Pas përfundimit të betejës së sotme në parlament, Muli thirri Lelon për të bërë vlerësimet e ditës për heronjtë e seancës parlamentare.
Në vlerësimin e përgjithshëm Muli theksoi se taktika e sotme, synonte si gjetje të re faktin që deputetët e Foltores t’i hiqnin karriget vetes dhe t’i zinin rrugën deputetëve socialistë.
Pra sakrifikuan që vet të qëndronin në këmbë, pasi Doktori kishte frikën se disa prej tyre do rrinin ulur gjatë aksionit.
Dhe për të mos nxjerrë grup të ri armiqësor, më mirë ishte t’ua hiqnin të gjithëve karriget.
Në përfundim të aksionit Muli shpalli këto vlerësime:
Deputetja e Shkodrës Elda Hoti vlerësohet me çmimin “korrierja sypatrembur”, pasi kishte maskuar në kutinë e buzëkuqit, kapsollat tymuese.
Kjo bëri që Garda të mos dyshojë, pasi nuk mund të kontrollojë gjithë tualetet e grave.
Albana madje propozoi që të mbahen dhe prezervativë në çantë, me qëllim që rojet e Gardës të bëhen me turp e të mos kontrollojnë.
Deputetja Ina Zhupa të shpallet kameramane e luftës, për durimin dhe profesionalizmin e treguar në regjistrimin e çdo fjalimi të Doktorit dhe transmetimin e tij live në Facebook.
Në seancën tjetër t’i dhurohet një mbajtëse celulari në formë trekëndëshi, që të mos torturohet ta mbajë në dorë.
Deputeti Saimir Korreshi të shpallet atentatori i vitit, dhe tani e tutje të mos identifikohet më me shalqinin si produkt, por me kapsollën.
Pra të mos thirret më “O shalqi” siç i thërrasin tani, por t’i thërrasin “O kapsollë”.
Deputeti Oerd Bylykbashi të shpallet vrojtuesi më i mirë.
Ndërkohë që zhvillohej beteja, ai kontrollonte çdo minutë celularin se si dukej Doktori në Facebook.
Deputeti Tritan Shehu të shpallet rezistuesi më i mirë, pasi gjatë gjithë kohës së tymit, nuk futi asnjëherë gishtin në hundë nga tymi.
-Këto duhet t’i bëjmë publike, tha Muli, që të inkurajohen për seancën tjetër.
-Patjetër, tha Lelo. Javën tjetër kthehesh dhe ti dhe me siguri do kemi çmime të reja.
Lini një Përgjigje