Historiani italian Aldo Gallota dhe origjina e Korçës: Kur u ngrit flamuri i Skënderbeut dhe u shpall “vetqeverimi shqiptar”

11 Qershor 2022, 10:42Dossier Vladimir Dino

 

Historiani italian Aldo Gallota dhe origjina e Korçës: Kur u ngrit

 

 

Duke lexuar librin “SKËNDERBEU” të Oliver Jans Schmitt, libri që ngjalli dhe vazhdon të  ngjallë shumë polemika, shqipëruar nga i ndjeri Adrian Klosi, botuar në vitin 2008, më tërhoqi vëmendjen shënimi në fund të faqes 27, ku shkruhet: “A. Gallota. Ilyas bey, i mutevelli e le origini di Corriza ( Korçë/Göricë ), te Zachariadou, The via Egnatia f. 113-122”. Këtë studim për historinë e origjinës së qytetit ku banojmë ne sot, Korçës, të shkruar nga një historian i huaj, i cili nuk ka emocione fetare dhe ksenofobe, e kam vendosur të shqipëruar të plotë në librin      “Qyteti i Korçës, Zanafilla” Botim shtypshkronja “ KOTTI” Korçë 2018. Aldo Gallota ( 1941 – 1997) ka qënë një nga studiuesit më të njohur të kulturës dhe historisë së islamit në Itali.

I lindur në 1941 Gallota prej vitit 1975 punoi si professor i Universitetit Oriental të Napolit. Së bashku me Luigi Bonellin, Ettore Rossin dhe Alessio Bombacin ishin pionierët e studimit të islamit dhe historisë së Turqisë në gadishullin Apenin, duke qenë gjithashtu një nga themeluesit e Departamentit për studime aziatike pranë Institutit Italian për Afrikën dhe Lindjen. Një intelektual dhe studiues, i cili kontribuoi për dekata me rradhë për njohjen e kulturës dhe civilizimit arabo/islamik duke qenë njëkohësisht edhe bashkëbisedues i Ministrisë së Jashtme Italiane për zgjidhjen e shumë krizave politike që ndodhnin në vendet muslimane.

Aldo Gallota, gjatë aktivitetit të tij akademik, ka botuar dy monografi shumë të rëndësishme për peridhën osmane në Europë: “ Il Gazavat- I Hayreddin Pasa di Seyyid Murad” Botuar në 1983 dhe “ Il turcvo Osmanli del XVI secolo second il “Gazavat – i Hayreddin Pasa” Botuar në 1984. Gjithashtu Universiteti i Napolit ka botuar në nder të Aldo Gallotës, në vitin 2005 volumin “ Turcica et Islamica. Studi in Memoria di Aldo Gallotta” Preokupimi i një historiani të huaj, kaq të shquar, me historinë e origjinës së qytetit të Korçës është tregues i qartë se sa interesante është historia e themelimit të tij. Po përpiqemi që në mënyrë të përmbledhur të paraqesim pikpamjen e historianit Aldo Gallota për origjinën e qytetit të Korçës ku banojmë ne sot. Aldo Gallota në studimin e tij ka shfrytëzuar të dhënat e historianëve të tjerë të huaj si: E.Rosi, M.Kiel, F.Babinger, H.inalcik, H.G.Myer, A.Mazon, CH.hopf etj., por shumë të rëndësishme për të janë edhe studimet e historianëve shqiptarë për origjinën e qytetit të Korçës si: X. Karmici “ΓΕΟΓΡΑΦΙΑ ΤΗΣ ΚΟΡΥΤΣΑΣ ΚΑΙ ΤΗΣ ΠΕΡΙΟΙΚΙΔΟΣ”, N. D. Naçi me “Korça dhe Katundet e Qarkut”, P. PEPO “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë, Berati i Sulltan Bajazitit II dhe vakëfnameja e Mirahor Iliaz beut”, “Katër dekrete të sulltan Bajazitit II për Mirahor Ilias beun”, S. Pulaha “Pronësia feudale në tokat shqiptare. shek.XV- XVI” etj. Aldo Gallota pranon konkluzionin e historianëve shqiptarë, që themelimi i qytetit të Korçës ku jetojmë ne sot, pati si fillim një fshat të quajtur Peskopje – Peshkëpi, që ju dha si pronë personale (mylk) Ilias Bej Mirahorit, i cili lindi i krishterë në Panarit të Korçës me emrin Ilia, u mor peng nga turqit në moshë të vogël dhe u edukua prej tyre si jeniçer. Mbas një kariere të suksesshme në ushtrinë turke (mori pjesë në pushtimin e Stambοllit ku u shpërblye me prona të shumta në lagjen Jedi Kule) si dhe në administratën osmane (sanxhakbej në Janinë, ku dhe këtu pati prona të shumta) djaloshi Ilia nga Panariti u njoh nga historia me emrin e myslimanizuar Iljas Bej Mirahori. Kur u moshua u kthye në atdhe ku mori si pension fshatrat Panarit dhe Trebickë, të cilat i shkëmbeu më vonë me fshatin Peskopje – Peshkëpi, fshat që ishte në vartësi të Göricës, Gjërixhes, (Korçës). Ky përfundim jepet në mjaft dokumenta të shek. XV siç janë dekretet e sulltan Bajazitit II dhënë Iljas Bej Mirahorit. Me dekretin e vitit 1496 Sulltan Bajazitit II, i jep Iljaz Bej Mirahorit në pronësi (mylk) fshatin Peskopje, duke e shkëmbyer me fshatrat Panarit dhe Treskë që i zotëronte më parë. Dekreti shkruan si më poshtë:

“Beut të sanxhakut të Janinës, Iljazit, i lartë qoftë gjithënjë, ia kam dhuruar si pronë personale edhe taksën e deleve të fshatit të quajtur Panarit, që varet nga Përmeti, krejt farën e produkteve dhe taksën e deleve, përveç haraçit të fshatit Treska që varet nga Çakdari, por tani i lartpërmënduri i lë ato e në vend të tyre (kërkon t’i jepet) fshati Peskopje, që është në vartësi të Korçës, që ka dy pjesë…Edhe unë ia dhuroj të lartpërmëndurit që të dy pjesët e fshatit në fjalë. Këtë dekret mbretëror ia dhashë të lartpërmëndurit dhe urdhërova që këtej e tutje fshati i mësipërm Peskopje, të jetë e thjeshtë dhe e drejtë absolute e të lartpërmëndurit, i cili le ta posedojë si pronë e tij personale.”

Pronësia e fshatit Peskopje nga Ilias Bej Mirahori vërtetohet edhe nga dekreti tjetër i sulltan Bajazitit, i vitit 1497, që përcakton kufijtë e fshatit Peskopje, i cili është si mëposhtë:

“Beut të sanxhakut të Janinës, Iljazit – i lartë qoftë gjithënjë – i pata bërë pronë personale fshatin e quajtur Peskopja që është në vartësi të Gjërixhes (Korçës)… Pas këtij raporti që më bënë (kadijtë në fjalë) e quaj të vendosur kufirin e lartpërmëndur…dhe urdhërova që pronën në fjalë me kufijtë e sipërshënuar ta posedojë përgjithmonë si pronë personale derisa të qëndrojë dheu me gjithçka mbi të.”

Në studimin e tij, për origjinën e Korçës, Aldo Gallota duke u bazuar në këto dekrete të sulltanit si edhe në të tjera dokumente shprehet: “Origjina e Korçës të refereruara nga tradita gojore mund të lexohen në dy vepra të historisë vendore. E para është e Karmicit, që përmban sa më poshtë vijon:

“Në ndryshim nga qytetet e tjera si p.sh. Ohri (Lihnidos , Kosturi etj, historia nuk na thotë kur dhe si u formua Korça dhe kjo sepse nuk është shumë e lashtë. Tradita gojore popullore, na afron lajmet e mëposhtëme lidhur me themelimin e saj. Pra, sipas saj, Korça para vitit 1487 ishte një fshat krejtësisht i humbur, i quajtur Episkopi dhe përfshinte gati 15 shtëpi të fshatarëve me një kishë të hapur ndaj kultit me emrin e Shën e Premtes…”

Në thelb për sa më sipër përputhet edhe tregimi i Nuçi Dhimitër Naçi, nxënës i Karmicit dhe autor i një monografie për Korçën në gjuhën shqipe. Edhe ky autor pohon se para vitit 1487 Korça ishte një lagje e vogël me fshatarë, prej pesë – dhjetë shtëpish dhe quhej “Peshkëpi”. Ai kujton dhe një kishë kushtuar Shën e Premtes që ndodhej në atë vend dhe e blerë nga Ilias beu. Mbetet që të vendoset, nëse Peskopja e vjetër shtrihej në të gjithë Korçën e sotme apo kufizohej në një pjesë të saj. Me këtë çështje lidhet ajo e vendndodhjes së Korçës së vjetër që siç rezulton nga dokumenti dallohej fort mirë nga Peskopja e atëhershme dhe nuk përjashtohet që të ishte jashtë kufijve të Korçës së sotme. Për pyetje të tilla të ngjashme mund të gjejmë përgjigje ose të paktën të dhëna për një zgjidhje në dokumentin tonë, nëse të dhënat e tij do të mundësohen nën dritën e një studimi topografik.” f.120,121. Në studimet e historianëve shqiptarë për themelimin e qytetit të Korçës, ku banojmë ne sot, ka dy mendime. Disa historianë  Korçën e vjetër (G?rica/Gjërixhe/Corriza), që paraqitet në regjistrin turk të vitit 1431, si kala e banuar nga 25 familje të krishtera, e vendosin në qëndër të qytetit të Korçës së sotme, atje ku ndodhet shtëpia në të cilën në 10 Dhjetor 1916 atdhetarët korçarë me në krye Themistokli Gërmënjin ngritën flamurin shqiptar të Skënderbeut dhe shpallën “Vetqeverimin Shqiptar” të Krahinës së Korçës, e quajtur më vonë “Republika Shqiptare.” Argumentet e tyre për ta vendosur kalanë e Korçës në këtë vënd janë dy.

Së pari, mbështetur në traditën gojore të banorëve të Korçës kjo zonë është emërtuar Lagja Kala. Argument tjetër i “fortë” i përdorur prej tyre është zbulimi në këtë zonë i disa themeleve të vjetra, që i përkasin sipas specialistëve “një objekti të fortifikuar”, të cilin e emërtojnë menjëherë si “themelet e murit rrethues të kalasë”. Por një ekspert skrupuloz, arkeologu Petrika Lera, megjithëse e përkrah këtë tezë, vë në dukje disa mangësi esenciale për ta quajtur këtë objekt të fortifikuar përfundimisht si “Kalaja e Korçës”. Ai pranon që këto fragmente muresh nuk janë studiuar nga specialistët:

“…me keqardhje vëmë në dukje, ndonëse ishte mundësia për ta dokumentuar këtë trakt muri nuk u lejuam që ta bënim një gjë të tillë”!

(Kush ishte i interesuar që këta mure të mos studjohen dhe i ndaloi arkeologët të përcaktonin cilës periudhë i takonte objekti i fortifikuar, periudhës byzantine, periudhës para apo pas pushtimit turk?). Gjithashtu, kufizimi i këtyre themeleve e çon arkeologun Petrika Lera në konkluzionin se nuk kemi të bëjmë me një “kala qytet” me 26 familje, si shkruan regjistri turk vitit 1431, sepse:

“…gjatë punimeve ndërtuese të kryera brenda territorit, ku mendojmë se ka qënë shtrirë kalaja, nuk janë konstatuar gjurmë godinash që të mendojmë për ekzistencën e një kalaje qytet.”!!!

Përsa i përket objektit të fortifikuar, themelet e të cilit janë konstatuar në qendër të qytetit të Korçës, përgjigjen për këtë na e jep historiani i parë që ka shkruar për historinë e qytetit të Korçës, atdhetari Thimi Mitko:

“Meqënëse pozicioni i saj (Korçës V.D.) ndodhet në një kalim publik (rrugë publike) atëhere këtu gjendej edhe një bujtinë me rëndësi” dhe e përsërit në një shkrim tjetër: “Mbi themelimin e Korçës duhet thënë, se në vëndin ku shtrihet sot qyteti, në periudhën byzantine, qe një bujtinë e fortifikuar, pronë e bijës ë hegjemonit, qëndra e të cilit ndodhej në vendin e quajtur qytet ( Kala e Mborjes)” f.58.

Kjo bujtinë e fortifikuar e kohës së Mesjetës është pa asnjë diskutim shkaku i gjetjes së themeleve të “objektit të fortifikuar” në qendër të qytetit të Korçës ku banojmë ne sot. Gjurmët e “Bujtines të Fortifikuar”, që përmënd Mitko, nuk janë gjetur në asnjë vend tjetër në qytetin e Korçës, megjithë gërmimet e shumta që janë bërë në qytet për ngritjen e pallateve shumëkatëshe, hapjen e kanalizimeve etj. Përsa i përket toponimit “lagja kala”, të përdorur në këtë zonë, studiuesi S. Ramo në librin e tij “Ilia Panariti dhe Korça” sqaron se ky emërtim erdhi sepse këtu i ndërtuan shtëpitë banorët e kalasë, kur u larguan nga kalaja në kodër dhe u vendosën në fshatin Peskopje, duke e emërtuar lagjen e tyre “Lagja kala”, njëlloj si banorët e fshatit Barç që kur u vendosën në fshatin Peskopje e quajtën lagjen e tyre me emrin “lagja Barç”. Studiuesit e tjerë, duke mos pranuar vendndodhjen e “kalasë me 25 familje” në mes të qytetit të sotëm të Korçës, e vendosin këtë “kala të banuar nga 25 familje të krishtera” në kodrat e qytetit, në afërsi të fshatit Mborje. Argumentet e këtyre studiuesve janë trajtuar me hollësi në studimin “ Qyteti i Korçës-Zanafilla” Botim 2017, por këtu do të shohim edhe mendimin e Gallotës për vendndodhjen. e kalasësë Korçës.

“Fillimi i kufijve të fshatit të përmëndur (Peskopja V.D.), nga varri i kaurit të quajtur Dimitri Dobreçin që është në anën lindore mbi pikën ku fillon kufiri dhe nga rruga e Drenovës del në rrugën e Emborjes (sot fshati Mborje V.D.) dhe mbërin në anën e sipërme ku puqet me fshatin në fjalë. Prej këtej shkon drejt brenda vreshtave nga muri i rrëzuar, nga kalaja te Druri i Thanës dhe puqet me vreshtin e kaurit të quajtur Hris.”

Është i pakuptueshëm hezitimi i drejtuesve të Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Korçë dhe të drejtuesve të Departamentit të Historisë të Universitetit F. S. Noli për të përmbushur porosinë e historianit të shquar, Aldo Gallota. Shpresojmë se ky shkrim do të shërbejë për të tërhequr vëmëndjen e tyre si edhe vemendjen e Institutit Arkeologjik, Ministrisë së Kulturës, Këshillit Bashkiak të qytetit të Korçës etj., për të siguruar fondet e nevojshme dhe për të angazhuar specialistët përkatës me qëllim që të përcaktohet vendndodhja e “kalasë” pra, Korçës të vjetër (G?rica/Corriza). Kështu do t’i shtohet Korçës moderne, qytetit ku banojmë ne sot të zhvilluar nga Iljas Bej Mirahori mbi bazën e fshatit Peskopje-Peshkëpi, pronë e tij, një objekt me vlera turistike të veçanta./telegraf

Lini një Përgjigje