
Gjëndja dhe standartet e rrugëve bëhet temë e debatueshme, sa herë bie fjala për zhvillimin e duhur ekonomiko-shoqëror të vendit tonë, edhe për faktin se ne trashëguam nga e kaluara një infrastrukturë të pazhvilluar dhe mbi të gjitha, të papërshtatshme për nevojat që kërkon një ekonomi e tregut të lirë.
Faktet kanë provuar, se vendet me infrastrukturë moderne, të sigurt dhe efiçente janë më produktive dhe më konkurruese në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Për pasojë qytetarët e këtyre vendeve gëzojnë cilësi më të mirë jetese, e cila buron prej rritjes ekonomike. Parimisht, për t’u përballur me kërkesat gjithmonë në rritje, që shkaktohen prej shtimit të popullsisë, urbanizimit dhe rritjes së përdorimit të automjeteve, infrastruktura rrugore duhet të zgjerohet dhe zhvillohet. Në kushtet e qeverive të përgjegjshme, gjithëçka varet nga mundësitë reale të buxhetit financiar për të kryer investime publike të kësaj natyre, të cilat përveçse janë të kushtueshme duan dhe kohë të realizohen. Për qeveritë e këtyre vendeve ndërtimi i infrastrukturës rrugore: “Është një investim që ka një efekt shumëfishues në të gjithë ekonominë, duke krijuar përfitime të qëndrueshme ekonomike, sociale dhe mjedisore”. Aq e vërtetë është kjo, sa që ndarja në zona të pasura dhe zona të varfëra, përcaktohet drejtpërdrejtë nga gjëndja e infrastukturës rrugore të tyre. Por periudha jonë e tranzicionit është karakterizuar hera – herës nga qeverisje tejet të papërgjegjshme, dhe shpesh, aspak vizionare në këtë drejtim. Duke përjashtuar disa investime serioze në infrastrukturën rrugore, në shumë raste ka diktuar strategjia politiko – elektorale apo “këshilla të huaja” hileqare…
Në tetor të vitit 1999, me ftesë të ish - ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Ahmet Okçun, më është dhënë mundësia, që në përbërje të një grupi intelektualësh dhe zyrtarësh shqiptarë, të zhvillojmë një vizitë disa ditore në Lefkosa të pjesës veriore të Qipros. Në përbërje të këtij grupi ishte dhe ish-ambasadori ynë Skënder Shkupi, nga bisedat e ndryshme me të cilën, më ka mbetur ndërmend edhe sot pas 23 vitesh, një këshillë “dashamirëse”, që i kishte dhënë homologu i tij grek, Aleksandër Filon (në atë kohë ambasador në Uashington), lidhur me investimet për infrastrukturën rrugore në Shqipëri: “Juve nuk ka ç’u duhet autostrada. Ja, ato rrugë që keni zgjerojini pak, shmangi ca kthesa të tepërta, hapni ndonjë tunel dhe kaq mjafton”(!?) Ndërkohë, gjatë qëndimit disa ditor në Qipron Veriore, pashë që në atë vend të vogël, me sipërfaqe gati sa Qarku i Tiranës dhe Durrësit kishte autostrada dhe rrugë bashkëkohore, dy herë më shumë se sa në vendin tonë dhe në asnjë rast nuk mund të shoh të konkretizuar këshillën e mësipërme.
Por pavarësisht kontekstit dhe qëllimit të kësaj “këshille diplomatike”, të treguar si një bisedë e zakonshme, teksa po udhëtonim rrugëve moderne të Qipros Veriore, perifrazimin e bëra për t’i hapur udhë një propozimi modest me temën e infrastrukturës rrugore në zonën qëndrore – jugore të vendit tonë.
Natyrisht ka rrugë të vjetra, të trashëguara nga sistemi monist, që mund të rikonstuktohen sipas këtij “standardi”, por gjithësesi, në vitet e Demokracisë, nuk mund të shmanget ndërtimi i autostradave dhe korridoreve të gjera rrugore, në funksion të zhvillimit të duhur ekonomik-shoqëror të vendit tonë. Kjo ide mund t’i shkojë shumë mirë për shtat, fjala vjen, investimit që parashikohet të realizohet për rivitalizimin e aksit rrugor Berat – Ballban (Këlcyrë), duke planifikuar, sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, një ndërhyrje të thellë në gjurmën ekzistuese për t’a rikthyer këtë aks në funksion të plotë. Nga ana tjetër, me pikënisje Beratin, është lançuar kohë më parë edhe ndërtimi i një rruge të re, asaj Berat – Memaliaj, si pjesë e “Boshtit të Jugut” (Tiranë – Elbasan – Kuçovë – Berat – Memaliaj – Kardhiq (Gjirokastër) – Sarandë).
Këto dy segmente rrugore (njëra projekt-ide), pasi fillojnë, njëri tek Ura e Goricës dhe tjetri tek Ura e Velabishtit në Berat, ecin pothuajse paralelisht, në një distancë që nuk shkon më shumë se 7-8 km midis tyre, me destinacion final Këlcyrën dhe Memaliaj. Distanca e Rrugës së Vjetër është diku tek 90 e ca km, kurse e rrugës së re parashikohet sa gjysma e së parës. Por megjithëse kalojnë kaq afër njera – tjetrës, qëllimi i ndërtimi të rrugës së re është kryesisht turizmi bregdetar dhe ai kulturor i Sarandës, ndërsa qëllimi i rikonstuksionit të rrugës së vjetër, përveç turizmit është edhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i një zone të tërë nga brigjet jugore të Osumit deri në brigjet veriore të Vjosës. Po t’i referohemi konfigurimit gjeografik të territorit, zona e mësipërme, pozicionohet në pjesën më të gjerë lindje – perëndim, dhe në mënyrë figurative, i ngjan një rasti “shtatzanie”, që duhet të (ri)lind nga një investim i tillë infrastukturor. Kësisoj në këtë “humbëtirë” të deritanishme, midis Beratit, Skraparit, Ballshit, Memaliajt, Këlcyrës e Përmetit në qindra kilometra katrorë; do të rilindin njerëzit, do të rilind ekonomia, do të rilind jeta në përgjithësi.
Bëhet fjalë për segmente rrugorë, që do kalojnë në atë pjesë të terriorit ku, siç thamë më lart, gjerësia gjeografike e vendit tonë është në maksimum; pra nga Korça në Lindje tek Karaburuni në Perëndim. Nga ana tjetër, duhet mbajtur parasysh edhe fakti, që zona në të majtë të rrugës ekzistuese “Berat-Këlcyrë” apo e konsideruar ndryshe si aksi i zonës “Skrapar-Përmet”, është e palidhur me rrugë të standarteve bashkëkohore. Kjo është një zonë e gjerë me resurse të shumëta kulturore, ekonomike dhe natyrore, e përcaktuar si e tillë shekuj më parë. Ky investim infrastukturor është me një interes të madh ekonomiko-financiar jo vetëm për turistët, por edhe për sipërmarrësit privatë, fermerët e këtyre zonave, qytetarët në përgjithësi, pse jo dhe për emigrantët tanë në shtetin grek dhe më tej. Efekti ekonomiko-social është i gjithanshëm për turistin, fermerin, tregtarin, shoferin qytetarin e zakonshëm sa nëpërmjet uljes së kostos së prodhimit dhe shërbimeve, aq dhe nëpërmjet nxitjes së interesit për t’u rikthyer në zonat e braktisura me ngut për arsye të mungesë së rrugëve e largësisë tmerruese nga qytetet dhe tregjet. Ka mundësi që pas ndërtimit të infrastukturës së duhur rrugore; beratasit, skrapallinjtë, memaljotët, përmetarët, etj., të braktisin “Omonian” e Tiranës apo “tregtinë e bananes” dhe të rikthehen në zonat e tyre për të zhvilluar ekonominë tradicionale, atje ku është e mundshme të bëhet në mënyrë të suksesshme një gjë e tillë, duke ndaluar kështu edhe hemoragjinë 30-vjeçare të migrimit fshat – qytet. Natyrisht, ky segment rrugor nuk ka fuqi çudibërëse, në rast se shteti dhe qeveria nuk ndërhyjnë me masa dhe politika të caktuara mbështetëse për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të këtyre zonave. Por ndërtimi i kësaj rruge dhe asfaltimi i rrugëve rurale të fshatrave përreth, së bashku me ngritjen e rrjetit të caktuar të shërbimeve të tjera urbane janë kushte të mjaftueshme për t’iu rikthyer punës dhe pronës së të parëve të tyre për këta banorë shetitës. Askush të mos mendojë se në këtë mënyrë po bën një kthim të turpshëm prapa, përkundrazi po i rikthen dinjitetin vetes, në lidhje me mohimin e punës tradicionale. Mbase banorët ruralë në Budapestin e para disa viteve mund të kenë qënë në kushte shumë më të mirë punë e jetese në kryeqytetin hungarez se sa tanët, po kur u krijuan kushtet edhe nëpërmjet kredidhënies shtetrore për binzesin bujqësor, jo pak por më shumë se 250-300 mijë vetë braktisën kryeqytetin dhe shkuan në fshtarat e tyre prej nga kishin ardhur për të zhvilluar, sipas kushteve të krijuara, fermat e reja bujqësore.
