
Nga Bajram Peçi
Të frymëzon protesta e veteranëve të luftës për liri që u organizua në Prishtinë. Ishte NATO që i dha zgjidhje konfliktit, por, për sa dëshmuan këta luftëtarë, duhej të kishin mirënjohjen për luftën e tyre, respektin për të rënët dhe sakrificat që kryen për të mbrojtur fëmijë, gra e pleq prej egërsisë brutale serbe.
Ndërsa krimi bënte kërdinë ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare që kryhej prej ushtrisë dhe policisë serbe; ndërsa e shpërqëndruar në “hallet” e saj Europa ndiqte shpërfillëse zhvillimet e ngjarjeve që përshkonin Kosovën e fillim viteve ’90, mijëra bij e bija të Kosovës zgjodhën luftën e armatosur kundër pushtuesit të egër sllav. Mes tyre u ndodhën për të mbrojtur lirinë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Për pak kohë mbushin 5 vjet që ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, vëndi ku ndodhen këta ish udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I akuzon për “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Nuk duhet patjetër të lexosh dosjet voluminoze të prokurorisë (një pjesë prej të cilave kanë shkuar përmes kanaleve “Inkonjito”, të furnizuara kryesisht prej shtetit të Serbisë), për të kuptuar se me “Ndërmarrje e përbashkët...” s’është përpos se organizimi i luftës për çlirim nga skllavëria serbe.
Ndërmarrja për liri, qënka “kriminale” dhe krerët e saj patjetër, sipas tyre, duhet të jenë kriminelë! Fillimisht këtë platformë arsyetimi e ushqeu Rusia, e pranoi Serbia si armë, investuan fonde, rekrutuan e paguan, organizuan makinerinë mediatike, “gjetën” e ngritën shtëpi të verdha, korruptuan ku mundën, deri sa ja bënë të mundur ta institualizonin. Në këtë kurth ra, Europa po se po, por dhe SHBA-ja.
Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë! Ngeli brënda saj kur Turqia, në kohën kur i ishte zgjidhur ushkuri i shallvareve, e braktisi në dorë të sllavëve, të cilët ushqeheshin e rriteshin në Ballkan nën sqetullën e kujdesin e nënës Rusi. Që prej mbretërisë serbe e deri te republika federative, Serbia ishte mbështetur për sundimin e saj në Kosovë tek ushtria, për të mbajtur atë që u ishte premtuar: Kosova do jetë Serbi-Kosova është Serbi”.
Ushtria kurrë nuk u largua nga Kosova, sepse dihej që ky popull nuk kish asnjë lidhje me gjuhën, kulturën, zakonet dhe bashkëjetesën me sllavët. Gjithë shteti jugosllav, Akademia e Shkencave dhe Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve, Lidhja e Luftëtarëve etj., nën udhëheqjen e komunistëve serbë, i akuzonin shqiptarët si “Element të pasigurt dhe të rrezikshëm” për stabilitetin jugosllav. Përmes sundimit barbar shpresonin se do t’i shfarrosnin. Kundër shqiptarëve, sipas tyre, vetëm ushtarët e armatosur deri në dhëmbë do bënin punë!
Për 70 vjet, atdheu i shqiptarëve të Kosovës u nënshtrua në mënyrë mizore. Bijtë e Kosovës, që ndodhen paradoksalisht ende në proces hetimi, presin në qetësi e durim zhvillimin e procedurave burokratike, që kryhet në Hagë nga një ushtri punonjësish gjyqtarë, prokurorë, roje-prokurorë, të gjithë me paga të majme, të cilat dyshoj se do dëshironin t’i kishin sa më gjatë. Le të zgjasë pra ky hetim e gjyq se rasti nuk do ju nxjerrë më në shteg një të tillë gjah!
Formacionet e bijve e bijave të Kosovës ishin atë kohë gati të bënin çdo sakrificë për atë që e konsideronin si të drejtë dhe të vërtetë, për idealin, për Kosovën e lirë dhe popullin e saj në liri. Motivi që i udhëhoqi ka brumosur te qenja e këyre katër të paraburgosurve legjendare se çfardo që do vendosi për fatin e tyre arroganca e të fortit, ia vlen ta përballësh si në luftë, sepse mjafton që vendin e tyre e kanë dhe e shohin të lirë nga barbarët!?
Kosova, shqiptarët, kanë patur shumë miq europiane dhe amerikanë. Ata shihnin te lëvizja për çlirim një besim, vetë simbolin e luftës mes së mirës dhe fuqive të errësirës. Kanë qenë disa dhjetra publicist, por dhe emra të shquar politikanesh që e shihnin qartazi se serbët, si shtet dhe popull, nuk e pranonin dhe nuk donin ta njihnin konceptin e njesisë, të lirisë, pa le më atë të pavarësisë, qoftë dhe si njesi brënda federatës. Ishin edhe ata që rritën te populli shpresën për një Kosovë të lirë nga gjithçka serbe. Në këto rrethana doli UÇK dhe fatmirësisht, NATO, që si asnjëherë më parë mbrojti një popull kundrejt egërsisë së bishave.
Një bazë e lëkundshme interesash e drejtësie ka mbjellë një frymë të tillë pakënaqësie, natyrshëm të pa evitueshme, ndaj Gjyqit në Hagë. Ato po i trajtojnë të paraburgosurit si një organizëm shtetëror e jo si luftëtarë dalë prej një kryengritje spontane. Pa asnjë mandat, përveç asaj të dhënë nga përkrahja e përgjithshme popullore, që në fund të fundit vërtetonte ekzistencën e tij dhe të ndërgjegjes për forcën që kish guxuar të ngrihej kundër makinerisë së krimit serb. Sado që ata në Hagë mundohen, megjithë arsenalin e tyre të ndikimit në politikë dhe opinion, se nuk po gjykojnë luftën për liri, por krimet që kanë bërë, askush atdhetar shqiptar nuk i beson!? Për këtë kanë në krah dhe propagandën e parreshtur të Serbisë.
Kam bindjen që është e njohur për Gjykatën e Hagës se lufta për liri e popullit të Kosovës bashkohej me idealin e njëjtësimit dhe të bashkimit kombëtar. Do ketë qenë kjo arsyeja që tronditi opinionin kur nga trupi gjykues të pandehurit Jakup Krasniqi ju kërkua të heqi kravatën. Një dekor i vockël me shqiponjë e me ngjyrat e flamurit kombëtar të shqiptarëve, në Hagë, bahhh... nuk anashkalohet! Ju duket qesharake? Jo, nuk kish asgjë qesharake, vetëm se tragjedia ishte e pranishme!
Publicisti i njohur të cilit ja kam lexuar përherë me kënaqësi shkrimet përshkruar me ironi e sarkazëm, z. Lutfi Dervishi, në një status tipik të tij, më bëri të qesh me shpirt kur hamendësonte nëse “Haga” do e pyesi Hashim Thaçin e shokët e paraburgosur, nëse për automatikun që mbante kishte leje nga Millosheviçi? Ngjashëm, edhe urdhëri për të hequr kravatën, që me siguri ka qëllim të poshtëroj të pandehurin, i kapëxen muret e gjykatës, hyn në territor politik, që dikujt i intereson.
Pyetja që duhet bërë patjetër: A është e përjashtuar vallë kjo Gjykatë Speciale, multietnike, nga ndikimi prej Rusisë imperialiste?Rusia, streha serbe, ka potencialin ekonomik e sidomos teknologjik të ndikojë në politikën europiane. Europa dihet që e ka frikë, dridhet ngase do i prishet qetësia, ekonomia, mirëqenja, sidomos tani që Trump i la vetëm, ndaj dhe mendon rekrutimin e detyrueshëm ushtarak. A ishte Europa e aftë të kufizonte ndikimin e Rusisë te zgjedhjet në Gjeorgji, në Rumani, në Maqedoni, në Moldavi dhe Hungari? Aspak! Rusia është e aftë, pavarësisht luftës që po bën me Ukrainën, të ndikoj e të përmbysi, ndaj pse dhe gjithë zinxhiri drejtues i UÇK-së u duhet në burg? Të gjithë këta drejtues që morën në sy rrezikun të rrëmbejnë armët ndaj Serbisë, që kishin filluar e po zbatonin ethshëm shfarrosjen e një race tjetër përmes genocidit, i duhen Gjykatës Speciale në burg, sepse të tillë i duhen Rusisë e Serbisë. Duke i mbajtur në burg, në një farë mënyre, orvatet të poshtëroj luftën e një populli, i etiketon, siç ka ndodhur rëndom, si terroristë.
