaj kohe, i ka vënë në dukje edhe Anton Mazreku i famshëm, babai i gazetarisë sportive shqiptare.
Pikërisht disa muaj para fillimit të Ballkaniadës, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Sporteve, kishin dërguar një përfaqësues që të takonte Riza Lushtën dhe ta bindte që të kthehej në atdhe dhe të luante më së fundi me kombëtaren shqiptare. Por nuk kishte qenë mundur.
Shkak, siç thuhej, ishte bërë kërkesa e tij që të ngrinte në Tiranë një park privat makinash, dëshirë, ta pret mendja, e pamundshme, kur regjimi komunist po zhdukte pronën private dhe madje po i kallte nëpër burgje pronarët e mëdhenj, dhe e shoqja italiane që nuk donte të linte atdheun e saj.
(Më pas Riza Lushta luajti me “Napolin”,” Alesandrian”, me skuadrën franceze “Kanë” …dhe “i vari këpucët në gozhdë”, më 1954, kur ishte 34 vjec,duke mbetur nga futbollistët më të shquar të Italisë së të gjithë kohërave. Por për këto figura të mëdha të futbollit tonë, do të shkruajmë gjatë në faqet në vazhdim të këtyre kujtimeve.
(vijon në numrat e ardhshëm)