"Dy vjet pa Kadarenë." Një fjali e tillë zgjon menjëherë ndjesinë e mungesës. Është një mënyrë njerëzore për të matur kohën, për t'i dhënë një ritëm kujtesës dhe për të shënuar kalimin e viteve. Kjo mënyrë i përket logjikës së lajmit, jo logjikës së letërsisë. Më ngjan se jemi, në njëfarë mënyre, duke hapur një dosje kalendarike.
Jeta e njeriut është e fundme. Ajo matet me ditë, vite dhe dekada.
Historia e letërsisë dëshmon të kundërtën. Askush nuk e ndien sot Servantesin si një autor që "mungon prej katër shekujsh". Ai është i pranishëm sa herë që hapet "Don Kishoti". Po kështu ndodh me Danten, Shekspirin, Homerin. Ata nuk jetojnë në përvjetorë; jetojnë në gjuhë, në mendim, në imagjinatë. Koha nuk i ka larguar; përkundrazi, i ka bërë bashkëkohës të çdo brezi. Përvjetorët janë shpikja e kalendarit; klasikët janë dështimi i tij. Kalendari u thotë: "Keni kaq vjet që keni vdekur." Veprat u përgjigjen: "Po, por ende po na lexoni."
Kjo është prova më e lartë që një vepër mund t'i japë autorit të saj. Koha nuk është vetëm rrjedhje; ajo është gjykatë. Ajo harron shumicën e emrave dhe ruan vetëm ata që vazhdojnë të prodhojnë kuptim. Një vepër klasike nuk fiton mbi kohën sepse nuk plaket, por sepse çdo epokë gjen në të një të vërtetë të re. Jetojmë kohën e dosjeve . Në “Dosja H” shkrimtari luan me idenë e përpjekjes burokratike për të rrokur të pakapshmen, krijimin letrar. Një dosje krijohet për të vënë rregull mbi një mister. Ajo mbledh fakte, dëshmi, deklarata dhe kërkon të arrijë në një përfundim. Ndoshta ironia më e madhe do të ishte që, dy vjet pas vdekjes së Kadaresë, të hapnim përsëri një "Dosje H". Vetëm se kësaj here objekti i hetimit nuk do të ishte Homeri, por vetë Kadareja. Dosja do të regjistronte me përpikmëri datën e lindjes, datën e vdekjes, përvjetorët dhe ceremonitë. Por, si në roman, ajo do të dështonte pikërisht aty ku fillon letërsia. Dosja mund të mbajë evidencën e jetës; nuk mund të administrojë pavdekësinë e veprës. Në stilin kadarean mund të thuhej: Për shkak të retusheve të konstatuara në krijimtarinë e tij Administrata e kohës konstatoi se autori mungonte. Letërsia nuk u paraqit në seancë, sepse nuk e kishte njohur kurrë juridiksionin e kalendarit. Në dosjen e prokurorisë së posaçme në Tiranë shkruhej: "Mungon prej dy vjetësh. Në Bibliotekën Françeskane në Shkodër shkruhej: "I pranishëm." Të dy dokumentet ishin autentike, por i përkisnin dy republikave të ndryshme: asaj të kalendarit dhe asaj të letërsisë.
Kalendari hartoi proçesverbalin e mungesës. Biblioteka refuzoi ta firmoste, me arsyetimin se i pandehuri ishte kapur në flagrancë, duke banuar në faqet e librave të tij. Arkivi e shpalli të mbyllur çështjen. Biblioteka e rihapi pa zhurmë, sa herë që dikush hapi një libër. Debate të ashpra në seancë. Dosja ka gjithmonë një kapak; letërsia nuk ka, këmbëngulnin lexuesit. Në fund, dosja mund të mbyllet. Dosja u arkivua sipas rregullit. Romani vazhdoi të qarkullojë pa leje. Kalendari e kreu detyrën: shënoi edhe një përvjetor. Biblioteka e kreu më mirë të sajën: nuk e vuri re.
Lini një Përgjigje