Protesta mes talent show-t dhe dhunës

2 Korrik 2026, 10:55Blog Nga Ilir Yzeiri

Protesta që nisi me valsin e Flamengove, për fat të keq, ka përfunduar në turbofolkun e një reality show që të kujton një tjetër anë të ndrydhur të shqiptarëve e cila tani, befas, është zgjuar dhe që është dëshira për të marrë fjalën në publik apo ajo që dikur njihej si zëri i masave në veprim. Tani, në shesh e marrin fjalën të gjithë. Ata që performojnë aty bëjnë kujdes që të paraqiten me pamjen, veshjen dhe me makiazhin e atij që reciton apo këndon në një reality show. Nuk ka rëndësi se çfarë thua, rëndësi ka që të jesh i pranishëm dhe të performosh. Vetë pjesëmarrja ¨është një ritual që thekson përmbajtjen. Ndaj edhe tekstet që recitohen aty nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Disa janë naivë dhe mendojnë se po të recitojnë apo po të tregojnë historinë e tyre personale, juria do t’i dëgjojë gjithsesi. Në anën tjetër janë edhe profesionistët e urrejtjes apo ata që kanë dalë nga rrjetet sociale dhe aty në shesh deklamojnë me tone të ngritura patetike pakënaqësinë kundër gjithë atyre q kanë shkaktuar këtë gjendje. Mirëpo çdo ditë që kalon e bën edhe më të vështirë këtë manifestim, sepse si të gjitha punët e mëdha edhe kjo protestë duhet të ketë një fund ashtu siç pati një fillim. Tani protestuesit që dalin në shesh kanë marë atributet e atyre që në ligjërimin e sotëm politik njihen si lëvizje antiestablishment, anarkike dhe që protestojnë kundër sistemit. Kjo është vetëm pamja apo forma që ata duan t’i japin, sepse për të gjithë është e qartë që tani protesta është në dorë të PD-së dhe militantëve të saj të dhunshëm të cilët e patën filluar këtë sport qysh me Lulëzim Bashën, e përsosën kur sulmuan SHQUP-in dhe e ushtronin në mënyrë të përsëritur sa herë që PD e Berishës i thërriste në shesh. Dhe deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe. Edhe njëherë protesta konfirmoi se formacioni politik që mund të përfitojë nga kjo lëvizje e madhe është PD-ja. Ndërkaq, ajo që të trishton është largimi i flamengove dhe shuarja e shpresës. Shqipëria, në këta 30 e ca vjet tranzicion, si rrallë ndonjëherë më parë, tregoi se ka një vullnet për të ndryshuar dhe se kërkon një vend që të qeveriset më mirë. Zvërneci ishte vetëm shkaku apo ajo që matematicieni dhe meteorologu Eduard Lorenz e quante « efekti flutur », teori që u mor e u përdor më pas edhe për të shpjeguar lëvizjet sociale që, në pamje të parë, duken kaotike dhe të vrullshme, por që shpjegohen me rritjen e pakënaqësisë dhe të zemërimit në shkallë të gjerë. Performanca e atyre protestuesve që mbushën Bulevardin e Madh ishte një manifestim shprese që kishte në themel një arsye të epërme- përmirësimin dhe rritjen e standardit të demokracisë, të shërbimit politik dhe rivendosjen e harmonisë me natyrën. Gjithçka që reflektonte ajo protestë e Flamengove ishte thirrje entuziaste për ndryshim dhe për reflektim të thellë. Ata që e merrnin fjalën në publik disa herë nuk e përfaqësonin sa dhe si duhet protestën, por, megjithatë, të gjithe e merrnin mesazhin jo nga ata që performonin në tribunë por nga pjesëmrrësit, nga dekori, nga skenografia e improvizuar, nga memet dhe pankartat në të cilat parakalonin të gjitha llojet e humorit, satirës dhe cinizmit. Ishte hera e parë në gjithë këta vjet që ne të gjithë pamë se vetëdija jonë kolektive nuk ka fjetur, por nëse duhet mund të zgjiohet dhe ajo u shfaq në mënyrën më brilante të mundshme duke i bërë shqiptarët për herë të parë heronjtë e së mirës në këtë botë që zotërohet nga dhuna, luftërat e krimi. Sot problemi nuk është shfaqja e anës tjetër të protestës, pra nuk përbën ndonjë shqetësim për vendin se përse vijon protesta në këtë formë që po vazhdon sot. Përse dhuna nga rrjetet sociale po del edhe në rrugë. Ky nuk është vetëm problemi ynë. Ajo që duhet të na bëjë të mendohemi është se përse nuk ditëm ta ruajmë entuziazmin që na dha zemërimi i Flamengove. Përse nuk krijuam dot një asamble me gjithë ata njerëz të ditur që e mbështetën atë frymëzim. Përse nuk u shfaqën në publik edhe frymëzuesit e parë të atij manifestimi dhe të kishin marrë përgjegjësitë që u takonin. Të kishin artikuluar kërkesat e tyre, ta kishin formësuar atë manifestim në një Lëvizje dhe të mos kishin lejuar që frymëzimi dhe entuziazmi i parë të venitej. Sot ne jemi në po atë gjendje që ishim në fillim. Edi Rama ka premtuar se do ta lexojë me vëmendje këtë manifestim dhe disa herë ka përsëritur se zemërimi i ligjshëm do të merret në vështrim. Sali Berisha ka bërë thirrje që militantët e tij të mbështesin protestën. Ndërkaq, në mbrëmje bashkë me vapën dhe ndeshjet e Kampionatit Botëror, shqiptarët do të ndjekin edhe atë që nisi si manifestim i madh i zemërimit, por që ka përfunduar në një Talent show-n e denoncimit publik sipas formatit të zërit të masave që shqiptarët përdornin në diktaturë.

1 Komente

  1. A
    Antoni

    Kjo proteste ka deshtuar plotesisht sepse qe nga fillimi kishte prapavije politike.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje