Qeveria britanike pritet të shpallë këtë javë objektivat e parë të një regjimi të ri sanksionesh financiare që synon goditjen e trafikut të qenieve njerëzore drejt Mbretërisë së Bashkuar. Në shënjestër të masave ndodhen krerë bandash kriminale dhe kompani që furnizojnë pajisje për varka të vogla, të cilat përdoren për kalimin e Kanalit Anglez nga emigrantët e paligjshëm.
Sipas autoriteteve britanike, ky është veprimi i parë i këtij lloji në botë dhe një pjesë kyçe e planit të Kryeministrit Sir Keir Starmer për të frenuar imigracionin e parregullt dhe për të “shkatërruar rrënjësisht rrjetet kriminale që organizojnë kalimet me varka të vogla”.
Strategjia e re, e prezantuar fillimisht në janar, do të konkretizohet të mërkurën me publikimin e emrave të dhjetëra individëve dhe entiteteve, të cilëve do t’u ngrijnë asetet, do t’u ndalohet hyrja në Britani dhe pjesëmarrja në sistemin financiar britanik.
Zyrtarët: Një hap i paprecedentë për të ndaluar rrjetet kriminale
Sekretari i Jashtëm, David Lammy, deklaroi: “Për shumë kohë, bandat kriminale kanë përfituar nga dëshpërimi i njerëzve të cenueshëm pa u ndëshkuar. Këto sanksione do të shënjestrojnë jo vetëm kontrabandistët, por edhe ata që i financojnë dhe i ndihmojnë përmes mjeteve të sofistikuara si rrjetet Haëala.”
Lista e të sanksionuarve pritet të përfshijë furnizues të dokumenteve të falsifikuara, financues të anijeve të vogla dhe ndërmjetës që operojnë në sistemet e paligjshme të transfertave të parave.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, e cilësoi nismën si një “hap vendimtar në luftën kundër bandave kriminale që përfitojnë nga mjerimi njerëzor”. “Ne do të çmontojmë këto rrjete pjesë-pjesë, kudo që ato veprojnë”, shtoi ajo.
Presion ndaj qeverisë mes rritjes së emigracionit
Kryeministri Starmer ndodhet nën presion të fortë politik për të ndalur rritjen e ndjeshme të kalimeve të Kanalit. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, mbi 20,000 emigrantë kanë hyrë në Britani me varka të vogla – një rritje prej 50% krahasuar me vitin e kaluar, sipas Ministrisë së Brendshme.
Në këtë kuadër, qeveria ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Francën për një model “një brenda, një jashtë”, që parashikon kthimin e një emigranti të paligjshëm në këmbim të pranimit të një azilkërkuesi të ligjshëm nga Franca, pas verifikimeve të sigurisë.
Lini një Përgjigje