Zëdhënësi i Medvedev: Në Moskë, oligarkët janë të terrorizuar, por nuk kanë pushtet

24 Shkurt 2022, 19:28Bota TEMA

Alexander Gabuev, 36 vjeç, një ndër zëdhënësit e Dimitri Medvedev kur ai ishte në Kremlin në vend të Vladimir Putin, tani anëtar i lartë në zyrën e Moskës në Carnegie Endowment for International Peace, flet për situatën në vendin e tij.

Nga atje Gabuev sheh situatën e oligarkëve që lulëzuan në regjimin Putinian, por tani kanë frikë nga humbja e pasurisë përmes luftës.

Ai ndjen nervozizëm në lagjet e banuara të Moskës, ku janë të shumtë ata që po nxitojnë në banka për të shkëmbyer rubla me euro ose dollarë përpara se sanksionet të fundosin plotësisht monedhën ruse.

Lidhur me ndikimin që mund të ketë “hakmarrja” e perëndimit në ekonominë ruse, ai shprehet për “Corriere della Sera”, se duhet parë shtrirja e sanksioneve.

“Tensioni i muajve të fundit në tregun e energjisë ka qenë i dobishëm për Putin dhe na bën të kuptojmë pse kjo krizë po vjen pikërisht tani. Rritjet e çmimit të karburantit në SHBA, ai i energjisë elektrike dhe gazit në Europë ushtron presion mbi qeveritë perëndimore përballë opinionit të tyre publik”, deklaron Gabuev.

Nëse mund të funksionojnë sanksionet, ai shprehet se disa janë të fuqishme, por sipas tij problemi nuk është nëse ndonjë nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit rus humbet aksesin në vilën e tij në liqenin e Comos në Itali, por tek pasojat e tjera.

Lidhur me pezullimin e projektit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, Gabuev thotë se tubacioni nuk kishte funksionuar kurrë dhe në çdo rast miqtë e Vladimir Putin, tashmë i kanë bërë miliardat e tyre duke e ndërtuar atë.

“Në përgjithësi, kam përshtypjen se sanksionet afatshkurtra dhe afatmesme janë të ashpra, por jo aq të ashpra sa të hidhet në erë regjimi. Mund të mbijetojë. Gjithashtu kjo sepse bankat ruse nuk mund të shkëputen plotësisht nga tregjet e huaja, pasi vendet e perëndimit duan të vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus”, tha ai.

Sa i takon efekteve që do të ketë kjo dinamikë në ekuilibrin e brendshëm, ai tha se oligarkët i frikësohen zhvlerësimit të rublës dhe ndihen të bllokuar.

Lidhur me popullsinë e thjeshtë, Alexander Gabuev, thotë se njerëzit po rendin drejt bankave për të këmbyer rublat, ndërsa për klasën punëtore, shprehet se vështirë se do të mbijetojnë.

“Inflacioni i ardhur do t’i bëjë njerëzit edhe më të varfër, por Putini do të shpërndajë subvencione falë të ardhurave prej monedhës së fortë nga shitja e naftës dhe gazit. Tashmë Putini të kujton shumë Musolinin, por një Musolini me bombë atomike… Fatmirësisht jemi larg një skenari të Luftës së Tretë Botërore, por ai po merr përsipër shumë rreziqe të mëdha”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje