Historia e panjohur e priftit katolik të ritit unit: Atë Josif Papamihali, pasi u dënua nga gjykata ushtarake e Korçës në gushtin e ’47-ës, u dërgua në kampin e kënetës së Maliqit, ku mbeti në llucë…

7 Qershor 2022, 21:30Dossier TEMA

Historia e panjohur e priftit katolik të ritit unit: Atë Josif

Nga Dr. Mirela Sinani

Vuajtës: Atë Josif Alqiviadh Papamihali, prift katolik i ritit unitar. Atë Josif Papamihali ka lindur më 23 shtator 1912 në Elbasan, me shtetësi e kombësi shqiptare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Itali në gjimnazin fetar “Grotta Ferrata” pranë Romës. I’u dha një bursë për të kryer studime filozofiko-teologjike në Kolegjin Pontifik Grek të Shën Athanasit në Romë, që e mbaroi më 1936.

Shkoi për 6 muaj në Lungro të Kalabrisë, ku ndenji me italo-shqiptarët e atjeshëm. Për shkak të formimit, fliste dhe shkruante në gjuhët italiane, latine, greke, shqipe dhe pak në frëngjisht. Sapo u kthye në atdhe, filloi të ushtrojë detyrën e priftit unit në Elbasan si ndihmës i atë Pjetër Skarpelit e më pas në Korçë nën drejtimin e patër Brunetit, më pas në Berat, në Lushnjë e në Pogradec, deri në vitin 1946, kur sërish u kthye për 2 vjet në Korçë. Si prift unit bën pjesë në linjën e Kishës Katolike, por jo i lidhur drejtpërdrejt me Vatikanin. Kisha unite drejtohet nga Episkopi Katolik shqiptar me qendër në Durrës.

U arrestua prej seksionit të Sigurimit të Shtetit në Korçë, më 31 tetor 1946. Në fund të hetimit dhe të gjykimit u dënua si “armik i popullit”, me 5 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar. Si i burgosur në Korçë, e çuan për të punuar në kënetën e Maliqit. Aty e mbytën në ujërat dhe llucën e kënetës. Atë Josif Papamihali, me priftërinj të tjerë katolikë, është shpallur nga Papa “Martir i Kishës Katolike”, më 2016. Qyteti i tij i lindjes, Elbasani, i dha titullin “Qytetar nderi”, më 5 nëntor 2021, në 5-vjetorin e shpalljes martir

Atë Josif Alqiviadh Papamihali, lindur në Elbasan më 1912, është një nga priftërinjtë katolikë unitë, që megjithë moshën fare të re, vetëm 34 vjeç, dhe me një jetë tepër të vobektë, nuk mundi t’i shpëtonte programit të komunistëve për goditjen e klerikëve si rivalë të fuqishëm me autoritetin e tyre në popull. Komunistët kishin frikë se ata, përmes ndikimit te besimtarët, mund të krijonin thyerje të fuqishme shoqërore, tepër të dëmshme për pushtetin e tyre. Më 31 tetor 1946, atë Josif Papamihali u arrestua me akuzën se: Me ardhjen e fashizmit italian në Shqipëri, ka manifestuar dhe ka simpatizuar okupatorin dhe ka qenë i lidhur ngushtë me priftërinj, si Patër Bruneti etj. Mbas çlirimit ka vijuar politikën reaksionare të Vatikanit. Ka bërë takime me elementë reaksionarë dhe ka biseduar kundër pushtetit popullor, si dhe ka zhvilluar mbledhje me krerët katolikë për të sabotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, me qëllim që të krijonin Partinë Demokristiane në Shqipëri etj.

Në kundërshtim me këtë akuzë, në shënimet e hetuesve për Atë Josifin, shkruhet se: gjatë pushtimit ka qëndruar indiferent. Nuk ka të afërm të arrestuar e të dënuar. Për një periudhë 9-mujore, Atë Josif Alqiviadh Papamihali, i’u nënshtrua hetuesisë me një varg seancash të shpeshta. Mjafton të vërejmë periudhën përpara daljes në gjyq, më 1 gusht 1947: më 21 maj, më 22 maj, më 16 qershor, më 30 qershor, më 2 korrik, më 23 korrik 1947.

Dënohet për opinione, pëlqime, simpati e antipati

“Me ligj në fe është e ndaluar që politika të zhvillohet prej fetarësh. Misioni im është që të zhvilloj popullin në fenë katolike”. Kohëzgjatja 9-mujore e hetimit lejon të dyshohet se seancat e pyetjeve, kanë qenë shumë më tepër të shpeshta dhe me orë të zgjatura, me qëllim që hetuesit të nxirrnin të dhënat që atyre u interesonin për të mbështetur akuzën. Më 21 maj 1947, në Shtesë proces-verbali të hetimit, Atë Josifi dëshmon për një mbledhje të priftërinjve në Tiranë, në tetor 1945, mes të cilëve Patër Mëshkalla, Patër Gjadri, Patër Troshani, Patër Krama, dy priftërinj françeskanë, gjithsej 9 veta, lidhur me problemin nëse do të shkonin në votime apo jo. Aty ranë dakord të pyesnin eprorët më sipër.

Më 22 maj 1947, në shtesë proces-verbali të hetimit, i pandehuri Atë Josifi, duke i’u përgjigjur pyetjeve lidhur me mbledhjen e tetorit 1945, deklaron: “Dom Shtjefën Kurti, Famullitar i Tiranës, tha: Mbasi janë afër votimet që bëhen më 2 dhjetor, unë jam i mendimit që të votojmë, se që prej kohësh, afro një motmot, është shteti që qeveris vendin dhe kjo qeveri mund të quhet legale për shkak të kalimit të afatit”. Në mbledhje është thënë që, për shkak të situatës kritike që është krijuar për Kishën, është mirë të votojmë për Frontin, megjithëse në krye ishte Partia Komuniste Shqiptare, se edhe në kishte të tjerë, ishin nën influencën e saj. Problemi ishte: “A duhej të votonim për Frontin, apo jo”?

Foli Patër Krama: Një shtet quhet legal kur merr votat e popullit dhe sa kohë që nuk i ka votat e popullit, nuk mund të jetë legal, por është ilegal dhe shtetit i duhen këto vota për të qenë legal. Pasi çështja është në kohë pritjeje dhe populli akoma nuk e ka dhënë votën, është mirë që ne si Kler të abstenojmë. Këtu u shtrua teza: A është e lejueshme që ne fetarët t’ua japim votat njerëzve të Frontit të cilët ishin komunistë, afetarë? A e lejon morali fetar një bashkëpunim me persona afetarë? Patër Gjadri thotë: “të abstenojmë”; Patër Isaku ishte kundër, pra nuk duhet të votonim.

Ose të Akuza: …ka manifestuar dhe ka simpatizuar okupatorin. Mbas çlirimit ka vijuar politikën reaksionare të Vatikanit; ka bërë takime me elementë reaksionarë dhe ka biseduar kundër pushtetit popullor; ka zhvilluar mbledhje me krerët Katolikë për të sabotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, me qëllim që të krijonin Partinë Demokristiane në Shqipëri, të votonim kundër Frontit, pasi njerëzit e Frontit ishin komunistë; Patër Mëshkalla dhe Patër Troshani u bashkuan me teorinë që s’duhej të votonim për shkaqe fetare; Patër Mëshkalla tha që: këtë çështje të mos e merrnim vetë përsipër, por t’ua parashtronim eprorëve tanë dhe ata të na udhëzonin; Patër Troshani tha: Nuk mund të presim vendim nga eprorët tanë, pasi kjo është çështje e lirë.

Patër Troshani ishte që të abstenonim. Dy fretërit françeskanë, ishin në dyshim për këtë çështje, por më shumë ishin të mos votonin. Në bisedë e sipër u hap çështja për një Parti Katolike: sikur të kishim dhe ne një si në Itali, a do ta pranonte qeveria këtë? Menduam se jo. Ngarkuam Dom Shtjefën Kurtin, të shkonte tek Episkopi, t’ia parashtronte të gjitha këto, meqë ai ishte Famullitar i Tiranës, e jo se ishte ndonjë kryetar. …i thashë Dom Shtjefnit, të më njoftonin dhe mua në Elbasan, për çdo gjë të re, që të gjeja elementë për Partinë Demokristiane, por çështja duhet të ishte legale, domethënë duhet të njihej nga qeveria. Ne biseduam edhe që të nxirrnim deputetin tonë prej Klerit Katolik, ose prej personave katolikë…!

Për Partinë Demokristiane di, që ndihmon Kishën. Vatikani e ndihmon këtë parti, po nuk di të kishte ndonjë në Shqipëri. Nga gazetat mora vesh që kryesohej nga priftërinjtë jezuitë të Shkodrës. Për organizimin e jezuitëve, unë nuk di mirë, por di që Patër Fausti, ka qenë ministër i Jashtëm i Jezuitëve dhe këtë pozicion e ka pasur që më parë. Nuk di gjë as për Partinë Demokristiane, dëgjova për herë të parë në mbledhjen që patëm në Tiranë. Nga deklarimet e tij për mbledhjen e disa priftërinjve në tetor 1945, lidhur me zgjedhjet e 2 dhjetorit, bie në sy problematika tepër interesante që diskutohet, interesante në kuptimin praktik të asaj kohe, por sidomos interesante edhe nga pikëpamja teorike, duke ngritur pikëpyetje për legjitimitetin e qeverisjes, për varësinë e legjitimitetit të qeverisjes thjesht vetëm nga aspekti formal kohor apo nga ai thelbësor përmbajtësor:

– Vullneti i popullit i shprehur përmes votës; ngrihen pikëpyetje për mënyrën e qëndrimit ndaj procesit zgjedhor, kundërshtim me abstenim, me votim kundër apo fare me mospjesëmarrje në proces, për shkak të kundërshtive të thella ideologjike e morale mes klerit dhe komunistëve, si fetarë dhe afetarë. “Për organizimin e jezuitëve unë nuk di mire…! Nuk di gjë as për Partinë Demokristiane, dëgjova për herë të parë në mbledhjen që patëm në Tiranë”. Në dosjen hetimore dhe gjyqësore të Atë Josif Papamihalit, tërheqin vëmendjen një varg “Shtesa Proces-verbalesh” me dëshmi të tij të shkurtra në të njëjtën fletë process-verbali, të njëpasnjëshme për ngjarje e persona për të cilët ka dhënë dëshmi më parë, të shkruara rresht njëra pas tjetrës pa lidhje, por në fund të çdo faqeje, gjendet edhe nënshkrimi i të pandehurit, Atë Josif Papamihalit, edhe emri dhe nënshkrimi i të ngarkuarit të Seksionit, Llambi Nako.

P.sh.: Në Shtesë Proces-verbalin e datës 16 qershor 1947, i pandehuri deponon: Unë, Vaskë Qeleshit i kam thënë se nga Shkodra bëhen luftime mes partizanëve dhe organeve të Sigurimit. Në po këtë fletë vijon: E hënë, data 30 qershor 1947, merret në pyetje i pandehuri… Me Vaskën bisedoja kundër pushtetit, se dhe ai flet kundër. Nga fjalët e tij kuptohej se nuk e donte pushtetin e sotëm. Më poshtë një tjetër deponim: Propozimin për t’u mbledhur për të diskutuar qëndrimin tonë për votimet e ka bërë Patër Troshani. Në po këtë mënyrë vijojnë një varg deponimesh, p.sh.: Sot, data 2 korrik 1947, i pandehuri… deklaron: Takova Kryepiskopin e Durrësit, Imzot Prenushin. I thashë që unë nga frika do të votoja Frontin. Dhespoti më tha që: kjo gjë nuk është e mirë, se nuk pajtohej me parimet fetare, se deputetët ishin me parime antifetare dhe afetare. Kur kam takuar anglezë të U.N.R.A.-s, u kam folur keq për qeverinë. Kam thënë që këtu nuk ka parti tjetër përveç Frontit që në krye ka Partinë Komuniste…!

Nga pikëpamja procedurale, në çdo process-verbal si rregull, duhet të shënohet e gjithë procedura: Pyetje, përgjigje, mori në pyetje dhe u përgjigj etj. Këto “Shtesa Proces-verbalesh” nuk përmbajnë fare pyetje. Formulimi në këtë mënyrë i “Shtesave të Proces-verbaleve” krijon dyshimin se këto shtesa janë krijuar posaçërisht për, të sajuar disa pohime të të pandehurit, të cilave më pas t’u jepet vlera e provës për t’u përdorur kundër vetë tij, si fakte të fajësisë së tij. Në dokumentin “Ordenancë. Për zgjerim të hetimeve të merret në pyetje i pandehuri rreth lidhjeve me shokun e tij Lec Tusha”, nuk ka as datë lëshimi të urdhrit, as kush e ka lëshuar, as kujt i drejtohet. Nëse ky dokument është një faqe proces-verbali në zbatim të një Urdhri, duhej të ishte shkruar që në krye që “në zbatim të Ordenancë, dt…, nr…, po kryhet ky hetim si vijon…”, mirëpo asgjë nga këto nuk ka dokumenti.

Përposhtë emërtimit “Ordenancë. Për zgjerim të hetimeve…”, si më sipër, dokumenti vijon: Sot, më datë 23/7/1947, i pandehuri Atë Josif Papamihali, deklaron: Jam njohur me Lec Tushën në Kishën Katolike, ku vinte si besimtar. Kemi kritikuar politikën e jashtme dhe lidhjen me Bashkimin Sovjetik e Jugosllavinë, donim lidhje ekonomike me anglo-amerikanët të cilët, janë të pasur dhe mund të ndihmonin shtetin tonë. Në shënime të tilla të quajtura process-verbale gjejmë deklarime të tilla, si p.sh.: Papa Isakut i kam thënë të mos fliste se kishte spiunë. Ai ishte armik i qeverisë dhe i Partisë Komuniste, se ajo po largonte masat nga feja. Politika e tij ishte që populli të mblidhej rreth Kishës e fesë. Politika antifetare e qeverisë ishte në kundërshtim me vijën e Kishës sonë. Në raportin përfundimtar në kundërshtim me deponimet e të pandehurit, thuhet: “Megjithëse ai u rrëshqet pyetjeve, del se kjo Parti (Demokristiane), do të subvencionohej nga Vatikani….! I lartpërmenduri, ka pasur takime me U.N.R.A.-n, të cilëve u ka dhënë informata në dëm të indipendencës sonë.

U është ankuar pse qeveria shqiptare nuk i lë ata të organizojnë Partinë Demokristiane…! Ka zhvilluar politikë profashiste nën maskën e Klerit që kur ka ardhur. Atë Josifi, ka vizituar shtëpinë e Lec Tushës, i arratisur në verën e vitit 1946 në Greqi dhe bashkë kritikonin pushtetin tonë në politikën ekonomike dhe në atë administrative. Aleancën tonë me Jugosllavinë nuk e quanin të drejtë, pasi ky ishte shtet fukara dhe ne s’kishim përfitim ekonomik, kurse Anglia dhe Amerika, janë shtete të pasura dhe do të na ndihmonin…! Nga rrjedhimi i procesit del, se ka qenë agjent i Vatikanit në vendin tonë”. Në dokumentin e Prokurorisë Publike të Prefekturës Korçë, me numër protokolli 45/3 që i dërgon proceset Gjykatës Ushtarake për gjykim, Prokurorisë Ushtarake të Diviz. VIII, këtu dhe Prokurorisë së Përgjithshme (Drejtorisë së Sigurimit), përfshihet një process-verbal prej 11 faqesh, kundër të pandehurit që “akuzohet për veprimtari politike kundër pushtetit popullor, duke pasur lidhje me elementë antipushtet, sidomos me Klerin Katolik, të cilët kishin qëllim organizimin e Partisë Demokristiane dhe rrëzimin e pushtetit me violence, duke u mbështetur në një ndërhyrje të jashtme”.

Më 1 gusht 1947, ditën e premte, ora 10 paradite, sipas proces-verbalit të Gjykatës Ushtarake, Korçë, me nr. akti 176, nr. vendimi 155, Gjykata Ushtarake në Korçë, duke qenë gati prokurori ushtarak Aranit Çela, u mblodh për të filluar gjykimin kundër Atë Josif Alqiviadh Papamihalit, me profesion prift unit. I pandehuri, Atë Josif Papamihali, mbrohet në gjyq nga avokat Kristaq Pilika. Në process-verbalin e gjyqit, në deklarimet e tij, Atë Josifit thekson: “Me ligj në fe është e ndaluar që politika të zhvillohet prej fetarësh. Misioni im në Shqipëri është që të zhvilloj popullin në fenë katolike. Kemi kritikuar politikën e jashtme dhe lidhjen me Bashkimin Sovjetik e Jugosllavinë, donim lidhje ekonomike me anglo-amerikanët të cilët janë të pasur dhe mund të ndihmonin shtetin tone”.

Pretenca e Gjykatës Ushtarake në Korçë, larg të qenit një dokument që flet me fakte dhe prova me termat e së drejtës, shprehet hapur në mënyrë propagandistike, me stil gazetaresk, plot patos, nxit paragjykimin dhe ndjenjat e urrejtjes. Pretenca ngjan me një fletushkë propagandistike të ideve të palës komuniste, kundër palës tjetër që ka ideologji të kundërt me të. Për herë të parë nëpër gjykatat e pasluftës, nisi fenomeni i dhënies së dënimeve penale edhe për opinionet e shprehura, ndikimet, inkurajimin, u shkatërrua koncepti juridik i lidhjes së menjëhershme shkak-pasojë, duke vendosur lidhje midis opinioneve, pëlqimeve të njerëzve, pra të jo fakteve, nga njëra anë, me aktet politike të qeverive pushtuese apo të sistemit fashist.

Kjo pretencë dëshmon sesi nxjerrja në gjyq dhe dënimi i priftërinjve dhe i klerikëve në përgjithësi, nuk ishte më diçka e çuditshme, e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë më parë, por as edhe një ngjarje rastësore. Me ardhjen në fuqi të komunistëve, goditja e klerikëve publikisht nëpër gjykata, u bë një fenomen i zakonshëm, i programuar dhe i vijueshëm në mënyrë sistematike. Në Pretencën e Gjykatës Ushtarake të Korçës, theksohej: “I pandehuri s’ka bërë gjë tjetër veçse, me besnikëri ka ndjekur politikën anti-popullore të Klerit Katolik, politikë që e ka arsenalin e saj në Vatikan. Dalja e Atë Josifit dhe priftërinjve të tjerë në gjyq nuk është e çuditshme, nuk është spontane për popullin, është bërë diçka e zakonshme dhe që do të vinte vetvetiu si pasojë e politikës që këta të gjithë ndjekin. Vetë Atë Josifi përpara trupit gjykues, mbrojti Vatikanin, duke mos i dënuar veprimet e tij, mbrojti Patër Antonin dhe klerikët e tjerë të dënuar, duke dhënë opinion të ndryshëm në lidhje me punën e tyre….! Ka punuar mjaft për reaksionin, ka inkurajuar elementët reaksionarë dhe ka bërë që disa të paditur dhe fanatikë ta humbasin toruan për një kohë…..edhe feja unite që predikonte Atë Josifi, qe një mjet i fashizmit për ta lidhur popullin me Vatikanin dhe për pasojë me fashizmin”.

Gjykata Ushtarake e Korçës, në fund të procesit gjyqësor, në datën 6 gusht 1947, e shpalli fajtor. Në proces-verbal shkruhet: Gjykata deklaron fajësinë e të pandehurit si: “Armik i Popullit Shqiptar dhe i Pushtetit Demokratik” dhe konform ligjit vendos dënimin e Atë Josif Papamihalit me, 5 vjet privim lirie dhe punë të detyruar për aq kohë dhe me humbje të së drejtës politike e civile në kohën e ndëshkimit. Edhe Gjykata e Lartë Ushtarake, më datën 3 tetor 1947, pavarësisht ankimimit nga ana e vetë Atë Josif Papamihalit, i cili kërkoi zbritjen e dënimit në minimumin e parashikuar prej ligjit, la në fuqi vendimin e Gjykatës Ushtarake në Korçë. Atë Josif Papamihali, i burgosur u çua në kampin famëkeq të kënetës së Maliqit. Aty tok me qindra të dënuar të tjerë u detyrua të punonte për tharjen e kënetës. Prej goditjeve mbeti në llucë dhe s’u ngrit më. Trupi i tij u zhduk në baltërat e kënetës. Mes dhjetëra të tjerëve që humbën jetën në kampin e Maliqit, edhe martirit atë Josif Papamihali nuk i dihet vendi ku i mbetën eshtrat. 

Memorie.al

 

3 Komente

  1. p
    per tru bunkeret

    Bastarta komunista , ata qe drejtuan me ne krye kjofte largun Enver plehi , e ma bastarda ata qe i sherbyen atij regjimi gjakatare sllavo bolshevik , ja shikoni si komenton nji tjeter bastard tru pjerllur me nick name .... heu bre , injorant kumplet ... racist , komunist me tru , ne fakt pa tru ....ne fakt ska faj se ja kam pas q.... te shoqen ish sekretare partie .....

    1. F
      Falje per fjalorin

      per TRU BUKERET. .... SALA PSE I SHERBEU !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!1???????????????

    2. f
      fati

      Keto tregime per burgje dhe te burgosur na i keni thene nga disa here. Mendoj se eshte koha qe kjo memorja.al te filloje nga historte e te burgosurve dhe te vrareve te periudhes 1992- e ne vazhdim. Do te shihni se jane me shume, bile shume me shume se ato te diktatures se hoxhes dhe do te keni shume pune, prandaj filloni sa me pare.

      Lini një Përgjigje