
Edi Rama mblodhi dje drejtuesit politikë të qarqeve të PS dhe kryebashkiakët e majtë të vendit tek Pallati i Kongreseve. Edhe pse nuk ka patur ndonjë deklaratë publike pas asaj mbledhjeje, qarkullojnë zëra se Rama ka kërkuar përmirsim të rezultatit të PS-së në çdo qark, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Më 2021, PS-ja siguroi 74 mandate parlamentare. Në qoftë se arrihet përmirësim rezultati i PS-së në çdo qark, i bie që të marrë të paktën 86 mandate më 2025 (74 plus nga 1 në 12 qarqet). Po sa e mundur është kjo?
Nga një analizë statistikore e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të vitit 2021, rezulton se PS-ja mori mbi 104 mijë vota të vlefshme më shumë se ç’i duheshin për 74 mandatet që siguroi në ato zgjedhje. Kjo llogaritet duke ulur votat e PS-së në secilin qark deri në atë pikë ku mandatet e saj nuk do të rrezikoheshin nga partitë e tjera në garë.
Për shembull, në Qarkun Tiranë PS-ja do të siguronte po 18 mandate, edhe sikur të merrte 21715 vota të vlefshme më pak seç mori. Ose në Qarkun Elbasan do të siguronte po 8 mandate edhe sikur të merrte 20078 vota të vlefshme më pak seç mori (shihni tabelën shoqëruese).
