Pas zhurmës që është bërë me atë që i ka ndodhur Doktorit në Strasburg, Muli thirri Lelon me porosi nga Doktori të bënin një video ku të shpjegonin se ajo që i ka ndodhur Doktorit u ka ndodhur edhe të tjerëve.
Për këtë ai i dha porosi të kërkonte në livestream-in e Këshillit të Evropës raste të ngjashme kur drejtuesja e seancës të pret fjalën.
– Ka plot raste të tilla, – tha Lelo, – nuk është problem. Problemi ynë është që Doktori paraqiti si fjalim në Këshillin e Evropës fjalimin që mbajti pas derës së tualetit në shqip, ndërsa aty nisi të flasë anglisht. Dmth ne u nxituam dhe ua shpërndamë fjalimin që regjistroi Albana te dera e tualetit si fjalim në Këshillin e Evropës.
– E kuptoj, – tha Muli, – po ne duhet të bëjmë diçka. Nëse njerëzit e kuptojnë se Doktorit i kanë prerë fjalën siç ua presin të gjithëve që kalojnë dy minuta, atëherë sfumohet ai fjalimi në shqip që the ti. Se ashtu nuk e bën vetëm Doktori. Të gjithë këta të PD-së kështu e bëjnë, se e di unë. Shkojnë brenda në Bruksel, në Parlamentin Evropian, hanë e pinë aty me Taulant Ballën dhe pastaj, kur dalin jashtë, lexojnë një deklaratë sikur e kanë mbajtur aty brenda. Asnjë nuk e mban, se e di unë.
– Atëherë e kemi kollaj, – tha Lelo. – Po bëj unë një video të shkurtër ku të paraqes edhe raste të tjera dhe pastaj i krahasojmë me ndërprerjen e Doktorit. I vetmi problem është se Doktori rri ulur në vend të Albanës dhe Albana rri në këmbë në krah të tij. Dhe kjo duket që Doktori s’ka vend të vetin në mbledhje.
– S’ka problem, – tha Muli. – Ai është moshë e madhe, ka nevojë për një grua afër. Nuk quhet shkelje kjo. Vetëm shiko se mos dëgjohet ajo zonja që thotë: “Zoti Vokshi, koha juaj mbaroi.”
Lini një Përgjigje