Si u mbrojt ish-kryeministri Maliq Bushati, në gjyq, në 46-ën: Unë strehoja në shtëpi dy komunistë aktivë, Koço Sotiri e Jorgji Spaho

8 Qershor 2022, 18:43Dossier TEMA

Si u mbrojt ish-kryeministri Maliq Bushati, në gjyq, në 46-ën:

Nga Dr. Mirela Sinani

Të zhdukur: Maliq Bushati, Patër Anton Harapi, Lef Nosi – të akuzuar si tri kokat e tradhtisë. Patër Anton Harapi, Lef Nosi Deklarata e Pavarësisë, 28 nëntor 1912. Në aktakuzën për Maliq Bushatin theksohet: “Ka qenë anëtar i qeverisë kuislinge si ministër i Brendshëm i kabinetit të Shefqet Vërlacit dhe është përgjegjës për politikën kolaboracioniste të këtij kabineti. “…Ka qenë kryeministër i qeverisë kuislinge në periudhën shkurt 1943-maj 1943”.

Në proces-verbalin e datës 25.1.1946, major Tuk Jakova, prokuror i Gjykatës Ushtarake Tiranë, dhe sekretar Thoma Rino, morën në pyetje Maliq Bushatin, i biri i Hysejn dhe Qamile, 56 vjeç, i divorcuar, i cili pohon se në vitet 1921-1923, u zgjodh deputet i Shkodrës. Me ardhjen e Zogut u zgjodh sërish deputet i Shkodrës deri në vitin 1936. Për shkak të kundërvënies me Musa Jukën, në vitin 1937 ai dhe Kolë Bib Mirakaj, dolën kandidatë të pavarur. Në dhjetor të vitit 1938, Italia filloi të ndryshonte qëndrim ndaj Zogut, duke u lidhur me personat që ishin kundërshtarë të tij.

“Kisha rënë dakord me Jakomonin që të luftohej vetëm kundër çetave të armatosura, jo kundër popullsisë civile”. “Nuk shembet Shqipëria pse gjykohet për dekë Patër Anton Harapi”. “Nuk prishet Shqipëria nëse nuk gjykohet për dekë Patër Anton Harapi” “…Po paraqes një listë të personave që i kam shpëtuar dhe liruar nga burgu”. Pohon se më 25 janar 1939, kontaktoi në Milano me Mustafa Krujën dhe biseduan rreth planit italian për një kryengritje për rrëzimin e Zogut dhe për të sjellë në pushtet një princ të Savojës. Me këtë plan ishin dakord Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Bahri Omari, Kolë Tromara, Sejfi Vllamasi, Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Rexhep Mitrovica.

Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, Shefqet Vërlaci shkoi në Romë, ku i dorëzoi kurorën e Shqipërisë Mbretit të Italisë, Viktor Emanueli. Në maj 1939, Vërlaci i propozoi Maliq Bushatit, postin si ministër i Brendshëm, të cilin ky e pranoi dhe ndenji në qeveri gjer në vitin 1941. Më pas, në shkurt të vitit 1943, Maliq Bushati bëhet kryeministër i qeverisë shqiptare. Ai pohon se në mars të vitit 1943, çetat partizane sulmuan në Patos dhe vranë 100 karabinierë dhe ai si kryeministër dha urdhër kundër bandave rebele: “Kisha rënë dakord me Jakomonin që të luftohej vetëm kundër çetave të armatosura, jo kundër popullsisë civile. Italianët kërkuan reprezalje në zonën operative në Gjirokastër”.

Ai pohon se bisedoi me Ali Këlcyrën dhe me Nuredin Vlorën, për këtë kërkesë të italianëve dhe ata u alarmuan. Nisur nga kjo situatë, Maliq Bushati rregulloi një takim të tyre dhe të të tjerëve me gjeneral Dalmazzon. Në përfundim të tërë këtyre përpjekjeve, u nënshkrua protokolli që njihet si protokolli Dalmazzo-Këlcyra. “Si kryeministër krijova Xhandarmërinë shqiptare që qëndroi krahas karabinierisë italiane”, – pohon Bushati. – “Më 10 maj 1943, u largova nga detyra si kryeministër dhe shkova në Monte Casin për t’u kuruar. Në gusht u ktheva në Tiranë, pa asnjë aktivitet politik deri në kapitullimin e Italisë”.

