Nga Ben Andoni
Në një shoqëri të mëtuar demokratike, siç është ajo jona, çdo moment dhe administrim zgjedhor tregon stadin e saj real. Nuk mjaftojnë fjalët e politikanëve (në rastin tonë të Ramës dhe Berishës), por funksionimi i procesit të zgjedhjeve, pranimi dhe humbja e palëve, që të tregohet realisht se si do të jetë Shqipëria e Majit të vitit 2025. Qysh në momentin, që po flasim: polarizimi shoqëror në Shqipëri ka kapur nivele të larta. Mungesa e debatit publik mes partive kryesore në vend, ashpërsia e retorikës së formacioneve të reja politike (në emër të ndryshimit), pluralizmi i varfër politik dhe papërgjegjshmëria para situatës se ku ndodhet vendi është shqetësues.
Edhe pse fushata zgjedhore nuk ka nisur zyrtarisht, në terren ajo është drejt kurbës rritëse të saj. PD-ja ka angazhuar të gjithë njerëzit e saj në këtë moment, që ta mobilizojnë diasporën për të votuar. Hapi i dytë do të jetë për t’ua kanalizuar votën në qëllimin e tyre të fitores. PS-ja është më e tërhequr në këtë hap për diasporën, sepse e ka nisur, por po merret me ristrukturimin e partisë dhe mbi të gjitha për të zëruar çdo gjë dhe alternativë të kundërshtarëve të saj. Mungesa e Mea culpës është pothuaj një ligj mes tyre, që “prishet” vetëm nga Rama, kur e përdor edhe atë në gjuhën e tij për të përcjellë avantazhin e PS-së!!
Kjo gjuhë që vjen nga sipër politikës, amplifikohet në parlament (mbase legjislatura më e dobët në pas vitet ’90), ku taborët politike thjesht po reflektojnë gjuhën e mllefit të krerëve.
Ndërkohë polarizimi shoqëror, që ka sjellë kjo ndarje, ka bërë që debatet politike të mungojnë dhe të zhvillohen me asimetri përfaqësimi, ku mungon fillimisht pariteti i prezencës. Kundërshtarët kryesorë nuk i gjen kurrë përballë. Media e shton dhe lehtësisht mund të shikosh e kuptosh anësitë dhe interesat. Në këto kushte është gati hipotetike, që të krijohet një harmoni dhe integritet shoqëror dhe reforma, që të mbështeten nga të gjithë për interes të vendit.
Ndarja është njësoj si në kohën e socializmit: “Ne” (“shumica” që përcillte e diktuar dhe qorrazi politikat e PPSH) dhe “Ata” (armiqtë, që i shtypte Diktatura e Proletariatit), por paradoksi dhe zhgënjimi është se dy partitë kryesore, që e mbajnë domenin politik dhe e ushqejnë polarizimin shoqëror, duket se u volit kjo lloj gjendje. Gjuha e politikanëve e ushqen në mënyrën më të shëmtuar me denigrimin e kundërshtarit dhe është e kufizuar në shpalosjen e ideve politike. Dhe, kur has pak ide ato nuk debatohen por kalohet në ofendime të frikshme dhe denigrime.
Është hipotetike të besosh se duke përfituar nga gabimet e njëri-tjetrit, PS dhe PD do të ndërtonin një debat publik për Modelin e Ekonomik dhe të ardhmen e arsimit, që do të ushqente vendin në një nga pikat e saj më të dobëta?! Apo të punohej më shumë dhe në mënyrë të përbashkët për administratorët publikë, ata që do të merren me shtetin, që nuk është vetëm i PS dhe i PD-së?
Ne, si shoqëri, jemi të ndarë jo pse duam, por se kështu i takon këtij stadi të zhvillimit, që kemi arritur dhe ka mbetur deri këtu, ku një grusht njerëzish në politikë na manipulon thjesht për të marrë dhe të gëzojë të gjithë arritjet tona. Për fat të keq, kjo quhet utopi në Shqipëri, ndërsa ndarja shoqërore, që përcjell gjithë vendin, po i shtyn shqiptarët ta gjejnë veten…jashtë tij. (Javanews)
Keto gjera mund te ndodhin ne nje shoqeri normale e jo tek ne qe opoziten e drejton nje kafshe psikopate qe s'perfill asnje norme. Ky eshte edhe shkaku qe rezultatin e ketyre votimeve mund ta parashikosh lehte, pa u hedhur akoma vota
Sakte Beno, por nqs ka nje te drejte te vetme ramë-hajduti nga ana politike, eshte se thote “ me ke te bej dialog apo kujt ti drejtojem”. Ndersa sipas mendimit tim cdo gje fillon mga mosdashuria per vendin shtoh dhe qershine mbi torte, idotizimin.
Ben,të kam ndjekur dhe bën analiza të thella dhe objektive dhe me një stil të moderuar ku shumë pak,ose aspak gazetarë e analistë të tjerë e kanë. Edhe në këtë rast je i saktë në analizën tënde Ben edhe pse është pak për të bërë një analizë mbi këtë temë,por si gjithmonë pak e sak ,mjafton që thelbi është i qartë dhe ti e bën mirë këtë. Unë do thoja se një klasë politike ku partite kryesore janë në antagonizem per 34 vjet ,nuk mund të sillnin përveç se kësaj që shohim,polarizimin e shoqërisë,ndarjen,urrejtjen dhe armiqesine ndaj njeri tjetrit. Janë dy partitë kryesore PS-PD ,që luajnë teatër me ‘armiqësinë’ ndaj njëri tjetrit,por ‘armiqësia e vërtetë’ është injektuar në shoqëri,sepse ajo sot është aq e indoktrinuar,aq e frustruar,sa në jetën e ‘përcaktuar’ nga këto dy forca që kanë e kanë marrë peng ,nuk ka më liri dhe të drejta për qytetarët e saj,se nuk ka gara të drejta përfaqesimi,nuk ka meritokraci perfaqesimi dhe institucionale. Pikerisht kjo ndodh se dy partite kane kopsitur gjithcka bashke per te ndarë pushtetet,duke i uzurpuar ato,ku një ndihme te madhe ia jep edhe media,e cila ka kontribuar dhe kontribon fuqishëm në ruajtjen e stablishmentit.. Përfundimisht në kohën që jetojmë ,përçarja ka shku aq thellë ,sa mund të thuash pa frikë,se ‘Shqiperia nuk bëhet’,pasi metastazat e antishqiptarizmit janë shperndare dhe kanë prekur çdo organ jetsor të shoqerise ,duke e lënë atë të paralizuar,të mpirë e të asfiksuar në reaminacion dhe paralajmëruar kështu për ‘vdekjen e parakohshme ‘të saj.
Jam shume dakorte me analizen e gazetarit te rrespektuar Ben Andoni,kete mund ta ilustroj me nje ngjarje te vertete,degjova nje debat qe po zhvillohej mes nje qytetari Tiranas te vjeter dhe nje gazetare ne nje pallat diku te shkolla baletit,debati u be aq i ashper se erdhi dhe policia nga nje telefonate qe beri gazerja qe ne ate lagje njihej si problematike.Problemi ishte se gazetarja fliste per parkimin e disa makinave dhe Tironci qe pyste policine se pse kishin ardhur,pasi ai si pronar i tokes dhe duke e justifikuar me letra,policet qe rrinin e i benin fotografi letrave e rrinin si guak,deri ketu eshte problem banal e i perditshem qe ndodh ne Tirane,me beri pershtypje ajo qe qytetari qe ishte pronar toke me tha,gazetarja ne fjale banonte nje nje pallat shtes i bere mbas viteve 2000 pa leje,dhe i legalizuar vitet e fundit,pallati ishte bere mbi token e pronarit,tani qytetari Tiranas tha,mire per pallatin e pare nuk pata cfare te bej se ma miri shteti komunist po ky i dyti si u be dhe u legalizua nga shteti demokratik mender te them,tani erdhi puna gazetarja ne fjale qe jeton ne nje pallat te ndertuar pa leje i kerkonte llogari pronarit te tokes bile shkonte aq larg sa i sillte dhe policine,lind pytja si mund te kemi barazi ligjore dhe shoqerore me keto qe ndodhin neper Shqiperi.