Por problemi i mosinvestimit të deritanishëm lidhet me faktin, se dobia ekonomiko – sociale e ndërtimit të infrastukturës së duhur rrugore në këtë zonë është disa herë më e madhe se dobia elektorale, ndaj gjithëçka ka ngelur në kuadrin e premtim – mosrealizimit. Deri para 10 vitesh, nuk kishte fushatë elektorale që të mos premtohej ndërtimi i segmentit rrugor Berat – Memaliaj, si pjesë e “Boshtit të Jugut”. Madje u skicua dhe gjurma ku do të kalonte ky projekt, pak a shumë në gjurmët e “hekurudhës së Enverit”. Siç dihet, në vitet ’70 ka qarkulluar ideja për ndërtimin e një linje hekurudhore nga Lushnja nëpërmjet Beratit deri në Memaliaj, me qëllim uljen e shpenzimeve të transportit për qymyrgurin, i cili ishte një ndër produktet më të rëndësishme ekonomike të asaj kohe. Por megjithëse pati disa ekspedita specialistësh të fushës së projektimit dhe ndërtimit të veprave infrastrukturore, asgjë nuk u materializuar në formën e skicë-idesë apo projektit paraprak për segmentin hekurudhor “Berat-Memaliaj. Sipas gojëdhënave, kjo vepër infrastrukturore do të shtrihej përgjatë luginës që krijon përroi i Plashnikut, ku nëpërmjet një tuneli gati 5 km në qafën e Rabies kthehej paralel me rrugën e hapur për shfrytëzimin e minierave të qymyrgurit nga fshati Izvor deri në qytetin e Memaliajt. Nuk dihet gjë nëse ka patur mendime, që paralelisht me këtë segment hekurudhor të ndërtohej dhe një segment rrugor automobilistik, por kjo s’ka asnjë rëndësi tani, përderisa asgjë s’u bë konkrete. Kjo ide u shua si flakë kashte në fillim të viteve ’80, për të dalë në skenë në vitet e demokracisë dhe të pluralizmit, në kuadrin e projekt idesë për “Boshtin e Jugut”.
U bë gati një dekadë që për këtë projekt nuk po flitet më as në fushata elektorale. Këto 2-3 vitet e fundit ka dalë në skenë projekti i rikonstruksionit të rrugës së vjetër Berat – Tërpan – Buz - Ballban – Këlcyrë, ndërtuar këtu e një shekull më parë për qëllime pushtimi nga ushtria italiane e kohës së Duçes. Madje thuhet, se projekti është gati dhe investimi mund të filloj së shpejti.
Por duke qënë se kjo rrugë do ndërtohet në kushtet e konkretizimit të shprehjes: “më mirë vonë se kurrë”, projekti duhet të marrë në konsideratë harmonizimin e oportuniteve lokale me ato kombëtare në një zonë sa më të gjerë, në interes të sa më shumë banorëve. Në këto kushte një zgjidhje optimale mund të ishte shkrirja e këtyre dy projekteve në një të vetëm. Pak a shumë mund të rikthehet në skenë, me disa ndryshme, ideja e inxhinier Xhevair Ngjeqarit, hedhur kohë më parë për segmentin rrugor Berat – Memaliaj, i cili e shmangte ndërtimin e tunelit në qafën e Rabies duke e zëvëndësuar atë me “…hapjen e qafave të vogla me thellësi që shkojnë 200-300 m, në formë huseku apo govate për t’iu shmangur ndërtimeve të vështira të natyrës së tuneleve”, dhe që e zhvendoste gjurmën e rrugës së re shumë afër kësaj të vjetrës. Ai e argumentonte këtë ide me faktin se Berati dhe Memaliaj ndodhen në një vijë të drejtë, dhe nuk ka pse të krijohet një trekëndësh këndëdrejtë në Qafën e Rabies, duke e zhvendosur kështu gjurmën e ndërtimit të rrugës në “hipotenuzën” e tij. Dhe kush është “hipotenuza”? Është segmenti që fillon në Velabisht, tek ura e re e ndërtuar mbi Osum, vazhdon në krahun e djathtë të rrjedhjes së përroit të Plashnikut për rreth 17 km, pastaj kthehet majtas lart, mes për mes Pyllit të Ballollit për të dalë gati 3 km këtej fshatit Tërpan në anën veriore të Malit të Nishanit. Prej këtu nëpërmjet një “huseku” apo “govate”, siç thotë inxhinier Ngjeqari, delë në Çorogjaf, anës lindore të Malit të Nishanit dhe vazhdon në krahun e majtë të rrjedhjes së lumit të Shalsit, duke kaluar në fshatin Panarit, Selckë e Madhe për të përfunduar disa metra poshtë qafës së Kiçokut. Prej këtu nëpërmjet një “huseku” apo “govate” tjetër në luginën që ndan fshatrat Kurtez dhe Arrës të Bashkisë Memaliaj, rruga vazhdon poshtë fshatrave Arrëz dhe Maricaj për të dalë në qafë të Miricës, të cilën e ndan me Memaliajn vetëm lumi Vjosë. Në këtë itinerar, rruga “Berat-Memaliaj” mund të jetë më pak se 50 km e gjatë, përveç se shtrihet në një terren më të qëndrueshëm, ndryshe nga ai i luginës së përroit të Plashnikut dhe lumit të Luftinjës, për shkak të gërrmimeve të shumta minerare në këtë zonë. Si një argument i paqëndrueshmërisë së kësaj zone mund të kujtohet dhe tërmeti i viteve ’70 për rrafshimin e fshatrave Izvor e Rabie, të ndërtuar si “fshtara të rinj socialist” nga qeveria moniste. Nga ana tjetër, duke e zhvendosur rrugën “Berat-Memaliaj” nga “katetet” tek “hipotenuza” e trekendëshit të qafës së Rabies, krijohet mundësia që nëpërmjet një “huseku” apo “govate” në qafën e Kiçokut për të dalë në Ballaban, Përmeti afrohet me Tiranën në të njëjtën distancë që do të ketë edhe Tepelena nga kryeqyteti. Ndërkohë mund të krijohet mundësia që rrugën “Berat-Memlaiaj” ta shfytëzojë për të shkuar në jug apo në kryqytet edhe Skrapari, nëpëmjet një degëzimi rruge që mund të devijohet 90 gradë majtas në afëri të fshatit Panarit të Beratit, një distancë kjo jo më shumë se 20 km. Sidoqoftë kjo alterantivë kërkon studime të thelluara, por kam bindjen se ajo mund të kushtojë sa gjysma e kostos që do të kërkonte varianti me tunel me qafën e Rabies, përveçse mund të kishte edhe një efektivitet shfrytëzimi disa herë më të lartë për ekonominë e vendit tonë. Ndërkohë fshatrat në gjurmën e rrugës së vjetër mund të lidhen nëpërmjet rrugëve ekzistuese, pas rikonstruktimit të tyre, në të dy anët e rrugës së re.
Mund të ketë dhe zgjidhje të tjera, si fjala vjen, që huseku i parë të zhvendoset afër fshatit Rehovë, domethënë në perëndim të Malit të Nishanit, për të kaluar pastaj mes për mes fshatit Selckë për të mbërritur tek huseku e dytë i madh në afërsi të Rozecit, midis fshtarave Kurtez dhe Arrëz. Problemi është që gjithësesi duhet shmanguar gjurma ekzituese nga Droboniku në Tërpan apo Rehovë, pasi përveç distancës prej gati 35 km rrugë, kjo rrugë i shërben vetëm fshatit të Zhitom të Beratit, me 4-5 shtëpi të mbetura aty. Deri në afërsi të Tërpanit apo Rehovës, gjurma e rrugës duhet të kaloj në anën e djathtë të përroit të Plashnikut, ku distance e saj nuk shkon më shumë se 20 km, sa gjysma e segmentit të rrugës së vjetër Berat – Tërpan apo Berat – Rehovë.
Duhet ndertuar segmenti Korc ,Sofra kolonjare Mailind Komar Krahes Kalivaç Shkoze Drashovic Vlore 60 deri 80 km ekonomi sjellse e lidhet Lindje - Perendim
Me pelqen nje analyze dhe studim I thelle nje open mind dhe red flag per pushtetaret per benifitet qe sjell kjo rruge shpresojme te behet nje dite La te bier Ky sinjal alarmi ne veshe te atyre qe kerkojne vota dhe te mos ta lene ate zone pasdore sic kane bere deri me sot Bravo Feti keep going
Me pelqen nje analyze dhe studim I thelle nje open mind dhe red flag per pushtetaret per benifitet qe sjell kjo rruge shpresojme te behet nje dite La te bier Ky sinjal alarmi ne veshe te atyre qe kerkojne vota dhe te mos ta lene ate zone pasdore sic kane bere deri me sot Bravo Feti keep going