Negociatat midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara pritet të rifillojnë pas funeralit të Ajatollah Ali Khameneit, thanë të enjten ndërmjetësuesit e Katarit dhe Pakistanit.
Ceremonitë mortore për udhëheqësin suprem të ndjerë të Iranit, i cili u vra më 28 shkurt, dita e parë e sulmeve izraelito-amerikane kundër Iranit, do të fillojnë të shtunën dhe do të zgjasin gjashtë ditë.
Pas përfundimit të tyre, bisedimet do të organizohen “sa më shpejt të jetë e mundur” për t’i dhënë fund përgjithmonë armiqësive dhe kryesisht për të adresuar çështjet e mprehta të Ngushticës së Hormuzit dhe programit bërthamor iranian, sipas Ministrive të Jashtme të Katarit dhe Pakistanit.
Ndërmjetësit thanë në deklaratat e tyre të mërkurën, se patën “takime të ndara me negociatorët amerikanë dhe iranianë në Doha dhe u bë përparim pozitiv” në lidhje me protokollin e marrëveshjes së nënshkruar më 17 qershor.
Pas nënshkrimit të këtij teksti, Uashingtoni dhe Teherani po marrin pjesë në negociata që janë planifikuar të zgjasin 60 ditë, por kohëzgjatja e tyre mund të rinovohet.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve Irna, këto negociata teknike përfunduan me një marrëveshje që i lejon Iranit të blejë mallra që i nevojiten me një pjesë të fondeve të tij të ngrira në Katar.
Palët miratuan gjithashtu funksionimin, që nga sot të një kanali komunikimi për të raportuar dhe regjistruar shkeljet e mundshme të protokollit të marrëveshjes .
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dje iu referua “takimeve shumë të mira”, megjithëse Irani mohon se ka pasur negociata të drejtpërdrejta.
Lini një Përgjigje