Në Gjykatën e Hagës, ku me gjasa fliten të gjitha gjuhët, nuk arrin ta kuptosh dot theksin rus, as atë serb, as atë francez! Prokurori dhe gjykatësi, është i aftë të luajë me peshoren drejtësi sipas interesave politike. Qoftë dhe me ngjyrat apo siluetën e një shqiponje e cila është fyese për trupin gjykues.
Genocidi i ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët e Kosovës, mbi boshnjakët muslimanë, me synim shfarrosjen e tyre, nuk do harrohen asnjëherë! Tmerri që Serbia e serbët u shtinë përmes armëve popujve të tjerë, kroatë, boshnjakë e sllovenë, kur lajmet që vinin prej tyre ishin kryetituj gazetash në botë dhe lufta cilësohej si më shtazarakja, pas Luftës së Dytë Botërore, janë ato që historia botërore ka shënuar. Gjykata e Hagës, nga gjithë krimet që ata bënë, veç sa gërvishi paksa. Askush nuk i hetoi në Hagë masakrat çnjerëzore në Reçak, në Krushë të madhe e Krushë të Vogël, në Rezallaj e Prekaz të Skënderaj, në Drenicë e Gjakovë, etj., ku pasojat janë ende të dukshme e të gjalla në memorien e popullit. Tani në Hagë, argëtohen me shpjegimet që u kërkohen dëshmitarëve: a ju vodhi UÇK këpucët; a hyri Hashimi me uniformë ushtarake, a ishin të armatosur?
Sipas të dhënave nga organizata Human Rights Watch, më shumë se 13.500 shqiptarë, fëmijë, gra e pleq u vranë prej ushtrisë dhe paramilitarve serbë, mbi 1500 të tjerëve nuk u gjenden trupat. Mijëra gra të përdhunuara u kryen nga forcat ushtarake, ato policore e paramilitarët serbë. Askush nuk u gjykua. Kjo nuk do të thotë aspak se Gjykata e Hagës nuk do i kushtojë vëmendje për disa ditë rresht dëshmive, ku rrëfehet hollësishëm se si u vra nga UÇK një shqiptar që bashkëpunonte në krime me serbët e ishte në shërbim të serbëve!
Në vitin 1999 genocidi ndaj shqiptarve të Kosovës ushtrohej aq hapur sa tmerroi botën e qytetëruar, por në Hagë nuk u pa ndokush prej urdhër-dhënësve të çohej e të vihej në bangon e të akuzuarit. Edhe Millosheviçi, që u çua atje e që ishte më së shumti për krimet boshnjake, vdiq i padënuar prej Gjykatës së Hagës. Nëpërkëmbja e luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, që Serbia ushqen ëndrra dhe mjete të ndodhë, nuk do ketë kënaqësinë ta shohi as Serbia, as ndonjë gjykatë dhe as ndonjë parti në Kosovë!
Mos stabiliteti politik dh shoqeror ne Kosove eshte skenar Serb.Fale ketu Albin Kurteve,Negmedin Spahive,Matosheve behet e mundur qe kjo gjykate e ngritur nga vete Kosova e financuar prej saj dhe nga kanale te erreta Ruso -Serbe sot mban peng trurin e Kosoves pa asnje argument vetem e vetem qe ky popull e ky vend te qendroj gjithnje vakant per ta riblere perseri Serbia.Kosova i çoi bijt e saj ne Hage qe sot te jete pa qeveri,pa kuvend dhe pa statusin vend i pavrur.Fale makinacioneve te Serbise me Rusine ia kane arritur qelimit te tyre e qe jane te pergatitur qe nje dite te mesyjne ne Kosove per ta ripushtuar ose per ta rivrare edhe nje here. Tubimi i kesaj proteste te orgnizuar prej veteraneve qe Kurti i ka lene pa komandante tregoi dhe nje here qe liria ka çmim. Kjo proteste duhet te organizohej ne Hage dhe jo ne Prishtinen pa Parlament,pa qeveri e pa statusi shtet i pamvarur,jo vetem prej veteraneve Kosovare por prej gjithe kombit Shqipetar me nje pjesmarrje qe zhurma te shkonte deri ne Moske dhe Washington. Eshte per tu çuditur qe me stilin e kesaj gjykate po vepron sot edhe SPAK ndaj te akuzuarve politike qe i mban te burgosur te kuzuarit jo deri sa tu gendet pafajesia por deri sa tu gjendet fajesia,me nje ndryshim qe kryeprekurori nuk eshte Amerikan por Shqipetar.