Një nga ndihmësit kryesorë të Putinit dhe negociatori i lartë rus, Kirill Dmitriev, ka ripostuar një mesazh të publikuar nga Presidenti Donald Trump në rrjetin social TruthSocial, ku paraqiten kërkesat për Ukrainën përpara bisedimeve të SHBA-së me liderët evropianë të hënën.
Kirill e ripostoi deklaratën e Trump-it të dielën vonë në mbrëmje, ku presidenti amerikan shprehej se Ukraina mund ta përfundonte luftën nëse pranonte disa nga kërkesat kryesore të Rusisë përfshirë dorëzimin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, dhe zotimin për të mos iu bashkuar kurrë NATO-s.
“(Trump) dhe ekipi i tij po punojnë për një zgjidhje të vërtetë. Le të mbizotërojë zgjidhja e problemeve dhe paqja gjatë Ditës së Madhe,” shkroi Dmitriev në X, duke iu referuar takimit të së hënës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një delegacion liderësh evropianë do t’i bashkohet Zelenskyt në Uashington, në një përpjekje të koordinuar për të mbështetur Kievin dhe për të ndikuar në të ardhmen e mbështetjes perëndimore ndaj Ukrainës.
Kirill, i cili është gjithashtu drejtues i fondit sovran të pasurisë së Rusisë, ishte mes disa zyrtarëve rusë që shoqëruan presidentin Vladimir Putin në Alaskë të premten për t’u takuar me Trump-in në një samit të ndjekur me vëmendje. Edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje gjatë takimit, administrata Trump deklaroi se ishte bërë përparim i madh.
Lini një Përgjigje