Nga Feti Zeneli
U bënë më shumë se tri dekada që e kemi lënë pas sjelljen e sforcuar sociale të bazuar në konceptin indoktrinues: “Të gjithë për një e një për të gjithë”. Gjatë gjithë kësaj kohe që ka kaluar jemi përpjekur të modifikojmë vetëdijen e dikurshme supersociale, me qëllim që sjellja jonë komunitare, para së gjithash, të buroj nga të qënit vetvetja. Problemi që haset, më së shumti, në këtë rast është që të mos kalohet nga një ekstrem në tjetrin; pra nga “partizanët” e kolektivizmit tek “ballistët” e individualizmit. Po kush është zgjidhja? Natyrisht zgjidhja s’është aq e lehtë, dhe, për hir të së vërtetës merrë jo pak kohë fizike. Por përfundimi është një dhe vetëm një: -ndërtimi i ngrehinës shoqërore, sipas dimensioneve individuale të njeriut. Fjala është për një “njeri model” të kohës së sotme, që mundësisht të ketë qënë “model” edhe dje. Model në kuptimin e cilësive të karakterit, vlerave dhe virtyteve më mira, të cilat në përputhje me rrethanat e krijuara, ai i manifeston në sjellje, qëndrime e veprime.
Pas gjithë këtyre fjalëve, është e kuptueshme, që shumëkush pret me vështrimin lart, që ky njeri “të bjerë nga qielli”. Sepse jemi mësuar, që me nota të tilla të kompozojmë tekstet e ligjëratave për udhëheqës e politikan të ndryshëm, duke harruar “zemrën - levën e vërtetë të një vepre të madhe”, siç thotë Bet’hoven. Dihet, që pas çdo pune të bërë me zemër qëndron një njeri shpirtmadh. Dhe, cilat janë punët e veprimet e kësaj natyre? Normalisht janë të gjitha ato raste, që në aspektin individual, kryehen pa vendosur në rend të parë, përfitimet morale e material. Shoqatat dhe organizatat jo-fitimprurëse, janë disa nga ato mjedise ku mund të kërkohen dhe të gjenden individë të tillë, të cilët përbëjnë “emëruesin thyesor” të interesit shoqëror.
Hidhemi në terrenin praktik, atje jeta flet me shembuj konkret, të cilët nuk ke nevojë t’i kërkosh “me qiri”, pasi të dalin vetë përpara. Shfaqen në mënyrë të natyrshme, pa shumë bujë, sidomos atje ku nuk ka vetmi dhe mjedisin rreth e qark e ndriçon poziviteti. Flasim kryesisht për ato raste, kur këta “njerëz të rrallë”, janë shoqërisht të vlefshëm, po aq sa të suksesshëm në aspektin individual. Një prej këtyre rasteve, për të cilin kemi informacion të bollshëm është dhe kryesia e shoqatës “Tafil Buzi” me drejtuesit e vet. Ajo u mblodh këto ditë për një shqetësim serioz. Po afronte dita e zhvillimit të zgjedhjeve (data 28 shtator) në organet e saj drejtuese, dhe s’po gjendej një kandidaturë tjetër për kryetar, po kaq dinjitoze dhe e përkushtuar sa ajo e kryetarit aktual, Medin Duros. Bashkëpunëtorët më të afërt të tij, të caktuar me organizimin e zgjedhjeve, por dhe ai vetë, ishin të gjithë para një situate pa zgjidhje të shpejt. Ndaj u vendos shtyrja e zgjedhjeve për në fund të dhjetorit…
Zakonisht nuk është e lehtë të gjeshë zvendësuesin e “njerëzve të veçantë” si Medini, me nivel të lartë ndershmërie e besueshmërie, ku emocionet vështirë se mund t’ua mposhtin arsyen ndonjëherë. Logjika e fortë, morali i lartë dhe drejtësia e pastër janë për këtë kategori njerëzish mjetet e vetmbrojtjes së tyre nga gabimet e sjelljes shoqërore. Në çdo rrethanë përcjellin pozivitet. Ata po aq sa bekime janë dhe nevoja të domsodoshme shoqërore. “Bëje veten të nevojshëm për dikë”, këshillon shkrimtari, poeti, esseisti dhe filozofi amerikan të shekullit të 19-të, Ralf Emerson;
për individët, të cilët dëshirojnë të marrin përsipër detyra shoqërore apo që mund të meritojnë një vend nderi në shoqëri. Kësisoj, jeta social-politike e gjithsecilit prej tyre, shndërrohet në një luftë për të ndërtuar e fituar mbi vetveten, duke përdoruar, para së gjithash, armët e njohjes së vetvetes. Vetëm në këtë mënyrë, njeriu mund të arrij të flas e veproj me autoritetin e virtyteve të tij, natyrisht duke u ngritur lart me krahët e arsyes e të dijes për të shikuar e shijuar vetëm të vërtetën.
Kjo lloj qasje shoqërore e Medinit ka filluar herët, sapo mbaroi Teknikumin e Prrenjasit në vitin 1972. Bazuar në rezultatet e larta të arritura në shkollën e mesme, e emërojnë në Ministrinë e Ndërtimit. “Kemi nevojë të atashohesh pranë grupit të specialistëve kinezë që punojnë në ndërtimin e HEC-it të Fierzës”, i thanë drejtuesit e ministrisë. Nuk shfaqi asnjë kundërshtim, hezitim apo mëdyshje. Detyrë e vështirë, por mbi të gjitha e panjohur. U nis besimplotë se do t’ia dilte. Dhe ashtu ndodhi. Ja doli më së miri, duke fituar dhe “statusin” e njeriut të nevojshëm për punën dhe shoqërinë. Ishte viti 1973. Specialistët kinez kishin ngritur shqetësimin se punimet e mëtejshme rrezikoheshin nga shkarkimi i masivit të Poravës (një fshat ngjitur me Fierzën). Problem i madh, aq sa vuri në lëvizje shtetin, qeverinë. Vjen në Fierëz kryeministri i kohës, Mehmet Shehu i shoqëruar edhe nga personalitete të shkencës e teknikës shqiptare. Diskutime, debate, ekspertizë. Pjesë e tyre dhe Medini, që me kompetencën e gjykimeve të tij bie në sy të kryeministrit. “Po, ky djali?”, pyet ai. Përgjigjet e prazantohet vetë, duke i shtuar edhe më shumë pikë vlerësimit që i bëhet. Arrihet një zgjidhje. Mendimi dhe ekspertiza e specialistëve shqiptar triumfon. “Kemi nevojë, që ti Medin, të rrish dhe një vit këtu pranë specialistëve kinez. Për momentin nuk kemi se me kë të zëvendësojmë, i drejtohet atij kryeministri Mehmet Shehu. Për shkollën e lartë mos e shqetëso, veçse do shkosh një vit më vonë…”.
Në vitin 1978 mbaron universitetin në degën Gjeologji-Miniera dhe emërohet në Minierën e Qymyrgurit Memaliaj. Fama e Fierzës, përveçse një “histori që kishte marrë dhenë”, siç thonë në raste të tilla arrëzjotët e Medinit, ishte bërë edhe pjesë e dosjes së tij të kuadrit. Por para së gjithash ishte bërë pjesë e karakterit dhe personalitetit të ti,j që do ta shoqëronte në çdo hap të karrierës profesionale apo detyrave të tjera me karakter shoqëror e politik, si: Inxhinier Gjeolog, Përgjegjës Sektori dhe Drejtor i Minierës, duke ngjitur njera pas tjetrët shkallët e karrierës, si teknicien profesionist dhe drejtues i spikatur, për plotë 14 vite rresht, në një nga sektorët më të vështirë të ekonomisë së vendit në atë kohë. Gjurmët e punës së suksesshme dhe arti i të komunikuarit me punëtorët apo specialistët, në varësi të detyrave që kryente, do ta edvidentonin si një ndër kuadrot më të rëndësishme, jo vetëm në nivel lokal, por dhe në atë kombëtar. Zotësitë profesionale dhe cilësitë e larta të karakterit përbënin binomin e këtij suksesi në punën dhe veprimtarinë e tij shoqërore. Këto ishin disa nga arsyet, që qysh nga viti 1987 e deri në 1992-shin të zgjidhej edhe deputet i Kuvendit Popullor. Po kështu, gjatë kësaj periudhe do të përzgjidhej edhe në krye të një grupi specialistësh të fushës gjeologji-miniera për thellimin e njohjes dhe eksperiencës profesionale, në minierat e njohura qymyrgurore të Francës, pse jo dhe të nxitjes së interesit të tyre për të kooperuar apo investuar në Minierën e Memaliajt. Ndryshimet politike të ’91-shit i gropsën këto ëndërra e projekte në thellësi të galerive, ndërkohë që zotësitë dhe aftësitë e Medin Duros, do ta vinin përballë sfidash të reja, të cilat sërish do t’i përballonte me sukses, ku mund të veçojmë detyrat e zv/kryetarit dhe kryetarit të Këshillit Popullor të Rrethit Tepelenë deri në vitin 1996. Në kulmin e trazirave të ’97-ës do të dilte përfundimisht nga dyertë e zyrave shtetrore, për t’ju përkushtuar me të njëjtin standard sjelljeje edhe biznesit privat, ku prania e elementëve social, komunitar dhe humanitar shfaqen të materializuara dhe zënë një vend jo të vogël të të ardhurave personale nga biznesi privat.
