Shtegu i Mendimit, që përuroi dje Edi Rama, nisi te Mrizi i Altinit

26 Mars 2025, 22:41Blog TEMA
Shtegu i Mendimit, që përuroi dje Edi Rama, nisi te Mrizi i Altinit

Nga Frrok Çupi

Dje në Fishtë, në anë të rrugës, ku ka qenë një kryq dhe ku ndodhet një liqen, Edi Rama përuroi një Panteon dedikuar Gjergj Fishtës dhe Mendimit…

Më në fund ndodhi në Fishtë! Prej vitesh të gjithë zihen kush e ka Fishtën; dhe çfarë është Fishta, ‘fshati apo Ati?’. Derisa emri u njoh në gjithë botën, në saje të Altin Prengës së Agroturizmit të Mrizit…. Fillimisht as At Gjergj Fishta nuk e kishte Fishtën. As kishte dëgjuar për një njeri me emrin ‘Gjergj Fishta’. At Gjergji atëherë ishte ‘Zef Ndokë Ndoci’.

Kam frikë se dikujt që përgjon kundër Panteonit të sotëm, ose kundër personalitetit të At Fishtës, në këtë moment po i ndrisin sytë: ‘E shikoni se edhe Fishta ka ndryshuar emrin, dërgojeni në SPAK!”.

Mirëpo kjo nuk pi ujë në këtë rast.

Edi Rama e zbuloi dje, dhe e përuroi si një vepër të Qeverisë shqiptare pas 85 vjetësh të Fishtës ‘pa jetë’.

Dje njerëzit u mblodhën këtu ‘për mendime’, dhe në fund të fundit edhe ky është një mendim, paçka se mendim i çmendur. Vetë Panteoni ka formën më ‘strange’ të këtij lloji në botë.

Ky nuk është si Panteoni i Romës, as si Keopsi. Jo. Ky është imitimi i një kulle mirditore, në vlerat më të spikatura të kullës së Pacit (Gjergj Fishta) në Domgjon. Ka një sallë  të vogël, sa odat e kuvendeve; por këtu ka libra. Pastaj, jashtë ka shkallë; shkallë si kërmilli nismëtar i Parisit. Shkallët e kërmillit, në vend që të çojnë në Sacrè Couer, nuk shkojnë atje por ecin përmes kodrinave drejt Perëndimit. Atje ndodhet shtëpia ku u rrit At Gjergj Fishta. Deri para dy- tre vjetësh, nuk kishte asgjë. Dënimi komunist me braktisje ndaj At Gjergj Fishtës dukej se ende vazhdonte. Gjatë viteve të socializmit aty ishin strehuar delet e kooperativës dhe një nga barinjtë. Sa shpesh kam dashur që atë krevat të mbetur, të degraduar deri në kockë, ta quaja sikur kishte qenë krevati i Gjergj Fishtës!

Që dje u përurua rruga e cila nis nga vendlindja e Zef Ndokë Ndocit (alias Gjergj Fishta), ku nuk kishin lënë as edhe një gur nga shtëpia…, dhe vjen këtu. 3 kilometra,  stacione reflektimi gjatë shtegut deri te streha ku Fishta, me siguri, shkroi një pjesë të veprës. Është quajtur Shtegu i Mendimit të Fishtës. Me siguri ky Shteg do të kthehet në Yllësi dijesh e kureshtjeje për mijëra vizitorë, të vendit e nga bota, për të ndjekur një ‘Akademi’. Vetë ky amfiteatër është projektuar në refleksion.

Kështu kishte udhëtuar vetë At Gjergj Fishta, si në reflektim. Babai i kishte zbritur për ditë e net nga Mirdita, një fshat rrëzë Munellës. Disa thonë se erdhi për ‘të vërri’ të bagëtisë e dikush se ‘po ikte nga gjaksi’. Edhe atëherë konflikt, grindje mes vedi. Brenda fisit të Gjergj Fishtës janë edhe sot dy ose tre palë që zihen e grinden mes vedi, cili e ka Fishtën. Se njerëz jemi, kush nuk e do të mirin!? Po tani u zgjeruan hapësirat, nuk ka vend për grindje.

Shumë njerëz mendojnë se që në fillim Gjergji ishte Fishtë; mbase mendojnë se ishte edhe Padre. Jo. Ja ‘shtegu i gjenit’ që i solli deri këtu:

Simon Ndoci (gjyshi i At Fishtës) Ndok Simoni (i ati i Gjergj Fishtës), Lek Ndoka (vëllai), Ndue Leka, Gjin Leka, Shuk Leka, Mark Leka, Kel Leka(5-djemtë e vëllait të Fishtës). Vetë Gjergj Fishta, me emrin e parë Zef Ndokë Ndoci.

Ndoshta prej këtij vargu të stilit ‘katolik romak’ emrash mund të thuash se mori jetë edhe shtegu tjetër, i mendimeve. A nuk duket si një shteg edhe ky vargëzim gjenetik?!

Këtu afër ka nisur boceti i veprës. Që  në vitin 2020, Altin Prenga i Mrizit të Zanave, ndërtoi shtegun me të njëjtin emër, ‘i Mendimeve’ . Shtegu niste te bunkeri i kohës së diktaturës dhe lakonte nëpër pyllin e Kodrës së Mrizit, përmes shkozash, thanave e lisave; ndalej nëpër ‘stacione’ ku lexoheshin mendimet e Gjergj Fishtës gdhendur në pllaka mermeri si në muzetë e historisë, dhe kthehej. Asgjë nuk vjen pa gjë…

Kështu lindi ky ‘Shteg’ si Panteon i Mendimit që u përurua dje nga kryeministri i Republikës. Më në fund ndodhi në Fishtë; ajo që grindej, por edhe  ishte ideuar këtu, u kthye në vepër po këtu. At Gjergj Fishta ndoshta ishte me fat që e kishin lënë mënjanë, të paktën nuk kishin shans ta shëmtonin të shëmtuarit.

4 Komente

  1. P
    Poseidon

    DHE E BEN NIPI I SPIRO KOLEKRS DHE I BIRI I KRISTAQIT DO THOSHTE KOMUNISTI I PERJETSHEM SALEH KARAXHIC..........KESHTU BERI EDHE PER MIT'HAT FRASHERIN ,EDI RAMA DHE PER SHUME FIGURA TE TJERA., TE DJATHTA,,,SEPSE SIC KA THENE EDHE VETE ,PERTEJ SE DJATHTES E PERTEJ TE MAJTES..........

    Përgjigjjuni
    1. s
      sapa

      Vetem se shqiptaret kane nje problem te vogel ne shqiperi perpos gjithe te mirave qe ju solli Panteoni:Nuk ekziston shtet!

      Përgjigjjuni
      1. S
        Shqipja

        Po lëre ti Sapa ku e pe mungesën e shtetit? Këtu duhet të komentohet për faktin që më në fund At Gjetgj Fishtës ju bë vlerësimi siç duhet. Edi Rama po e mban fjalën “ përtej të majtës e të djathtës”. At Gjergj Fishta është i të gjithëve ashtu si Vaso Pasha, si Naim Frashëri apo si Ismail Kadare e Dritëro Agolli. Ne kemi nevoj ti promovojmë njerzit që e nderojnë emrin e Shqipëris, dhe çdo vlerësim për ta është mirë. Le të bëhet dhe shtet atje ku mungojnë disa gjëra duhet të punoj Qeveria nga të gjitha anët, po dhe në këtë drejtim.

        Përgjigjjuni
        1. D
          Dhëmbeli

          Kënaqësi ndjen , kur dëgjon një vlerësim të veçantë shtetëror të këti burri të Kombit Shqiptar , një njeriu të ndritur me kontribute të veçanta , poetit të madh , At Gjergj Fishta ! Të falënderoj , o Frrok ! Për mënyrën interesante si e sjell në këtë shkrim .

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje