Nga Auron Tare
Disa ditë më parë, udhëtari i palodhur Blendi Fevziu kishte postuar një videoklip nga relikti i mbytur në Gjirin e Sarandës, anija SS Probitas. Nuk e pashë videon, por disa miq të mi, të apasionuar pas historisë, më shkruajtën duke kërkuar më shumë informacion.
Fakti që Fevziu kishte përmendur se së bashku me anijen ishin mbytur “disa mijë ushtarë italianë” bëri përshtypje, por duhet sqaruar se kjo shifër nuk ka burim zyrtar. Në të gjitha kërkimet që kam bërë, së bashku me ekipin shqiptaro-amerikan të kërkimeve nënujore, nuk rezulton që në Gjirin e Sarandës të jenë mbytur mijëra ushtarë. Legjenda e “mijëra të mbyturve” qarkullon vetëm në disa faqe amatore ose gjysmëzyrtare, që nuk kanë mundësi të bëjnë një verifikim serioz.
Për këtë arsye, dua të kthehem tek videoklipi dhe, për të plotësuar rrëfimin dhe për të qetësuar dashamirësit e historisë, po ndaj më poshtë një përmbledhje të kërkimeve të kryera nga ekipi shqiptaro-amerikan i kërkimeve nënujore.
Historia e SS Probitas
Anija SS Probitas, e mberritur në natën e 24/25 shtatorit 1943, ishte pjesë e një grupi anijesh të dërguara për të evakuar Divizionin e Këmbësorisë “Perugia I”, i dislokuar në Gjirokastër. Ky divizion, që përfshinte edhe zonën e Përmetit dhe Tepelenës, kishte qëndruar në kazermat e Gerhotit, ku pas bisedimeve me forcat partizane dhe ndërmjetësimit të oficerit britanik Bill Tilman, kishte pranuar të dorëzonte armët e rënda, me kusht që të hapej rruga drejt Porto Edes (Sarandës). Negociatat u zhvilluan nga koloneli Giuseppe Adami, i cili ishte prezent në incidentin e Gerhotit më 14 shtator, ku një grup i forcave nacionaliste të Ballit u vra si rezultat i mosmarrëveshjes me italianët, të cilët ishin të pasigurt për fatin e tyre.
Pas daljes së Italisë nga koalicioni me Gjermaninë më 8 shtator, forcat gjermane arritën në Tiranë, ku arrestuan komandantin e njësive alpine, Gjeneral Rosi, dhe kërkuan dorëzimin e trupave italiane. Repartet italiane kërkuan të tërhiqeshin menjëherë, por kaosi në Itali e bëri tërheqjen shumë të vështirë.
Në krye të Divizionit “Perugia” erdhi nga Kefalonia, Gjeneral Ernesto Ciminelo, një oficer karriere me origjinë kalabreze. Pas marrëveshjes me trupat partizane, që armët e divizionit të dorëzoheshin në Sarandë, divizioni, së bashku me njësi të tjera nga Përmeti, Tepelena dhe Këlcyrja, si dhe disa repartë nga Janina, u nis drejt Sarandës.
Evakuimi dhe humbjet
Me mbërritjen në Sarandë, katër anije italiane – SS Probitas, transporti Dubac, Sibilla dhe torpedorja Sirio – arritën të evakuonin rreth 1.700 trupa nga 8.000 që kishte divizioni. Njësi e vogël gjermane e ardhur nga Korfuzi kërkoi dorëzimin e divizionit. Burimet italiane flasin se njësia prej 15 ushtarësh gjermanë u mbajt rob deri sa të evakuoheshin të gjithë trupat italianë.
Më 25 shtator, ndërsa anijet Dubac, Sibilla dhe Sirio largoheshin, SS Probitas, e cila nuk mundi të largohej për shkak të defektit mekanik, u bombardua nga një avion gjerman Junkers 87 (Stuka) dhe u mbyt ngadalë, afërsisht 200 metra nga porti i vjetër. Sipas burimeve italiane, anija nuk kishte ushtarë në bord dhe humbja e njohur është e kufizuar te 6 marinarë. Nuk ka dokument zyrtar për viktima të tjera.
Pas kësaj, një pjesë e trupave italianë u largua drejt Porto Palermos, ku disa humbën jetën nga bombardime dhe ekzekutime gjermane, ndërsa të tjerët u shpëtuan duke u bashkuar me partizanët ose fshehur tek familjet e fshatarëve.
Statusi i reliktit sot
SS Probitas është një relikt historik i bukur, por i rrezikshëm për zhytësit amatorë. Zhytjet e para u bënë nga italianë në vitin 1994, dhe më pas relikti është vizituar nga grupe të tjera pa respektuar konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e varrezave nënujore. Disa zhytës komercialë dhe qendra lokale kanë shkaktuar edhe incidente, përfshirë një rast tragjik me një turist anglez 29-vjeçar.
Ekspertë profesionistë, si RPM Nautical Foundation, rekomandojnë që zhytjet të kryhen vetëm nga profesionistë. Për më tepër, asnjë tabelë informuese apo muzeale nuk ndodhet në shëtitoren e Sarandës që tregon historinë e këtij relikti, duke humbur mundësinë për të edukuar publikun dhe vizitorët.
Do te shtoja se bisedimet midis Komandes ne Divizionit Gerhotit ,ka qene nje gjeneral , (kete e deshmojne pjesemaresit ne takim n ga forcat partizane kryesuar nga Bedri Spahiu , nuk ka pasur ne forcat partizane deri ne gusht 1943 ,qe kane qene ne forme cetash te kete pasur oficere Anglez ..Gjenerali foli se ne kerkonte qe trupat Italiane te siguroheshin ne rugen e kthimit ne Sarande ,debati ishte ne lidhje me armatimin e forcave Italiane se ata kerkuan te ishin te armatosur ,kurse partizanet kerkonin qe ata carmatoseshin dhe ata ti siguronin rrugen deri Sarane ,me ne fund rane dakor te Italianet ti mbanin pushket por pa fisheke,Ne keto bisedime aqe filluan ne mengjez dates 12 Shtator , bie telefoni ne zyre dhe nje oficer i thote qe ne hyrje te divizionit jane mbledhur rreth 50-60 forca te ballit dhe njeri prej tyre Hysni Lepenica kerkonte te takohej me Gjeneralin ...Gjenerali thote ; Lajmeroni te largohen nga rrethimi ,neqoftese nuk pranojne hapni zjar ....(dhe ju drejtua Bedriut qe fliste mire Italishten ,Ne kemi pasur kundershtare vetem ju ; ata kane qene aleatet tone...Kjo eshte aresyeja qe u varene 13 vete nga balli (qe per turp pas viteve 90 u quajten deshmore ??.Ata kishun ardhur per PLACKE sepse dihet qe Divizioni kishte sasi te medha ushqimesh dhe armatimi qe u transportuan ne Sarane por pas mbytjes se Aniles nje pjese e ushqimeve dhe italianeve moren rrugen drejt Kucit ku ishte nje qender e forte e Partizaneve ...Pas dy -tre javesh vine gjermanet ne Kuc dhe i rethojne Italianet qe ishin ne bronjat e Kucit ...ata u dorezuan dhe Gjermanet kane pushkatuar 200 iltaliane shumica oficere kariere ... Italianet e tjere gjeten strehim ne familjet Shqiptare .Kjo eshte historia ...bile ne Buronja te Kucit eshte nje permendore ngritur nga Ambasada Italiane pas viteve 90 ne kujtim te tyre
per pjesmarjen e oficerit britanik ne bisedime mund te lexoni kujtimet e tija. William Bill Tilman
Ju keshilloj te lexoni librin e mjekut ushtarak Italian Franko Benanti "Lufta ime me e gjate 1943-1948 dhe do njiheni me kalvarin e tmershem te ushtrise italiane mbas kapitullimit.