Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka mirëpritur planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për furnizimin e Ukrainës me armë dhe sisteme mbrojtëse ajrore “në shkallë të gjerë”.
“Presidenti Trump dhe unë e kemi diskutuar këtë disa herë gjatë ditëve të fundit. E kam siguruar se Gjermania do të luajë një rol aktiv”, shkroi Merz në një postim në platformën X.
Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë sisteme të avancuara mbrojtëse ajrore Patriot për të ndihmuar Kievin të mbrohet nga sulmet ruse, ndërsa kostot e furnizimit do të mbulohen nga Bashkimi Evropian.
Më herët, Merz kishte shprehur gatishmërinë e Gjermanisë për të blerë sisteme Patriot nga SHBA-ja për t’ia dorëzuar Ukrainës. Raportohet se bëhet fjalë për dy sisteme që do të financohen nga Gjermania, ndërsa një tjetër sistem do të mbulohet nga Norvegjia.
“Po e bëjmë këtë për interesin tonë”, tha Merz. “Kjo do t’i ndihmojë ukrainasit të mbrohen nga terrori i bombardimeve ruse dhe do të rrisë presionin ndaj Moskës që të ulet në tryezën e bisedimeve për paqe. Në fund të fundit, po tregojmë se jemi të bashkuar si partnerë në politikën e sigurisë.”
Ndërkohë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ndodhet në Uashington për bisedime mbi këtë çështje. Pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, Pistorius tha se dërgimi i dy sistemeve Patriot është në përgatitje, por detajet teknike, logjistike dhe financiare janë ende në proces sqarimi.
Ukraina ka bërë të ditur se ka nevojë urgjente për dhjetë sisteme të tilla mbrojtëse për të përballuar sulmet ajrore ruse.
Trumpi-i 2 foli si Trump-i 1. Eshte mbushur Bota me drejtues te papergjegjshem per ato qe thone dhe bejne.