Sundimi i gjatë dhe brutal i Bashar al-Assadit përfundoi shpejt pas ofensivës së rebelëve që rrëzoi regjimin në Siri, por për ish-diktatorin dhe rrethin e tij të ngushtë fundi i pushtetit nuk ka sjellë varfëri apo izolim.
Përkundrazi, sipas një hetimi të gjerë të The New York Times, familja Assad ka gjetur në Rusi një strehë luksoze dhe të mbrojtur, larg çdo përgjegjësie ligjore.
Vetëm disa javë pas rrëzimit të regjimit, Assad u pa duke darkuar në “Sixty”, një nga restorantet më ekskluzive të Moskës, i frekuentuar nga elita politike ruse dhe figura të huaja VIP. Sipas dëshmitarëve, prania e tij nuk u bë publike për shkak të masave të rrepta të sigurisë dhe kërkesës për të mos bërë fotografi.
Hetimi i New York Times – i bazuar në dëshmi të familjarëve, ish-zyrtarëve dhe burimeve diplomatike – tregon se arratisja e familjes Assad drejt Moskës u bë me avionë privatë dhe kolona makinash, nën mbrojtjen e shërbimeve ruse të sigurisë.
Fillimisht ata u sistemuan në apartamente luksoze të menaxhuara nga Four Seasons, me kosto deri në 13 mijë dollarë në javë, përpara se të zhvendoseshin në një penthouse në Federation Tower dhe më pas në një vilë në Rublyovka, zonë elitare në periferi të Moskës.
Edhe vëllai i Basharit, Maher al-Assad – një nga figurat më të fuqishme ushtarake të regjimit dhe i akuzuar për krime të rënda, përfshirë represion të përgjakshëm dhe trafik droge – është parë disa herë në zonat më moderne të kryeqytetit rus, përfshirë lokale luksoze dhe qendra tregtare.
Ndërkohë, jeta luksoze e familjes reflektohet edhe te brezi i ri. Vajzat e familjes Assad janë parë duke festuar ditëlindje madhështore në Dubai, me festa në restorante prestigjioze, jahte private, shishe shampanje të shtrenjta dhe dhurata nga marka si Hermès, Chanel dhe Dior.
Edhe pse llogaritë e tyre në media sociale janë private, pamje të festimeve janë zbuluar përmes profileve të miqve.
Sipas burimeve, fëmijët e familjes Assad kanë një marrëveshje të veçantë që u lejon të jetojnë dhe studiojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Zein al-Assad, vajza e Basharit, ka vazhduar studimet universitare në Abu Dhabi dhe më pas ka marrë diplomë edhe në Moskë, gjithnjë nën shoqërimin e truprojave.
Kontrasti është i fortë me fatin e shumë ish-zyrtarëve të regjimit. Ndërsa Maher al-Assad thuhet se ndihmon financiarisht disa nga ish-aleatët e tij, Bashar al-Assad akuzohet se ka braktisur bashkëpunëtorë të afërt, përfshirë asistentin personal, i cili mbeti pa para dhe dokumente në Moskë dhe u detyrua të kthehej në Siri, ku sot jeton në kushte të vështira.
“Bashari jeton sikur asgjë nuk ka ndodhur”, citohet të ketë thënë një ish-bashkëpunëtor. “Na poshtëroi kur ishte në pushtet dhe na tradhtoi kur iku”.
Historia e mërgimit të familjes Assad, sipas The New York Times, është një pasqyrë e qartë e një fundi pushteti pa drejtësi: një regjim që la Sirinë në rrënoja, por që për drejtuesit e tij solli një ekzil të mbushur me luks, mbrojtje dhe pandëshkueshmëri.
Lini një Përgjigje