Shembulli i Medinit na mëson, se jeta njerëzore, në çdo moment të sajin, të jep mundësi që të rritesh, zhvillohesh e qytetërohesh në përputhje me vlerën e dijeve dhe vityteve që ke bërë pjesë të qënies tënde. Mbase togfjalëshi “vlerë shoqërore” është një kartmondhë e emetuar mbi bazën e thesarit të virtyteve njerëzore. Në të kundërt, dhe jetës në përgjithësi s’mund t’i atribuohet togfjalëshi: “një dhuratë e çmuar”. Flasim për jetën e brendëshme, atë të shpirtit e të ndjenjave, e cila nëpërmjet veprimeve të sjelljes provon sinqeritetin e zemrës. Dhe siç dihet sinqeriteti është përbërësi kryesor i karakterit. Edhe pse jetojmë në një botë të trazuar, të mbushur plotë egërsi e mizori, të qënit i sinqertë do të thotë, se ka ende arsye për të qënë vetvetja, duke mbetur i veçantë në zemrat e atyre njerëzve që dinë të vlerësojnë sipas kritereve të virtytshme. Pa sinqeritet nuk ekziston as e vërteta dhe as shpresa, të cilat, vetëm në këtë rast, e kanë të çrrënjosur hipokrizinë nga zemrat e tyre. Dhe gjërat e bëra me zemër triumfojnë edhe në një botë ku “prindërit e virtyteve” trajtohen si të braktisur nga “fëmijët” e tyre. Bartësit e vlerave të larta morale edhe pse dallohen qartësisht në çdo kohë, sot bëjmë sikur s’i shohim, por nuk ua ndajmë sytë për asnjë çast, sidomos kur na detyron nevoja për një gjë të tillë. Nuk e kemi fjalën për nevoja materiale, po kryesisht për ato shpirtërore. Sepse siç thotë shkrimtari dhe gazetari francez, Henri Mare, “virtyti është një pishtar që i ndriçon rrugën jo vetëm atij që e ka, por edhe atij që e sodit”. Prej tij mund të presësh vetëm mirësi e përkushtim pa rezerva. Çdokush që në mendje dhe në thellësi të shpirtit së tij ka sinqeritetin është padyshim një “njeri i rrallë” për kohën e sotme. Të rrallë, por jo heronjë. Ata nuk akuzojnë Zotin dhe as mallkojnë jetën e tyre për gjërat nuk i kanë. Thjeshtë bëjnë detyrën që duhet të bënin në mënyrë normale dhe që shumë të tjerë e kanë braktisur në emër të një interesi më të ngusht personal. Ndodh kështu sepse kanë braktisuar vetveten; e lënë atë pa pikë përgjegjësie në dorën e në mëshirën e të tjerëve. Nuk dëshmojnë personalitet e integritet, sepse përveç të tjerash, nuk kanë arritur ta krijojnë atë në jetë.
Rikthehemi sërish tek Medini me copëza historish pikante nga jeta e tij, për të ilustruar mendimin, se jeta nuk është gjë tjetër veçse një udhëtim i shkurtër me mësime, vështirësi, dhimbje zemre dhe momente të veçanta…
Ishte viti 1989. Komitetit i Partisë së rrethit Tepelenë mblidhte forumin më të lartë të tij, pleniumin. Raporti që do të mbahej në plenium ishtë miratuar nga mbledhja e byrosë, ku kishte qenë i pranishëm vetë Ramiz Alia. Punimet e pleniumit i ndoqi Lenka Çuko. Po diskutonte përgjegjësi i seksionit të tregtisë së rrethit. Vetëm fjalë të mira dhe arritje, ndërkohë që furnizimi i popullatës me artikuj të ndryshëm ushqimor e industrial ishte “përtokë”. E njëjta gjuhë edhe për ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve (NFP). Medinin nuk po e mbante vendi. E merrë fjalën menjëherë sapo përfundoi përfaqësuesi i komitetit ekzekutiv. “Nuk është e vërtetë kjo që sapo u tha nga parafolësi; furrnizimi i punëtorëve ka probleme serioze…”. E ndërpret Lenka Çuko duke i thënë se, “drejtori i minierës nuk e njeh gjëndjen”. Nisi debat i fortë midis Medinit dhe sekretares së Komitetit Qendror të PPSH-së. Ndërpritet mbledhja. Gjatë momentit të pushimit e njoftojnë Medinin se e kërkonin në zyrën e Sekretrait të Parë, ku ishte dhe Lenka Çuko. “Kishe të drejtë, i thotë, na kanë dizinformuar edhe mua dhe shokun Ramiz, ndaj tërhiqem nga kritikat që të bëra…”. “Tërheqjen duhet ta bëni në plenium, ndryshe unë do ngrihem përsëri”. “Qënka kokëderr ky”, u thotë Lenka të pranishmëve në zyrën e sekretarit të parë. “Nuk jam kokëderr, por i drejtë e i vërtetë”, ja kthen Medini, duke e detyruar Sekretaren e KQ të PPSH-së të kërkoj ndjesë në plenium, punimet e të cilit morrën pastaj rrjedhë tjetër, me kritika, autokritika dhe nxjerrje përgjegjësie jo vetëm për shkaktarët, por dhe për gënjeshtarët...
Një vit më vonë në 1990-ën, një histori e tillë përsëritet më Adil Çarçanin, në atë kohë kryeministër i vendit. Në Kuvendin Popullor po diskutohej i ashtuquajturi “ligj i 50-përqindëshit”. Në një moment ngrihet Medini me cilësinë e deputetit dhe e kundërshton me argumenta këtë akt ligjor, me arsyetimin, se dukej sikur mbronte punëtorët, por në fakt dëmtonte punën dhe interesat social-ekonomike në tërësi. Nga fjala e tij morën kurajo edhe disa deputete të tjerë, figura të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë e kohës. Përfundimisht drafti u rrëzua dhe kryeministri u tërhoq i mërzitur, pasi mund të ishte hera e parë për të, që i kundërshtohej në këtë mënyrë dhe nuk i aprovohej një projektligj. E njëjta gjë edhe me kryeministrin Edi Rama. Ishin mbledhur prodhues dhe përpunues të qumshtit në zonën e Myzeqesë, ku do të sqarohej ligji i vendosjes së TVSH-së për këtë produkt, lidhur dhe me atë sasi që shisnin familjet fermere, ndërkohë që lekët do t’u paguheshin atyre në fund të muajit, nëpërmjet bankës. Në këtë takim merrte pjesë edhe Medini, si pronar dhe administrator i Fabrikës së Qumështit në Lushnjë. “Ngrehu ti na thuaj ç’mendime ke!”, i drejtohet atij Rama. “Është hera e dytë që përballemi bashkë, ja kthen Medini, inshallah këtë herë për mirë… Po ç’të them unë për këtë ligj, që është hartuar pa patur parasysh realitetin konkret?! Po këtu, tek ajo kova 4-5 litroshe me qumësht që sjellin fshatarët ështa katandisur fati i TVSH-së?!... Atyre, gjatë gjithë muajit u bëhen a s’u bëhen 120 mijë lekë të vjetra për të marrë. Ju thoni, të shkojnë që t’i marrin në bankë, domethënë që gjysmat e tyre t’i shpenzojnë rrugës…”. Kaq tha dhe u ul. Po edhe kryeministri nuk kërkoi mendime e diskutime të tjera. U bind me aq sa tha Medini, ndaj u kërkoi ekspertëve të cilët e shoqëronin të përgatisnin draftin për shfuqizimin e këtij akti të pastudjuar mirë.
Po “hera e parë e përballjes” së tij me kryeministrin Edi Rama, cila ishte? Bëhet fjalë për kohën e prishjes së ndërtimeve pa leje, kur Rama ishte kryetar i Bashkisë Tiranë. Pasi ishin prishur këto lloj ndërtimesh në qendër të kryeqytetit dhe në të dy anët e Lanës, aksioni po vazhdonte më në brendësi. Në atë periudhë Medini kishte një shtëpi private në anën veriperëndimore të stadiumit “Selman Stërmasi”. Një ditë befasohet teksa mjetet e policisë ndërtimore po i afroheshin banesës së tij. Merr autoveturën personale dhe ua vendos atyre përpara, që të mos avanconin më tej. “Hiqe makinën!, i thotë Rama. Je dhe goxha burrë, ç’janë këto veprime?” “Unë jam me tët Atë”, ja kthen aty për aty Medini. “Ç’janë këto veprime banditeske, pa na njoftuar e pa na informuar paraprakisht për dokumentacionin e pronësisë. E di ti, që kjo vila ime është ndërtuar që në vitin 1956?! Nuk punohet e nuk drejtohet kështu… Edhe për ato ndërtime që s’kanë asnjë lloj dokumenti, përdorimi i fadromës, duhet të jetë zgjidhja e fundit. Sepse, para se të jenë ndërtime pa leje, ato janë mund, djersë e gjak…”
Ky është Medin Duro, unik në qëndrime e veprime përgjatë një gjysëm shekulli e ca jetë plotë sfida e arritje mbreslënëse, qysh nga eksperienca e parë e vitit 1972 në ndërtimin e HEC-it të Fierzës. Ja pra, pse fjala e tij ka peshë dhe prezenca e tij në krye të punëve e të njerëzve, motivon e ngjallë shpresë. Më shumë se për këdo tjetër, për të vlen të përmendet thënia e Ovidit, poetit romak të Shekullit të Parë, Para Erës së Re: “S’ka pse të numërohen vitet: njerëzit rrojnë dhe më gjatë. Thelbi nuk janë vitet, por bëmat - ja, ato duhen numëruar”. Ngjizja e personalitetit të Medinit është një përzjerje e artë vlerash e virytesh të së shkuarës me të tashmen, e cila reflekton energji e mirësi në çdo kohë, pavarësisht moshës. Jetën e deritanishme të Medinit nuk mund ta përkufizosh ndryshe, veçse si një aliazh i vullnetit, dijes, shpirtmirësisë e personalitetit, ku ky i fundit ka rolin e metalit. Personaliteti i tij sa individual aq dhe shoqëror është si dielli, i cili ndriçon çdo gjë që prek dhe ngrohë botën e tjetrit. Gëte e përcakton këtë cilësi të lartë të karakterit, si “lumturinë më të madhe”. Ndaj Medini, po aq sa lumturi e vetes është dhe e të tjerëve. Kështu ka ndodhur deri tani dhe, nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim në vitet që do vijnë…
o Feti! ate Medinin mu ne b.... ku ta kesh
Po kishe mundësi të paktën të mos haje.... këtë radhë. Vetëm vrer nxirrni nga shpirti. Mos komento dhe mjaft.
O Feti .. ate Medinin mu ne b... ku t'a kesh
Bravo Feti pẽr kẽtẽ shkrimMedini ẽshtẽ njẽ figurẽ me respekte dje dhe sot .I meriton ato qẽ ju shkruani , por edhe mẽ tepẽr, sepse ẽshtẽ njẽ intelektual i spikatur i ditẽ e tẽ sotme .I uroj shendet Medinit dhe juve suksese
Me se te verteta ato qe shkruani duke hequr ketu pjesen gazetareske qe i tokon cdo njerit qe mer persiper te shkruaj nje artikull te tille. Problemi eshte se koha e sitme “ vrejtet “ nga njerez te tille. Nuk kuptoj perse doni ta zevendesini si k. Shoqate , apo dhe ketu do vendosni ndonje “bashkekohore”?
Feti Zeneli, penë e vjetër... Ndihen gjurmët e ligjërimit të kaluar pozitivist. Keni përshkruar udhën e një personi, dikur kuadër i vlefshëm, që sot është bërë biznesmen i suksesshëm, duke mbetur edhe njeri e aktivist shoqëror. Këtë kapërcim nuk e ke ndriçuar plotësisht dhe bindshëm, pa vënë në dyshim vërtetësinë e thënieve të tua.
Te lumte pena per shkrimin...desha te shtoj qe Medini eshte jo vetem ishdrejtues i respektueshem, specialist ne fushen e tij e sot biznesmen i ndershem po bashkeshort e baba shembullore...gjithashtu dhe gjysh i devotshem.Vlerat e njeriut jane ne teresi e per keto vlera kemi nevoj ne si komb.Urime Medin Duro.