Kur u ula të shkruaj dy fjalë për të ndjerin Artur Zheji, shfletova edhe shumë faqe online që e kishin dhënë lajmin dhe atje nuk i rezistova dot tundimit për të lexuar komentet – rregullisht anonime, rregullisht të ndyra, nga njerëz që tani pretendojnë përnjëmend të përfaqësojnë tiraninë e vulgut.
Zheji ka qenë afër me qarqet politike në Tiranë, prandaj ishte për t’u pritur njollosja e tij nga kundërshtarët, sa kohë që te ne politika ashtu bëhet, me gjithfarë bajgash ad hominem. E kemi pasur dikur një zakon – le ta quajmë hipokrit, por megjithatë të mirësjellshëm – për të mos folur keq për dikë fill pas vdekjes; por e kemi pasur edhe një zakon tjetër, mbase më fisnik: që ta zbutim qëndrimin ndaj dikujt, mbasi ky ndërron jetë, t’ia kujtojmë të mirat jo të pamirat, të sjellim në vëmendje çfarë kemi pasur të përbashkët, jo çfarë na ka ndarë. Por sot i kemi zëvendësuar këto zakone me gatishmërinë për ta mbajtur hapur rubinetin e vrerit.
Në çdo rast, çfarë më tërhoqi vëmendjen mes komenteve – përgjithësisht banale dhe të nivelit fare të ulët – ishte që disa nuk kishin lënë pa përmendur, jashtë teme dhe konteksti, mundësinë që i ndjeri ta kish pësuar ngaqë kish bërë vaksinën kundër Covid-it. Këtë zakon të ri, këtë qeleshe të re mbi skalpin e lyrshëm të komentuesit shqip online, e kam ndeshur prej kohësh në sajte tabloidësh ndërkombëtarë online – të njëjtat nga ku i marrin lajmet dhe i përkthejnë pastaj me Google portalet e medias sonë të lirë dhe të pavarur; dhe nga ku një ditë do të marrin e të përkthejnë edhe komentet.
Ideja pas këtyre komenteve është se vaksina kundër Covid-it, veçanërisht ajo e bazuar në teknologjinë mRNA, u shoqërua me efekte anësore të shumta qëllimisht të nënvlerësuara e të palajmëruara, që dëmtuan, mes të tjerash, edhe zemrat e të vaksinuarve; një ide që po përdoret, prej vitesh, nga kundërshtarët e vaksinimit, për arsye kryesisht politike. Jam përpjekur edhe unë të informohem, për të mësuar se, në çdo rast, efektet anësore të padëshiruara të vaksinës kundër Covid-it janë shumë të pakta se efektet anësore të Covid-it vetë, në persona të pavaksinuar.
Këto i them si një prej atyre që u vaksinuan herët; për shkak të asaj çfarë më panë sytë me Covid-in në NYC dhe ngaqë nuk doja të mbetesha i mbyllur në shtëpi ose në lagje, pas një karantine të gjatë; por edhe si dikush që ka humbur, për shkak të Covid-it, të paktën dy të afërm në familje dhe më shumë shokë e miq të ngushtë. Edhe pse e mendoj veten si mjaftueshëm skeptik ndaj establishmentit mjekësor në vendin ku jetoj dhe i kam të qarta lidhjet e tij shumëfijëshe me firmat farmaceutike të mëdha (big pharma), sërish e pashë të arsyeshme që të vaksinohem, i bindur se alternativa – ose propaganda no-vax – ishte për mua më pak e besueshme. Në këto gjëra nuk ka as mund të ketë siguri absolute, por gjithnjë zgjedhje të informuar mes alternativave.
Kjo nuk e bën vaksinën anti-Covid, me teknologji mRNA, vetvetiu të padëmshme; por edhe nuk u jep të drejtë konspiracistëve që vazhdojnë të tellallisin se vaksina pati për synim të reduktonte popullsinë e planetit, e të tjera çudi si këto. Dhe veçanërisht, nuk i bën gjë me faj ata që shkuan të vaksinohen, shpesh me këshillën e mjekut të tyre personal; sikurse nuk i bën bashkëpunëtorë të krimit shëndetësor dhe të ndonjë konspiracioni planetar.
Ata që u vaksinuan – duke filluar nga unë – nuk e bënë për të “votuar” pro-establishmentit, dhe as për të shprehur mbështetjen e tyre për rendin e gjërave në shëndetësi; vaksinimi është pjesë e shëndetësisë publike dhe këtë e kontrollon shteti; ne si qytetarë nuk mundemi veçse t’u besojmë institucioneve shëndetësore publike, të cilat jo vetëm vendosin karantina dhe përpilojnë programe vaksinimi, por edhe kontrollojnë cilësinë e ushqimit dhe të ujit, matin shkallën e ndotjes së ajrit e kështu me radhë, me mandatin tonë qytetar. Edhe kur establishmenti kritikohet nga profesionistë seriozë të fushës, kjo bëhet për ta përmirësuar e për ta ndihmuar që të punojë më mirë – jo për t’u dhënë hapësirë të pamerituar teorive alternative dhe paranojave amatoriale.
Dua të them, të gjithë ne që jemi vaksinuar vetë, dhe që jemi kujdesur për të dashurit tanë që të vaksinohen, duke e parë vaksinën si çelësin drejt një jete normale, përkundrejt maskës, lockdown-it dhe pamundësisë për të udhëtuar, nuk është se ashtu u kemi shprehur solidaritetin e premtuar besnikërinë politikave shëndetësore të qeverisë, në SHBA a në Shqipëri a në Itali a kudo gjetiu. Vaksinimi nuk është votë. Dhe ne, si qytetarë, nuk e marrim dot vetë në dorë çështjen e luftës kundër epidemive, pandemive dhe sëmundjeve ngjitëse; na duhet t’ua besojmë ekspertëve.
Vetëm në rrugicën time, në Tiranë, vdiqën të paktën tre vetë nga Covid-i. Me gjasë, edhe nëna ime – e moshuar – e pësoi nga efektet anësore të Covid-it (perikarditi); në një kohë kur vaksina nuk ishte vënë ende në dispozicion të publikut. Të tilla humbje të dhimbshme i patën të gjithë në Shqipëri – dhe mund ta kuptoj entuziazmin e heshtur, me të cilin u prit vaksina. Dhe meqë fare pak vjet kanë kaluar nga ajo kohë krize, gjykoj se histeria e sotme e disave, kundër vaksinës mRNA, nuk ka lidhje me eksperiencën e pandemisë, por është importuar prej sajteve konspiraciste gjetiu, nga njerëz që duan ta përdorin për të vënë në dyshim jo thjesht establishmentin mjekësor në Shqipëri, por edhe vetë rendin kushtetues dhe autoritetin institucional, me shpresë se do ta zëvendësojnë dikur me fantazitë e veta adoleshente.
Vetëm kështu mund ta kuptoj shfaqjen e dyshimeve, herë pas here, nga anonimë në komentet dhe oratorë të Facebook-ut, se dikush që lajmërohet se vdes nga zemra, është viktimë e vaksinës anti-Covid. Zakonisht këto dyshime shoqërohen me një kënaqësi të pështirë, të thuash se vdekja e dikujt nga zemra e kanë shpërblyer komentuesin me kënaqësinë e konfirmimit të çfarë ka pasur ai në mendje e të çfarë ka vendosur të besojë (rëndësi ka që i doli fjala). Dhe si të tilla e gjejnë vendin mirë në shoqërinë e dyshimeve të tjera, se mos i ndjeri Artur, njëlloj si Artan Lamja para tij, janë likuiduar nga shërbime të spiunazhit – meqë, bie fjala, kanë operuar zemrën në Gjermani. E gjitha kjo, në kontekstin e një konspiracizmi të vjetër sa bota, sipas të cilit asnjë vdekje nuk është e natyrshme, asnjë vdekje nuk është aksidentale – me fjalë të tjera, se çdo vdekje është vrasje.
Në qoftë kështu, do të më dukej më normale, për nivelin e vetëdijes sociale ku jemi katandisur, që të thonim për të ndjerin se “e kanë ngrënë me sy”, duke ua kursyer ankthin të gjithë atyre që janë vaksinuar tashmë ose që mund të jenë kuruar në Gjermani, nga vrasës me pagesë të UDB-së a të kushedi ç’hasmi tjetër të shqiptarëve e të shqiptarisë. Kushedi edhe vetë vaksinën me mRNA do ta ketë shpikur ndonjë armik yni, që të na marrë kuadrot...
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë marrja pa leje botimi – të interesuarit të më kontaktojnë paraprakisht, për të negociuar një honorar të arsyeshëm. Imazhi ilustrues është punuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Ne jete shkrim nuk ke qullur gje! Keshtu ndodh kur shkruan shume! Je burre i ditur, po kurseje pak kompjuterin! Mire, eshte, gjithashtu, te shnangesh fjalet e huaja qe perdor me teperi!
Edhe ti mire do ishte te dije te shkruaje, perpara se te besh kritika ndaj dikujt qe di te shkruaje. Perdorimi i presjes vend e pa vend, i pikecuditeses aty ku nuk duhet, drejtshkrimi i gabuar, jane thjesht disa nga ato qe vihen re kollaj ne 3 rreshta. Per me teper qe ke humbur thelbin e postimit dhe komentin ja drejton autorit personalisht per mendimin e tij. Nese ke probleme me analizen, referoju asaj, jo Vehbiut.
Pse duhet me shit pordhe nese nuk vaksinohesh? Se nuk mund te rri dot pa shit pordhe, por vaksinen edhe e boj! hahahahahaha
Ka plotë njerëz që e kanë bërë vaksinën dhe në publik thonë nuk e kemi bërë, pse budallenj ishim ne e dimim që kishte pasoja. Kurse nën zë të thonë e kam bër po jam penduar që e bëra. As sot mbas disa vitevr, me shumë njetëz të dashur të vdekur nuk e kuptoj arësyen e këtyre tipave për të gënjyer? Nejse këta janë njerzit po të shpresojmë të mos kemi më epidemi me qindra e mijra të vdekur.
cop kari