Nga Artan Fuga
Ajo ishte një nga personazhet më të rëndësishme të rrugëve të Tiranës në vitet '70!
Padyshim nga të vetmet personazhe që si femër, a mashkull, nuk bëri propagandë për veten e vet, nuk u bë e njohur duke paguar, a duke u prishur mendjen popullit me propagandë zyrtare, krejt idiote, por që vlerësohej nga të tjerët.
Këta janë njerëzit e mëdhenj që Tirana ka njohur. Shumica e të tjerëve nuk janë veçse karagjozë dhe karagjoze, pa pikë vlere, fallco, dhe që nuk meritojnë as emra rrugësh dhe as emra shkollash.
Liza e qymyrit. Kështu e thërrisnin. Më kujtohet se ishte e zeshkët në fytyrë. Midis ngjyrave të kuqe, të verdhë, jeshile që mund të ketë te një femër ajo ishte e zeshkët. Si qymyr. Thonë se njeriu mban në fytyrë karakterin e tij.
Ka femra që janë si bretkoca, të tjera si dhelpra, ca si kukumjacka, ca si pula të rrjepura, nuk ka problem fiziku, por aty reflektohet karakteri. Sikurse ka edhe burra si derra, si arinj, si veshgjatë, si gjarpërinj, përsëri nuk është fiziku, është karakteri që u jep këtë pamje. Liza ishte si qymyri.
Por, ende sot pas gjysëm shekulli nuk e di nëse ajo ishte e zeshkët për shkak të qymyrit me të cilin ajo punonte, pra mund të ishte kuqe e bërë zeshkane, apo bjonde e bërë zeshkane, sikurse ndodh e kundërta sot, apo sepse qymyri e kishte nxirë të shkretën. Ajo ishte e vetmja grua që kam parë të mbrehej në karrocë dhe e tërhiqte atë duke vendosur gjoksin e saj të sheshtë dhe të rënë te trari i karrocës me dy rrota që i vinte nga pas. Ishte mbrehur në tërë kuptimin e fjalës. Nxirrte bukën e gojës me djersën e ballit.
Nuk vidhte, nuk prostituohej, nuk lajkosej si e përdalur, nuk ndiqte as modën, asgjë nga këto. Vetëm rrugëve të Tiranës transportonte qymyr në disa thasë të rëndë që mbushnin kacik karrocën e saj. Ajo punonte për veten e saj, nuk dukej se festa e grave kalonte afër saj, askush nuk e dinte se nga e kishte origjinën, a ishte nga Veriu a nga Jugu.
Kjo ndodhte sepse Liza e Qymyrit punonte, por nuk fliste, në ndryshim nga shumë gra llapazane që flasin, por nuk punojnë. Nuk i shihte burrat në sy, as gratë, nuk dinte të qeshte, nuk nxirrte asnjë rënkim a tregonte shënjë lodhje. As britma, lëre më fjalë. Nuk e di ta them se çfarë theksi kishin fjalët e saj.
Do të ishte e pabesueshme se Liza e Qymyrit të kishte bërë ndonjëherë dashuri. Dilte që pa gdhirë në rrugë dhe kthehej me karrocën bosh natën duke u bërë njësh me errësirën e qytetit. Si një hije vërtitej në qytet, pa folur. Askush nuk e dinte se ku flinte, a kishte familje, sa fitonte, ku i mbante lekët që fitonte. Ajo ishte simboli i gjithçkaje kontradiktore në botë.
Eshtë njëra nga tre gratë publike që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen time. E dyta është gruaja që në kohën e Revolucionit Francez përpiloi deklaratën për të drejat e grave. E çuan në gijotinë revolucionarët! E treta, gruaja që në fund të shekullit të 14 - të shkruajti tekste dhe poezi ku hidhej poshtë me fakte supremacia e burrave ndaj grave.
Të tjerat janë disa shkallë poshtë tyre. Liza e Qymyrit është midis këtyre tre grave. Prindërit trembnin fëmijët e vegjël kur këta nuk silleshin mirë ose kur nuk hanin ushqimin : Do t’i them Lizës të Qymyrit të vijë!!! Kur dikush ishte bërë pak pis, i thoshin me tallje : Si më je bërë si Liza e Qymyrit!!!
Ecte rrugëve të qytetit dhe nuk ndihej, por të gjithë kishin nevojë për praninë e saj madhështore duke shtyrë karrocën e saj si një Zhanvalzhan i kohëve tiranase. Të gjithë e ndjenin pranë, por bënin sikur nuk e shihnin. Ndofta nga turpi sesi një shoqëri mund ta linte ashtu një grua.
Nuk besoj se ishte as e metë dhe as e çmendur. Sillte siguri në ndërgjegjen kolektive. Të gjithë ishin të kënaqur sepse e masnin veten dhe gjendjen e tyre me atë të Lizës të Qymyrit. Flokët e shtrirë si presh. Vetullat e trasha. Trupin e shkurtër, por të ngjeshur. Këmbët e mëdha futur në disa opinga të sheshta me shoje meshini. Vishej me pantallona shpesh dhe mbi to një fustan me pala. Veshje e paparë gjëkundi.
Kokëulur, por ato pak vetura që qarkullonin i hapnin rrugë. Ajo ishte mbretëresha e punës. Askush besoj nuk i tha një fjalë inkurajimi a lajkimi sikurse bandillët u thonë grave që kanë nevojë për to. Liza e Qymyrit ishte nyje paradoksesh. Emri i saj ishte perëndimor. Nuk dihej nga vinte. Po ta krahasoje me emrat e grave të tjera të kohës, ca emra fatosesh dhe pioneresh, ca emra sofikash, e myftijesh, emri i Lizës ishte një yll që ndriçonte mbi gjithçka. Ishte Perëndimi në gojët tona.
Edhe Lizë edhe e Qymyrit.
Emri dhe mbiemri që kurrë nuk rrinin bashkë. Liza dhe Qymyri – dy vlera të pabashkueshme. Një Lizë që e kishin vendosur në vend të kalit.
Pastaj ishte qymyri, një lëndë e parë që ende nuk njihet në qytetet tona. Nuk dihet se ku e çonte, kush e donte. E donin farkëtarët, ngroheshin familjet me soba qymyri??? Gjithçka ishte dhe mbeti mister.
Mbi të gjitha ajo nuk jepte asnjë moshë. Ishte si një statujë që lëviste rrugëve të qytetit. Nuk foli kurrë. Fliste me figurën e saj madhështore. Nuk dihej se kush e paguante, ku e gjente qymyrin, a kishte një vatër apo jo? Ka gra që llomotosin por një punë nuk dinë të bëjnë. Ose janë të afta vetëm për kurthe, sharje, prapaskena, gënjeshtra, llomotitje pa kuptim, fjali të gatshme të dëgjuara diku, por jo për punë.
Liza e Qymyrit nuk ishte veçse një qenie pune, pa fjalë. I çuditshëm fundi i saj. Aty nga fillimi i viteve 80, në histerinë e vrasjeve të armiqve, doli fjala se Liza e qymyrit paskësh qenë agjente e huaj. E kishin arrestuar. Me siguri një thashethem nga ata që ushqehen nga deliri dhe ankthi kolektiv. Por, Liza nuk u pa më në qytet. U zhduk. Dhe njerëzit që harrojnë shpejt, megjithatë kujtoheshin për të : Ore, e keni parë më Lizën e Qymyrit! Qyteti kishte humbur një nga personazhet e vet më të njohur dhe autentikë.
Sa do të doja që përmendorja e saj të ngrihej në ndonjë shesh të qytetit sikurse edhe e Saçit, e Li Pazarit, etj., njerëz të punës, dhe të gjithë të vinin një lule në këmbët e tyre, si shenjë e protestës ndaj famës idiote të personazheve të sotëm, blerë me korrupsion ose pushtet.
Ashtu ka qene, SIC e pershkruan ti. Ne vitet 1956-1963 e shikoni cdo dite tek terhiqet karrocen Ne rrugen e barikadave. Ashtu, e lodhur, pa fjale, gjithenje ne pune.
Domethene se Liza e qymyrit ishte perfaqesuesja me e denje e Diktatures se Proletariatit, heroina?!
Shkrim i sterzgjatur dhe i dobet, pavaresisht qellimit te mire te autorit per ti bere homazh njeriut te punes, sidomos ajo pjesa ku sipas autorit pamja fizike reflekton karakterin. Krej ndryshe psh. e trajton V.Hygo lidhjen misis karakterit dhe pamjes fizike. Tek romani Katedralja e Parisit sherbetori i Kishes ishte ku e ku me shpirtbardhe se prifti Klod Froloi ndonese pamja Kuazimodos te linte pershtypjesn e nje perbindeshi dhe Froloi ishte simpatik.
Nga fundi rruges Islam Alla tek Sferdellt ishte nje rrugice qe lidhesh me rrugen Him Kolli, ne mes te kesaj distance ishte nje ndertese , dikur ndonje depo apo diçka e tille, e lyer me gelqere e rrjepur, nje porte derrase me shume e shkateruar e qe rrinte hapur e kur kalonim aty shikohej brenda kodra qymyri e nje qoshe e rrthuar me ca derrasa dukesh nje a dy dysheke per toke, ku ishte dhoma gjumit e Lizes dhe sa me kujtohej kishte dhe nje djale , karroca gjate dites dukej shpesh e parkuar para portes, por çudi se nga shumica e njerezve dhe ne te vegjlit nuk thoshim asnje fjale, a nga respekti i te medhenjve apo nga frika, se ajo vinte ne oborret tona e na furnizonte me qymyr per mangallin e ngrohjes! Nuk e mbsj mend te tallej ndonje me Lizen, vetem e shikonim e thoshim me ze te ulet mbaje lojen me top se po kalon Liza, e ndonjehere ishte dhe djali, mbase quhej Tom!
Por pushtuesit e pas 1990 do tē tureen se ata nuk e dinē pēr kē flet.Si nē fabulēn e La Fontenit “Dielli”.Liza me Gzim kulufin ishin mē interesante se te gjitha foristradat e drogēs marrē bashkē pas 1990. To the happy few.
As mos prit te behet ndonje skulpeture.As mos prit te vendoset ndonje emer rrugesh per te.Sot do te shohim gra dhe vajza moderne qe rrine, kapardisen lokaleve duke pire koka kola dhe cigare malbore.Monomente do te ngrihen per ato femra qe me veshjet dhe sjelljet e tyre habisin miletin,stimulojne sexin si rastin e ministrit te kultuer te qeverise Berisha apo ajo e k. Bashkise Kukes.Per mua kane nderim ato gra qe punojne Ndermarrjen e pastrimit te qytetit qe duke punuar e mbajne koken larte dhe ushqejne familjen me djersen e ballit dhe ajo me djersen e b.
Ne kohen qe po lexoja kete tregim te them te pa krahasueshem ne lookin e vet te pershkruar me kaq vertetesi dhe ngrohtesi te cilit nuk mund ti shtoj me teper nuk e di por mu kujtuan edhe figura te tjera do te thoja kaq te thjeshte dhe njekohesisht te pa krahasueshem si Saci I pa krahasueshem ne punen qe bente I holle I gjate qe punonte sa per tre vete por gjithmone I qeshur qe nuk ka lene rruge te Tiranes pa shtruar.Shume flm profesor per emocionet qe me dhe dhe jam I sigurte qe edhe shume te tjere si une ju falenderojme. Ju uroj jete te gjate dhe te qete.Me respekt nga Florida.
kesaj radhe e ke qar o profesor
Super shkrim. Edhe une e mbaj mend Lizen.. ngeli si shprehje 'je bere si Liza qymyrit' ! I ndrite shpirti atje ku eshte.
Ne te vetmin rast qe te them ok !
Percaktimi me real e korrekt per "Lizen e Qymyrit" eshte komenti i Kostes (Nga fundi rruges Islam Alla tek Sferdellt ishte nje rrugice qe lidhesh me rrugen Him Kolli, ne mes te kesaj distance ishte nje ndertese , dikur ndonje depo apo diçka e tille, e lyer me gelqere e rrjepur, nje porte derrase me shume e shkateruar e qe rrinte hapur e kur kalonim aty shikohej brenda kodra qymyri e nje qoshe e rrthuar me ca derrasa dukesh nje a dy dysheke per toke, ku ishte dhoma gjumit e Lizes dhe sa me kujtohej kishte dhe nje djale , karroca gjate dites dukej shpesh e parkuar para portes, por çudi se nga shumica e njerezve dhe ne te vegjlit nuk thoshim asnje fjale, a nga respekti i te medhenjve apo nga frika, se ajo vinte ne oborret tona e na furnizonte me qymyr per mangallin e ngrohjes! Nuk e mbsj mend te tallej ndonje me Lizen, vetem e shikonim e thoshim me ze te ulet mbaje lojen me top se po kalon Liza, e ndonjehere ishte dhe djali, mbase quhej Tom!, qe perkon rreth viteve '53---'63(Kasem Gahinji,1 Shkurt 2026, "Ne vitet 1956-1963 e shikoni cdo dite tek terhiqet karrocen Ne rrugen e barikadave. Ashtu, e lodhur, pa fjale, gjithenje ne pune".) Mesa mbaj mend une, prinderit e mij, kishin respekt per Lizen e Qymyrit, kur na sillte neoren e caktuar, ne shtepi ne Rr. e Kavajes, thesin me qymyr. Ne ato vite ne shkollen Luigj Gurakuqi, nje nga arsimtaret, kolege e nenes time po arsimtare, ne bisede e siper, per "Lizen e Qymyrit", thoshte qe, Liza vjen nga nje familje me tradita nga Veriu, ne mos gaboj e shkolluar, qe kishte ardhur ne Tirane, e punonte kete pune te rendomte e pa identitet, per mbijetese( ne mbrojte te djalit). Ne Tiranen, pas vitve 1945 e deri ne vitet 1965.., erdhen shume familje e persona, qe t'i shpetonin perndjekjeve, ne rrethet e tyre, ku persekutimi kryesisht, per aresye qendrimesh te mbajtura gjate Luftes Nac-Clirimtare, apo familjeve te damkosura si "Kulake". Vetem une, mesa kujtoj, familje nga rrethi i Dibres, me mbiemrin Qerimi, nga rrethi i Korces, me mbiemrin Pirgu, e Bujari, shume e shume te te tjere,......!
Shume pershkrim i bukur dhe i ndjere
Profesor,duket kur njerzit moshohen,kane nostalgji per gjithcka qe kane perjetuar prej lindjes e deri sa vijne ne moshe madhore.Ke bere mire qe e kujtove lizen edhe une e mbaj mend mire se nje brez jemi.Un kam lindur rritur qender Tirane afer furrit xhep balles kete pune qe bente liza e kane bere dhe dy vellezer qe quheshin ndoc dhe rroku.Te dy gjith diten punonin me karroce nxirnin jetesen me kete pune.Me kujtohet se kur kishin fituar mire lek vinin e pinin birra me qofte te nje birrari e vogel e lagjes tone qe punonin vllezrit kodra dhe me pas flinin ne karrocat e tyre qe i parkonin ne rrugicen tone afer ish librari flora.Kohet e fundit kryeministri yne ka filluar ti permende shpesh kohet e fundit me fjalen Noc Rokun keni per te mare.A din gje profesor a ka lidhje fjala e tij me vellezrit noci dhe rroku qe mbreheshin ashtu si thua ti ne karroce si kuaj per te nxjere buken e gojes.Cila eshte merafora e kesaj fjale qe perdoret nga populli por qe kryeminustri jone e ka per zemer per ta perdorur shpesh sidomos kohet e fundit.
Respekt per njerezit e punes ! Shkrim shume i ndjere! Flm!!