Hakmarrja amerikane

29 Qershor 2025, 22:00Bota TEMA
Hakmarrja amerikane

Kush do ta paguajë “taksën hakmarrëse” të SHBA-së ndaj të huajve? Fillimisht investitorët e huaj, pastaj amerikanët

Problemet nisën, si shpeshherë, me Francën. Përfaqësuesit e Kongresit në vitet ‘30 u ankuan për “shtete në mbarë botën që nuk janë veçanërisht miqësore me Shtetet e Bashkuara në aspektin e biznesit”.

Kryesisht kjo nënkuptonte fuqinë europiane, e cila kishte vonuar ratifikimin e një marrëveshjeje tatimore dhe ndërkohë po i taksonte dyfish amerikanët. Në vitin 1934, për të nxitur politikëbërësit francezë të përshpejtonin procesin, Kongresi miratoi një dispozitë që sot njihet si Seksioni 891.

Ajo i jepte presidentit fuqinë për të dyfishuar taksat ndaj shtetasve dhe kompanive nga vendet, që ai i gjykonte se po taksonin padrejtësisht qytetarët amerikanë, shkruan The Economist.

Në fund, Franca e ratifikoi marrëveshjen dhe Seksioni 891 nuk u vu asnjëherë në zbatim. Por ai ka mbetur në legjislacion që prej asaj kohe. Gati një shekull më vonë, në një periudhë tjetër ku globalizimi është në rrezik, Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij në Kongres kanë ringjallur idenë e një takse hakmarrëse.

Si pasojë, investitorët e huaj, që zotërojnë së bashku mbi 60 trilionë dollarë në asete amerikane, janë gjithnjë e më të shqetësuar për një valë të re kaosi, vetëm pak muaj pas tarifave të “Ditës së Çlirimit” të 2 prillit.

Burimi i këtij shqetësimi është Seksioni 899, një shtesë e propozuar në kodin tatimor brenda paketës ligjore të Trump-it të quajtur “Një Akt i Madh dhe i Bukur” (“One Big Beautiful Bill Act”), që është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe po shqyrtohet nga Senati.

Ky seksion synon vendet me “taksa të huaja të padrejta”, kryesisht taksat për shërbimet dixhitale, që prekin më së shumti gjigantët amerikanë të teknologjisë, dhe rregullat për fitimet e patatuara, të cilat synojnë të parandalojnë fshehjen e fitimeve në parajsat fiskale.

Ashtu si në vitet tridhjetë, këto taksa janë nxitur nga vendet europiane. Por shumica e vendeve të pasura, përfshirë Australinë, Britaninë, Kanadanë, BE-në, Japoninë dhe Korenë e Jugut, kanë të paktën një taksë që bie në kundërshtim me këto kritere.

Instituti kërkimor Tax Foundation vlerëson se 80% e Investimeve të Huaja Direkte në SHBA vijnë nga vende që përfshihen në Seksionin 899.

Në këtë rast, Kina është një përjashtim i rrallë.

Seksioni 899 penalizon të ardhurat nga investimet dhe aktivitetet tregtare të të huajve në SHBA. Dividentët që u paguhen aksionerëve të huaj, fitimet nga degët amerikane të firmave të huaja dhe të ardhurat nga shitja e pronave në SHBA, do të tatohen më rëndë si pasojë e kësaj dispozite.

Shumica e pagesave të interesit, përfshirë bonot e thesarit, pritet të mos ndikohen, me ndonjë përjashtim si interesi nga huadhëniet që japin bankat e huaja në SHBA. Totali i flukseve të prekura kalon gjysmë trilion dollarë në vit.

Dispozita do të shtonte pesë pikë përqindjeje tatim çdo vit, deri në një kufi maksimal 20%, për shtetasit e vendeve që konsiderohen si shkelëse.

jo do të zgjeronte gjithashtu fushën e tatimit dhe taksave amerikane për shmangien e bazës tatimore dhe abuzimeve, i cili synon të dekurajojë kompanitë e huaja nga transferimi i fitimeve jashtë vendit. Investitorët e lidhur me qeveritë e huaja, që preken nga Seksioni 899, siç janë fondet e pensioneve apo fondet sovrane, do të humbisnin mbrojtjet që gëzojnë aktualisht.

Sipas Komitetit të Përbashkët për Tatimet, një organ mbikqyrës, Seksioni 899 përfaqëson një rast të rrallë të rritjes së taksave dhe tatimeve, që ndodhet në anën e gabuar të Kurbës së Laffer-it (që do të thotë se do të reduktonte, në vend që të rriste të ardhurat).

Sipas parashikimeve të këtij institucioni, deri në fillim të viteve 2030, dispozita do t’i shkaktonte humbje buxhetit amerikan për shkak të frikësimit të investitorëve të huaj dhe rrjedhimisht uljes së çmimeve të aseteve amerikane.

Në fakt, qëllimi i Seksionit 899 nuk është mbledhja e të ardhurave, por frikësimi. Alan Cole nga Tax Foundation përdor një metaforë ushtarake: “Ne po hedhim një granatë mbi pasurinë tuaj ndërsa ajo ndodhet brenda shtëpisë sonë.

Por në të njëjtën kohë, po hedhim një granatë edhe brenda shtëpisë sonë.” Shtëpia e Bardhë shpreson se vetëm kërcënimi me tatimet e Seksionit 899 do t’i bindë vendet e tjera të tërheqin taksat dhe tatimet e tyre.

Një qasje e tillë, së bashku me një taksë të propozuar 3.5% mbi remitancat, që gjithashtu është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, sugjeron një prirje shqetësuese. Siç vëren Tan Kai Xian nga kompania konsulente Gavekal:

“Taksa hakmarrëse mund të perceptohet si një formë kontrolli e hyrjeve të kapitalit, ndërsa taksa mbi remitancat mund të perceptohet lehtësisht si një version i kontrollit të daljeve të kapitalit”.

Kombinimi i këtyre masave përbën një hap të qartë, megjithëse të vogël, drejt kontrollit të kapitalit, duke e shtrirë logjikën proteksioniste të Trump nga tregtia e mallrave te flukset financiare.

Rreth një shekull më parë, ishte Franca ajo që u tërhoq e para. Sot, sjellja e paparashikueshme e Trump e ka bërë investimin në Amerikë më të rrezikshëm. Dhe deficitet e mëdha të vendit ende kërkojnë që të financohen nga të huajt.

Nëse Seksioni 899 shkakton mjaft trazira në treg, këtë herë rezultati mund të mos jetë në favor të Amerikës.

1 Komente

  1. k
    koalas

    trumpi eshte gomar.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje