Gjermania krijon njësinë speciale kundër dronëve

2 Dhjetor 2025, 21:40Bota TEMA
Gjermania krijon njësinë speciale kundër dronëve

Qeveria gjermane ka vënë në funksion një njësi të re speciale të policisë kundër dronëve, një masë e paprecedentë për t’iu përgjigjur mbi 1 mijë fluturimeve të paautorizuara mbi infrastrukturë kritike dhe objekte ushtarake gjatë këtij viti – shumica dyshohet të jenë të lidhura me Rusinë.

Njësia, e bazuar në Ahrensfelde pranë Berlinit, pritet të ketë mbi 130 pjesëtarë dhe të jetë në gjendje të ndërhyjë “shpejt, kudo në vend”, deklaroi ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.

Ajo do të përdorë mjete të avancuara, nga teknologjitë e zbulimit dhe bllokimit të sinjaleve, deri te “dronët interceptues” dhe mjete fizike, përfshirë edhe neutralizimin e dronëve kur është e nevojshme.

Paralelisht, aeroportet gjermane do të pajisen me sisteme të reja anti-dronë, ndërsa Berlini po krijon edhe një qendër kombëtare për mbrojtjen kundër dronëve për të koordinuar më mirë policinë, ushtrinë dhe autoritetet rajonale.

Sipas policisë federale, dy të tretat e dronëve të zbuluar këtë vit kanë shkelur hapësirën mbi aeroportet e mëdha të vendit, ndërsa autoritetet thonë se motivimet mund të jenë politike.

Qeveria po investon mbi 100 milionë euro deri në vitin 2026 në teknologjitë për mbrojtje, me mbështetjen e partnerëve nga Ukraina dhe Izraeli.

Lini një Përgjigje