Një pankartë në New York dhe një plagë e hapur shqiptare

1 Korrik 2026, 18:00Blog Avni Alcani

Shkak për këtë shkrim u bë një fotografi e veçantë e vajzës sime, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dielën, më 28 qershor 2026, ajo mori pjesë në një protestë të organizuar nga një grup shqiptarësh në New York. Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte pankarta që mbante në duar, ku shkruhej në anglisht: “Abolish Law 7501 Now! Justice for the Original Land Owners!” (“Shfuqizoni ligjin 7501 tani! Drejtësi për pronarët e parë të tokës!”).

Kjo pankartë më riktheu te një nga plagët më të mëdha të tranzicionit shqiptar: çështja e pronësisë mbi tokën bujqësore.

Ligji nr. 7501, datë 19 korrik 1991, “Për Tokën”, u miratua në një periudhë të vështirë, me synimin për t’u dhënë shpejt tokë familjeve fshatare dhe për të nxitur prodhimin bujqësor. Megjithatë, ai nuk ua ktheu tokën pronarëve të para vitit 1945, por e ndau atë ndërmjet familjeve që banonin dhe punonin në fshat në kohën e miratimit të ligjit.

Në thelb, ligji u mbështet në parimin leninist se “toka i takon atij që e punon”, dhe jo pronarit të saj të ligjshëm. Për pasojë, ndërsa shumë familje morën tokat që kishin pasur dikur, të tjera përfituan prona që u përkisnin banorëve të larguar nga fshati, të cilët, për shkak se jetonin në qytet në vitin 1991, mbetën jashtë skemës së ndarjes.

Pasojat e këtij ligji vazhdojnë të ndihen edhe sot. Ai krijoi konflikte pronësie, copëzoi tokën bujqësore në parcela të vogla, solli pasiguri juridike me mijëra procese gjyqësore, pengoi investimet në bujqësi dhe nuk arriti të ndalonte braktisjen e fshatit. Sot një pjesë e konsiderueshme e këtyre tokave mbetet e papunuar, ndërsa shumë prej përfituesve jetojnë në qytete ose jashtë vendit.

Shpesh shtrohet pyetja: a mund të shfuqizohet sot ligji 7501?

Nga pikëpamja juridike, përgjigjja nuk është e thjeshtë. Ligji, si akt normativ, mund të ndryshohet ose të shfuqizohet për të ardhmen, por nuk mund të zhbëjë automatikisht marrëdhëniet juridike të krijuara gjatë më shumë se tre dekadave. Miliona parcela janë regjistruar, trashëguar, blerë, shitur ose përdorur si kolateral bankar. Siguria juridike, mbrojtja kushtetuese e pronës dhe praktika e gjykatave shqiptare e evropiane nuk lejojnë që këto marrëdhënie të prishen në mënyrë të përgjithshme.

Kjo nuk do të thotë se padrejtësitë nuk ekzistojnë. Përkundrazi, ato kërkojnë zgjidhje të drejta dhe të pranueshme.

Mendoj se ekzistojnë të paktën dy rrugë.

Së pari, shteti duhet të vendosë një taksë reale mbi tokën bujqësore, siç ndodh pothuajse në të gjitha vendet e zhvilluara. Një taksë e tillë do të nxiste përdorimin e tokës dhe do të dekurajonte mbajtjen e saj të papunuar për vite me radhë. Është e vështirë të mos shtrohet pyetja pse kjo nuk është bërë gjatë më shumë se tre dekadave të tranzicionit.

Së dyti, aty ku është e mundur, duhet të inkurajohet marrëveshja vullnetare ndërmjet përfituesve të ligjit 7501 dhe pronarëve të ligjshëm të mëparshëm. Në shumë raste toka nuk shfrytëzohet, ndërsa pronarët historikë vazhdojnë të kërkojnë atë që e konsiderojnë të drejtën e tyre.

Edhe familja ime është pjesë e kësaj historie. Nga gjyshi kemi trashëguar mbi 60 mijë metra katrorë tokë bujqësore. Prej më shumë se dhjetë vitesh kam kontaktuar me përfituesit e ligjit 7501, duke kërkuar mirëkuptim për kthimin e pronës. Fillimisht pati gatishmëri, por më pas gjithçka mbeti në heshtje. Disa u tërhoqën, të tjerë kërkuan pagesë për tokën që shteti ua kishte dhënë falas. Në fund, u detyrova të heq dorë.

Megjithatë, vajza ime, që jeton mijëra kilometra larg, vazhdon të besojë te drejtësia shqiptare dhe te shteti ligjor. Me pankartën që mbante në duar ajo nuk kërkonte vetëm shfuqizimin e një ligji. Ajo kërkonte që Shqipëria të gjejë një mënyrë të drejtë për të pajtuar historinë me të drejtën, pa cenuar sigurinë juridike, por pa harruar as padrejtësitë që kanë mbetur ende pa një zgjidhje të drejtë.

 

Një pankartë në New York dhe një plagë e hapur

6 Komente

  1. N
    Napoleon

    PO MIRE MO ARI PA K E DIN TI VDO TE THOTE TI HYHET EDHE NJEHERE NGA E PARA KETIJ PROBLEMI???? PO ISHTE PRONARET PARA ISH PRONARE E PO KETA TE RINJTE QE KANE BERE SHTEPINE BIZNESE , SI E GJYKON TI TA ZGJIDHESH ,APO MERNI PUSHKET ....PO IK O TRAP

    Përgjigjjuni
    1. E
      ENTSOE

      Shume e sakte!

      Përgjigjjuni
      1. T
        Teuta,Agroni dhe Bardhyli...

        O avniiii, duhet te shkojmë më larg,më thellë,...në ligjin e Tanzimatit,të kthehet dhe oqej ...sa shumë budallenj paska pas...

        Përgjigjjuni
        1. V
          Vëzhguesi

          E ke gabim, ligji i vitit 1991 vetë ua jepte në përdorim tokën fshatarëve, kurse ndryshimi i vitit 1993 ua kaloi në pronësi fshatarëve.

          Përgjigjjuni
          1. F
            Fshatari

            Ve bast se keta te protetes se NYC jane po ata qe dolen per Palestinen ne NYC, po ata qe dolen per "dhunen e policise", po ata qe dolen per te drejtat e LGBTSJHFHUNDU, po ata qe dolen kunder masave per emigracionin e jshteligjshem, po ata qe votuan per kryetar bashkie nje komunist etj etj etj etj. Te njejtit organizatore te njejtin financues, te njejtit protestues.

            Përgjigjjuni
            1. X
              Xeni

              Por se gjithmon ka nje por , edhe ne qe ishim ne qytet morem shtepi nga shteti pa leke ( andej nga ishin prinderit e mij ) kane ikur te gjithe tani dhe nuk i hyn ne pune toka askujt , i gjithe sherri eshte per tokak ne bregdet dhe ato neper 5 ose 6 qytet e medha.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje