Europa dhe dragoi kinez

14 Qershor 2025, 22:41Bota TEMA
Europa dhe dragoi kinez

The Economist

Europa po mban bisedime tregtare me të dyja superfuqitë e botës. Ajo është kërcënuar me tarifa prej 50% nga Amerika, që pritet të vendosen më 9 korrik, por janë hedhur poshtë nga një vendim gjykate, që administrata Trump e ka apeluar.

Në të njëjtën kohë, Europa po përpiqet të rivendosë marrëdhëniet me Kinën, me një samit që pritet të mbahet gjithashtu në korrik.

Për rrjedhojë, është formuar një dinamikë e ndërlikuar trekëndore. Europa duhet të jetë gjithnjë e më e ndërgjegjshme se si marrëdhëniet e Amerikës me Kinën po ndikojnë në ekonominë dhe sigurinë e saj.

“Në këtë trekëndësh, secila palë i shikon dy të tjerat me dyshim”, thotë Steven Everts, nga Instituti i BE-së për Studime të Sigurisë.

Dhe Europa është dyfish e pambrojtur. Kur bëhet fjalë për luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës, Amerika e Donald Trump dhe Kina e Xi Jinping, kanë të dyja qëndrime që bien ndesh me interesat e sigurisë së Europës.

Ekonomia e Europës që ka ngecur në vend po kërcënohet, si nga tarifat amerikane, ashtu edhe nga konkurrenca kineze.

Kina ndien një mundësi për të kthyer njërën anë kundër tjetrës dhe është përfshirë në bisedime të thella me europianët.

Më 30 prill, ajo hoqi sanksionet ndaj një numri anëtarësh të Parlamentit Europian dhe institucioneve të tij, që i kishte vendosur që në vitin 2021. Ky ishte një lëshim që nuk i kushtonte shumë presidentit kinez Xi Jinping.

Por ka shenja se Kina po rrit përpjekjet diplomatike. Për shembull, aleanca midis rajonit kinez Sichuan dhe shtetit më të populluar gjerman, North Rhine-Westphalia, kishte qenë në gjumë prej vitesh. Tani ajo po rigjallërohet nga pala kineze me plane për një vizitë të nivelit të lartë.

BE-ja po mendon si të përgjigjet

Disa thonë se Europa ka një shans që të mbrojë interesat e veta dhe t’i tregojë Trump se BE-ja ka gjithashtu mundësi të tjera.

“Pozicioni i qeverisë spanjolle është se BRICS janë një pjesë kyçe e rendit të ri global dhe është thelbësore që ne të mësojmë si të punojmë me ta”, thotë Toni Roldan nga EsadeEcPol, një institut me seli në Madrid.

Qeveria e re e Gjermanisë, po mban ende një qëndrim të ashpër. Komisionit Europian i është dhënë detyra e ndërlikuar për të përpiluar një qëndrim të përbashkët europian, përpara një samiti midis BE-së dhe Kinës, i cili do të mbahet në Pekin në korrik (u zhvendos në Kinë, sepse presidenti Xi nuk pranoi të vizitonte Brukselin).

Shqetësimi i parë që Europa do të dëshirojë të ngrejë në samit është tregtia. Për shkak të luftërave tregtare të Trump, mallrat që do të shkonin për tregun amerikan mund të derdhen në brigjet e Europës.

Një task-forcë e BE-së po vëzhgon të dhënat e doganave dhe transportit, që tregojnë një rritje të eksporteve në Europë (shih grafikun 1). Ka edhe shqetësime për kapacitetin e tepërt në prodhimin kinez dhe hyrjen e mallrave të subvencionuara në tregun e BE-së.

Kina po depërton në Europë, sidomos në mallrat me karbon të ulët si turbinat e erës, panelet diellore dhe pajisjet me efikasitet energjetik. Vendi gjithashtu po importon gjithnjë e më pak (shih grafikun 2).

Një quid pro quo e ndërlikuar?

Edhe pse kjo do të ishte përfituese për konsumatorët europianë, ajo dëmton prodhuesit europianë. Prandaj, BE-ja dëshiron të shtojë masat mbrojtëse. Ajo sapo ka vendosur detyrime ekuilibruese për disa lloje pajisjesh industriale, përveç detyrimeve antidumping që vendosi në janar.

Për automjetet elektrike, Europa dëshiron që Kina të pajtohet me një çmim minimal për makinat e importuara. Europianët do të argumentojnë se Kina ka nevojë për tregun europian, që është i vetmi treg ende i hapur për mallrat kineze.

Megjithatë, Kina mund të tërhiqet. Presidenti kinez Xi gjithashtu ka vënë re se vendet kryesore të Europës po luftojnë me populistët e krahut të djathtë, popullariteti i të cilëve po rritet, dhe prandaj do ta kenë të vështirë të përballojnë një luftë ekonomike me Kinën.

Kërkesa e dytë europiane është më shumë rritje ekonomike. Firmat europiane kanë vënë re se aksionet e tyre të tregut në Kinë, po tkurren. Ndërkohë, investimet direkte kineze në Europë kanë ndryshuar natyrë, nga blerja e kompanive dhe teknologjisë europiane, në investim në fabrika të reja kineze (shih grafikun 3).

Duke vepruar kështu, Kina po përpiqet të shmangë transferimin e teknologjisë te firmat europiane, për të parandaluar që Europa t’i bëjë Kinës atë që Kina i bëri Europës: të mësojë nga teknologjia e përparuar e huaj, në mënyrë që të zhvillojë industritë e saj konkurruese.

Pala kineze ka hedhur idenë e ringjalljes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse për investimet (CAI), një plan që u propozua që në vitin 2013, u finalizua në vitin 2020, por nuk u ratifikua kurrë nga europianët, kryesisht për shkak të sanksioneve të Kinës ndaj eurodeputetëve.

Ajo do t’u kishte dhënë disa firmave europiane qasje më të mirë në tregun kinez dhe do të mbronte investimet kineze jashtë vendit, duke konsoliduar në një, 27 marrëveshje dypalëshe investimi me Kinën.

“Por kjo është një marrëveshje e vjetër”, thotë Janka Oertel nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. “Tani kanë ndryshuar shumë gjëra”. Zyrtarët e BE-së e quajnë CAI-n të vdekur.

BE-ja është më e shqetësuar për të shmangur një garë drejt fundit. Vendet anëtare po garojnë për të siguruar investime kineze, me Hungarinë në krye.

Kjo e bën të vështirë vendosjen e kushteve të njëjta të rrepta që Kina ka qenë në gjendje t’u imponojë IHD-ve europiane në Kinë, për shembull në transferimin e teknologjisë, stafin lokal ose integrimin në zinxhirët e furnizimit lokal.

Investimi i brendshëm qeveriset nga rregullat kombëtare dhe jo nga BE-ja. Shpresa është që një marrëveshje politike me Kinën, të paktën të përcaktojë disa rregulla bazë.

Kërkesa e tretë europiane ka të bëjë me Ukrainën. Vizita e presidentit Xi në Moskë me rastin e përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore tregoi solidaritetin e tij me Rusinë.

Por vëzhguesit e Kinës mendojnë se Xi dëshiron që lufta të përfundojë. “BE-ja mund të kërkojë që Kina të trajtojë rieksportet e mallrave të BE-së me përdorim të dyfishtë, nga Kina në Rusi”, mendon zoti Everts. Dhe BE-ja shpreson ta bindë Kinën që të zotohet ekonomikisht në Ukrainë.

Strategjia e Kinës për Europën mbetet e pandryshuar. Ajo do të donte të largonte kontinentin nga Amerika, duke dobësuar dhe duke ndarë Perëndimin, mundësisht me një kosto të ulët për veten.

Zoti Trump ia bëri këtë më të lehtë duke kërcënuar sigurinë dhe ekonominë e Europës. Për shkak të Trump, BE-ja tani duhet të shohë si të rrezikshme të dyja palët, jo vetëm Kinën. Asnjë nga këto rrethana nuk e ndihmon BE-në në bisedimet me Dragoin Kinez.

1 Komente

  1. D
    Dakord

    Pra në kapitalizëm nuk paska vend për një lojtar të tretë si Kina!! Usa dhe BE duhet të prodhojnë e të tjerët të ulin kokën e të shesin fuqinë e tyre punëtore. Usa i thotë BE-së ose bashkohu me mua kundër Kinës ose do kacafytemi të tre!! BE po mendohet! Hmm

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje