Nga Enver Robelli
Në paraqitjet e saj publike Sahra Wagenknecht i mban flokët ngjashëm si ikona e të majtëve, Rosa Luxemburg, e cila para më shumë se 100 vitesh ishte përfaqësuese e lëvizjes së punëtorëve, e marksizmit, e antimilitarizmit dhe internacionalizimit proletar.
Wagenknecht nuk ka ngurruar të shprehë simpati për Stalinin, andaj për disa publicistë gjermanë ajo është - staliniste! Edhe për regjimin diktatorial komunist të Gjermanisë Lindore, Wagenknecht ka gjetur fjalë kryesisht dashamirëse.
Për luftën në Ukrainë më shumë ka fajësuar Perëndimin se sa Putinin. Në debatet televizive në Gjermani Wagenknecht ka qenë shpesh e pranishme. Para një viti ajo themeloi Aleancën Sahra Wagenknecht (BSW), pasi më parë ishte larguar nga partia e majtë DIE LINKE.
Të dielën BSW e Wagenknecht nuk i fitoi votat për të hyrë në parlament pasi nuk kaloi pragun prej 5 për qind. BSW-së i mungojnë 13’400 vota.
Wagenknecht ka paralajmëruar betejë ligjore. Gjasat janë minimale që Wagenknecht të zë vend në parlament me disa deputetë të saj si Zhaklin Nastiq, e cila nga partia DIE LINKE pati kaluar te BSW e Wagenknecht.
Nastiq, e lindur në Poloni, e kishte punësuar një nacionalist serb në zyrën e saj. Ajo e quan Kosovën shtet artificial të krijuar nga bombat e NATO-s.
Edhe Wagenknecht shpesh ka shprehur mllefin e saj ndaj shtetësisë së Kosovës dhe sidomos ndërhyrjes së NATO-s më 1999.
Wagenknecht është e martuar me Oskar Lafontaine, i cili më 1998 u bë ministër i Financave në qeverinë e kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder.
Në mars 1999, pak ditë para ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit kriminal të Beogradit, Lafontaine dha dorëheqje - gjoja për shkak të mospajtimeve me kancelarin Schröder mbi politikat ekonomike dhe financiare.
Më vonë Lafontaine mori pjesë në demonstrata kundër ndërhyrjes së NATO-s. Dështimi i Sahra Wagenknecht për të hyrë në parlament është, padyshim, lajm i keq për të. Dhe lajm i mirë për çdo njeri të arsyeshëm në Gjermani. Dhe më gjerë.
Para zgjedhjeve Wagenkecht tha se do të largohej nga politika nëse partia e saj nuk hyn në parlament. Pas zgjedhjeve duket se kishte harruar çfarë ka thënë. “Do të këshillohemi se si do të pozicionohemi për të ardhmen”, tha ajo.
O Robelli! - shkoftè nè tè sèmès kjo Sahra , sa mè parè!