Policia dhe forcat speciale britanike po zhvillojnë një lojë si “macja me miun” kundër anijeve ‘mëmë’ të karteleve, të cilat rrethojnë Britaninë të ngarkuara me kokainë, përpara se të hedhin ngarkesat në det në mënyrë që të merren më pas nga trafikantët.
Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) thotë se dhjetëra milionë paund në drogë po trafikohen drejt Britanisë me këtë metodë – dhe u bën thirrje komuniteteve bregdetare të jenë në gatishmëri të lartë.
Kjo taktikë përfshin kartelet e Amerikës së Jugut që fshehin drogën në anije kontejnerësh që drejtohen për në Evropë, në mënyrë që t’i afrohen ujërave britanike pa ngjallur dyshime.
Dengjet me drogë, të lidhura me pajisje lundruese dhe të pajisura me gjurmues, hidhen në det, përpara se bandat lokale të trafikut të dalin për t’i gjetur ato.
Si përgjigje, Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) dhe Forca Kufitare u bëjnë thirrje banorëve përgjatë bregdetit të raportojnë çdo lëvizje të dyshimtë të varkave të vogla në porte, gjire apo plazhe.
Përveç interceptimit të varkave me mjete patrullimi detare, forcat civile të rendit mund të kërkojnë ndihmën edhe të njësive të forcave speciale, siç është Shërbimi i Barkave Speciale të Marinës Mbretërore (SBS).
Në një operacion veçanërisht dramatik, që u bë publik muajin e kaluar, një skuadër ushtarësh nga njësia elitare irlandeze Army Ranger Wing u hodh me litar nga një helikopter në një ‘tanker droge’ në Detin Irlandez.
Ky mision me rrezik të lartë erdhi pas një operacioni të fshehtë të Administratës Amerikane të Luftës kundër Drogës (DEA), e cila depërtoi në një rrjet global trafiku droge të drejtuar nga karteli Kinahan.
Më shumë se dy tonë kokainë me vlerë 132 milionë paund – kapja më e madhe në historinë e Irlandës – u sekuestrua nga MV Matthew, një anije mallrash me flamur panamez, dhe tetë persona u arrestuan. Ata u dënuan më 4 korrik, duke bërë të mundur që operacioni të zbulohej në detaje.
Paralajmërimet nga zyrtarët britanikë vijnë pasi katër persona u dënuan për përfshirjen e tyre në një komplot për të futur në Britani kokainë me vlerë 18 milionë paund, të cilën e kishin marrë pranë brigjeve të Cornwall-it.
Metoda e hedhjes së drogës nga një “anije mëmë” përpara se të mblidhet nga mjete më të vogla njihet si “hedhje në det” (ASDO – at-sea drop-off).
Tre nga personat tentuan t’i shpëtonin Forcës Kufitare për 28 milje në det pasi varka e tyre u pa duke mbledhur drogë pranë Newquay. Në fund, ata dolën në breg në plazhin Gwynver pranë Sennen dhe, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë, u dënuan javën e kaluar në Gjykatën e Kurorës në Truro me një total prej 82 vitesh burg.
Një tjetër grup u arrestua në shtator pasi akuzohej për marrjen e një ton kokainë pranë Ishujve Scilly – pjesë e 540 milionë paund drogë e kapur gjatë vitit të kaluar nga grupe që përdornin metodën ASDO.
Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) tha për MailOnline se përdorimi i “anijeve mëmë” është bërë gjithnjë e më i zakonshëm.
Agjencia sqaroi se bandat zakonisht mbështeten te një anëtar i korruptuar i ekuipazhit ose tek ndonjë person i fshehur në bordin e anijes tregtare që udhëton drejt Evropës nga Amerika e Jugut ose Afrika Perëndimore.
"Pasi hyjnë në ujërat britanike, i fshehuri apo anëtari i ekuipazhit hedh në det dengun me kokainë, të pajisur me mjete lundrimi dhe ndjekës GPS," tha një zëdhënës.
"Më pas, ngarkesa e paligjshme kapet në det nga kriminelë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla peshkimi ose gomone të forta (RHIBs)".
NCA ka nisur 60 hetime mbi raste ASDO vetëm vitin e kaluar, që çuan në kapjen e gati pesë tonëve kokainë, 34 arrestime dhe dënime me burg që tejkalojnë 226 vjet në total.
"Puna jonë nuk mbaron me sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e trafikantëve në MB – po punojmë edhe me partnerë ndërkombëtarë për të identifikuar dhe ndjekur ata që hedhin drogën në det," shtoi zëdhënësi.
ASDO-t zakonisht ndodhin afër Cornwall-it, por janë regjistruar edhe në Detin Irlandez dhe Detin e Veriut.
Vija bregdetare e MB-së shtrihet mbi 11,000 milje, me shumë gjire, porte dhe plazhe të mbrojtura ku kontrabandistët mund të zbarkojnë ngarkesën me më pak rrezik për t'u zbuluar. (Daily Mail)
Lini një Përgjigje