“Legata gjermane ftoi personalitete të ndryshme për të krijuar një Komitet Ekzekutiv për të qeverisur vendin në situatën e kapitullimit të Italisë”. “Në janar 1944, u mblodhëm për të organizuar një bashkëpunim të grupeve me Legalitetin kundër komunistëve. Më 15 maj 1944, u krijua “Besëlidhja e Shkodrës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Mirditës, Lezhës, Pukës”. Në mars të vitit 1943, çetat partizane sulmuan në Patos dhe vranë 100 karabinierë. Kisha rënë dakord me Jakomonin që të luftohej vetëm kundër çetave të armatosura, jo kundër popullsisë civile. Italianët kërkuan reprezalje në zonën operative në Gjirokastër.

Në Proces-verbalin e datës 9.2.1946, fq. 62, të gjyqit nga Gjykata Ushtarake, Tiranë, dëshmitari mbrojtës, Karl Teja, banues në Tiranë, pohon: “Në vitin 1938, kam ardhur në Tiranë si emigrant. 2-3 muaj përpara luftës italo-greke, italianët donin të më nisnin për në Gjermani si izraelit që jam. Shkova te Maliq Bushati dhe i’u luta të anulonte dërgimin tim. Maliq Bushati më premtoi dhe më vonë më njoftoi se e kishte rregulluar punën të qëndroja në Shqipëri. Disa nga ne qëndruan në Lushnjë, e disa në Berat dhe vetëm 3-4 familje qëndruan në Tiranë. I pandehuri i ka mbrojtur izraelitët që ishin kundër fashizmit dhe në atë kohë ne na shpëtoi. Unë mora dhe nënshtetësinë shqiptare, pa shpëtova”.

Prokurori pyet: Si shpjegohet fakti që ky ka shpëtuar, megjithëse ishte izraelit dhe ne e dimë se gjermanët nuk i ndiqnin nga pikëpamja nacionale, por raciale? Dëshmitari: Unë qëkurse hynë italianët nuk kam punuar; kam jetuar me të hollat që kisha më parë. Një tjetër dëshmitar mbrojtës, Skënder Allamani, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë, dëshmon: Në gusht të vitit 1944, u burgosa në Shkodër dhe rrezikoja për internim në Prishtinë. Më arrestuan xhandarët e Hasan Isufit, por më shpëtoi Maliq Bushati. Unë kam qenë në këshillin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe i deklaruar pro Lëvizjes.

Dëshmitari Hysni Peja, 66 vjeç, banues në Tiranë, pohon se: Maliq Bushati kur ishte ministër i Punëve të Brendshme ka qenë në konflikt me Shefqet Vërlacin. Ky është përpjekur të mbrojë njerëz të ndryshëm. Kur italianët donin të ekzekutonin disa të rinj, ky i ka kundërshtuar. Edhe në operacionin e Kurveleshit, ka kundërshtuar shtypjen e Lëvizjes, duke thënë se këta janë partizanë shqiptarë. Vetë Maliq Bushati si i pandehur, kundërshton akuzën se ka marrë pjesë në internimin e shumë njerëzve: “Nuk është e vërtetë që unë kam marrë pjesë në internime. Internimet i kanë bërë gjermanët dhe këto ndodhën papritur. Në atë kohë Në 15 maj 1944, u krijua Besëlidhja e Shkodrës, Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Mirditës, Lezhës, Pukës”. u pushkatua edhe kushëriri im.

Unë strehoja në shtëpi dy komunistë aktivë, Koço Sotiri dhe Jorgji Spaho, dhe si mund të lejoja që të arrestohej kushëriri im? Te Hausdingu kam shkuar për të liruar 2 veta”. “Salus Patriae Suprema Lex Est” (Shpëtimi i Atdheut është ligj sipëror) – kështu e titulloi avokat Vasil Xhaj, fjalën e tij në mbrojtje të Maliq Bushatit. Avokati Vasil Xhaj, solli fakte që dëshmonin veprimtarinë e Maliq Bushatit, për të shpëtuar jetët e rrezikuara të bashkëkombësve. Ai renditi fakte që tregonin dimensionin njerëzor të Maliq Bushatit, ndjeshmërinë dhe solidaritetin me njerëz në vështirësi e në rrezik për jetën.

Avokati mbrojtës përmendi sesi Maliq Bushati ka strehuar në shtëpinë e tij anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare, Jorgji Spaho e Koço Sotiri. Me dokumente false dhe me makinën e tij, ai ka çuar nga Shkodra në Tiranë dhe ka shtruar në spitalin e Tiranës partizanin komunist, Nezir Idriz Selmani. Avokati mbrojtës i kërkoi trupit gjykues, të mbante parasysh deklaratat nga Nezir Idriz Selmani, Xhemal Idrizi, Ragip Gjyli, Ferit Bushati, Mehmet Bushati, profesor Ismail Anamali, profesor Taip Shkodra, Moja Kapisyzi, Ismail Kapisyzi, Ymer Kapisyzi, që sollën fakte për të mirat që Maliq Bushati u ka bërë këtyre njerëzve. Avokati kërkoi që trupi gjykues të mbante parasysh deponimet e dëshmitarëve mbrojtës, Karl Teja e Hysni Peja.

Sa i përket tërësisë së dokumentacionit shkresor në kohën që ai ishte ministër i Brendshëm apo edhe kryeministër, avokati mbrojtës theksoi se të gjitha shkresat, qarkoret, janë rezultat logjik dhe natyror i të qenit ministër në një qeveri nën pushtuesin e huaj. Në kundërshtim me praktikën komuniste, sipas së cilës çdo qeveri në kohë pushtimi e quan automatikisht bashkëpunëtore të pushtuesit dhe tradhtare, si dhe çdo pjesëmarrës në një qeveri të tillë e akuzon si bashkëpunëtor të pushtuesit dhe tradhtar, avokati mbrojtës, solli në vëmendje të trupës gjykuese, por edhe të opinionit publik, faktin e logjikës së punës edhe nën pushtuesin e huaj, faktin e natyrshmërisë së një qeverisjeje edhe nën një pushtues të huaj.

“Është më se normale që edhe nën një pushtues një vend të ketë një qeveri. Nuk ka asnjë rast në historinë e shoqërisë civile që një komb apo një popull të mos ketë pasur asnjë lloj qeverisjeje nën një pushtues të huaj. Nëse cilado qeveri nën një pushtues cilësohet apriori si qeveri bashkëpunëtore me pushtuesin, atëherë duhet të presim në një situatë të tillë që, për të shpëtuar nga akuza e tradhtisë dhe e bashkëpunimit me pushtuesin, asnjë grup njerëzish të mos pranojë të marrë përsipër rolin dhe detyrat e qeverisë nën një pushtues. Një situatë e tillë vakuumi nuk verifikohet në histori, sepse kurdoherë ka një qeveri. Atëherë duhet që kurdoherë qeveritë nën një pushtim të jenë automatikisht bashkëpunëtore të pushtuesit.

Nga ana tjetër, edhe nëse një qeveri në rastin e pushtimit të vendit jep dorëheqjen, për të mos u cilësuar si bashkëpunëtore me pushtuesin, në vargun pa fund të njerëzve, kurdoherë gjenden njerëz të tjerë që krijojnë qeverinë që përfaqëson autoritetin shtetëror vendas, pavarësisht se “Salus Patriae Suprema Lex Est” (Shpëtimi i Atdheut është ligj sipëror), nën pushtim. A është e drejtë që këta njerëz të cilësohen si bashkëpunëtorë të pushtuesit? A nuk është më mirë që vendi të ketë përfaqësuesit e vet edhe në situatat më të vështira të pushtimit, sesa të rrëzohet krejtësisht godina shtetërore dhe boshllëku të prodhojë anarki? Nëse historianët do ta shikonin nën këtë prizëm dhe pa apriori-ra çështjen e të ashtuquajturit bashkëpunim me pushtuesit, rezultatet e vlerësimit të ngjarjeve historike gjatë luftës do të ishin shumë më ndryshe dhe po ashtu vlerat e shfaqura nga njerëzit në atë kohë.

Përveç këtyre, një qeveri sidomos në kohë pushtimi e në kohë lufte ka detyra shumë të rëndësishme përpara saj, siç janë mbrojtja e jetës së civilëve, ruajtja me çdo kusht e paqes dhe zgjatja e saj sa të jetë e mundur, sigurimi i mjeteve ekonomike për jetesë etj. Për të arritur këta objektiva një qeveri nën pushtim, duhet të përdorë çdo mjet, çdo diplomaci, madje edhe bisedimet e bashkëpunimet me pushtuesin. Dhe këtu duhet parë kurdoherë qëllimi “për çfarë”? Kjo vërejtje e avokatit, tërheq vëmendjen që pirgu i shkresave të të gjithë aktivitetit zyrtar të Maliq Bushatit si ministër i Brendshëm dhe si kryeministër duhet parë më ndryshe, që do të thotë se jo çdo shkresë zyrtare është automatikisht bashkëpunim me pushtuesin në dëm të atdheut, të kombit e të bashkatdhetarëve.

Avokati mbrojtës vuri në dukje se në ndryshim nga dëshmitarët mbrojtës të cilët ishin konkretë, “deponimet e dëshmitarëve të akuzës, nuk denoncojnë fakte konkrete dhe kanë një pasion të fortë kundër të pandehurit”. Ai vuri në dyshim deponimet e një dëshmitari të quajtur, Rasim Guri, i burgosur në Ventotene të Italisë, sipas të cilit, me urdhër të Maliq Bushatit atij i’a kishin ndaluar edhe korrespondencën me familjarët si person i rrezikshëm dhe që, si i tillë, duhej të veçohej. Shkresa të tilla janë tepër sekrete dhe për këtë natyrë ato nuk i bien dot në dorë as të dënuarit, as personave të tjerë. Ku bazohej dëshmitari kur fliste për këtë? Nga ana tjetër, ndërsa ky person ishte i mbyllur në Ventotene, nga e dinte që Maliq Bushati harxhonte në hotelet e Romës çdo natë 3000 lireta?

Në faqen 65 të proces-verbalit të gjykimit, kur u pyetën për herë të fundit, Maliq Bushati si i pandehur tha: “Unë që më 1910 kur isha student në Stamboll, kam filluar aktivitetin patriotik. Kam qenë ndër të vetmit myslimanë të Shkodrës, që kam shkuar në luftë për çlirimin e Shkodrës. Kam bashkëpunuar me Muço Qullin për mbrojtjen e Atdheut. Kam botuar fletoren ‘Populli’ me frymë popullore. Kam qenë kundër Zogut e Musa Jukës”. Që në datën 12.2.1946, kur Gjykata Ushtarake e Korparmatës I-rë u lexoi dënimin me vdekje, ish-kryeministri që shpëtoi gjatë luftës jetë njerëzore nga bisha nazifashiste, u ul dhe shkroi një kërkesë për Gjykatën e Lartë Ushtarake, për faljen e jetës, me argumentin se gjatë pushtimit nazist, nuk ka qenë fare në politikë, madje kërkoi edhe të shtrohej ky problem në Asamblenë Kushtetuese, duke vlerësuar me këtë akt organin që shpreh më gjerë dhe më lart vullnetin e popullit.

Në proces-verbalin e Gjykatës Ushtarake, Tiranë, të datës 12 shkurt 1946, Patër Anton Harapi, ngarkohet me akuzën qesharake se ai dhe Maliq Bushati e Lef Nosi, lejuan pushtimin gjerman të Shqipërisë, sikur këta të ishin mbartës të sovranitetit të kombit të cilin u’a dorëzuan pushtuesve. Më tej vijohet me akuzën si: anëtar i Regjencës, si anëtar i ‘Ballit Kombëtar’, akuzohet se ka krijuar Komitetin Ekzekutiv, Asamblenë Kombëtare, se “ka propaganduar të ngrejë me çdo kusht një aparat shtetëror kuisling dhe për këtë nxiti gjithë popullin të bashkohet kundër ushtrisë dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare, duke tentuar të përçajë Frontin Nacionalçlirimtar, sipas propagandës së Gëbelsit, duke i cilësuar luftëtarët e lirisë si terroristë e të shitur tek të huajt”.

“Patër Anton Harapi, brenda në Kuvendin Françeskan bënte pjesë në redaksinë e revistës “Hylli i Dritës” dhe propagandonte parullat e mëdha dhe helmatonjëse të fashizmit, mashtronte popullin shqiptar për një Shqipëri të madhe, i ngrinte lavde Duçes dhe mbretit Viktor Emanueli, nxiste popullin e Malësisë së Shkodrës për t’u mobilizuar kundër Malit të Zi, në interes të fashizmit”. Në process-verbalin e Gjykatës së Lartë Ushtarake, në datën 14.2.1946, vihet në dukje se: “Patër Anton Harapi ka lejuar që “Hylli i Dritës”, të ishte organi më i mirë propagandistik për fashizmin…! Pas kapitullimit të Italisë ai, u bë anëtar i Regjencës”. Unë s’kam gjë për të thënë se i kam thënë më parë, por po paraqes një listë të personave që i kam shpëtuar dhe liruar nga burgu.

Vendimi i Gjykatës Ushtarake të Tiranës, datë 12.2.1946, “Në emër të popullit”, e ngarkon të gjithë përgjegjësinë e pushtimit të vendit nga Italia fashiste mbi një grusht njerëzish: Maliq Bushati dhe Patër Anton Harapi kanë përgatitur okupimin fashist para datës 7 prill, duke kontaktuar me tradhtarët e grupit të Mustafa Krujës dhe të Bashkimit Kombëtar, si Bahri Omari, Kolë Tromara, Qazim Koculi etj., për të përmbysur Zogun dhe për të sjellë një Mbret nga shtëpia e Savojës. Pas 7 prillit 1939, e kanë pritur ushtrinë fashiste italiane në Shkodër si çliruese. Patër Anton Harapi ka ardhur në Tiranë si delegat i Klerit Katolik, për të marrë pjesë në Asamblenë për ofrimin e Kurorës së Skënderbeut Viktor Emanuelit, kurse Maliq Bushati, mori pjesë në qeverinë e parë tradhtare të Shefqet Vërlacit, si ministër i Brendshëm…

I pandehuri Patër Anton Harapi, u asistua nga përfaqësuesi i tij, avokat Spiro Stringa. Në process-verbalin e Gjykatës Ushtarake të Tiranës, rëndohet akoma më tej pozita e të pandehurve kur theksohet se: Patër Anton Harapi e Maliq Bushati, edhe pas çlirimit të vendit, me anë të lidhjeve të tyre dhe në bashkëpunim, organizuan forcat e mbetura të reaksionit në veri të Shqipërisë….! Ata kanë urdhëruar vrasjen e shumë elementëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, siç dëshmon M. N., A. Gj. etj., siç dëshmojnë firmosja nga Maliq Bushati e programit të Besëlidhjes, apo me letrën e Patër Anton Harapit, drejtuar Javer Hurshitit etj.

Pasi gjykata dha vendimin, u pyetën për herë të fundit të pandehurit dhe siç e gjejmë në faqen 65 të process-verbalit, i pandehuri Patër Anton Harapi, e mbylli me një ligjërim monumental ku plot elegancë, alegoria e zbutjes së bishës së egër, për të shpëtuar jetë njerëzore, ngrihet e përplaset mbi fytyrat e trupit gjykues, përballë të cilëve gjendeshin këta burra që “lypnin” pak fisnikëri. Veçojmë shprehjen epike të tij: “Nuk shembet Shqipëria pse gjykohet për dekë Patër Anton Harapi. Gjithashtu, nuk prishet Shqipëria nëse nuk gjykohet për dekë Patër Anton Harapi.”

“Zoti kryetar, s’kërkoj tolerancë: Unë sipas mundit, kam derdhë djersë me e ba Shqipninë. Franca e qytetnueme, shembulli i revolucioneve popullore, e gjykoi Petënin dhe e fali. Edhe Shqipnia, kur gjykon regjentët, sikur t’i fali nuk ka me qenë ligësi për Shqipninë, por besoj se ka për të qenë më mirë. Unë, që kur kam hy në gojë të ujqërve të Hausdingut, jam përpjekë të bëj mirë e të shpëtoj ndonjë jetë prej egërsinave. Duke qenë se ishin bisha të egra, nuk kam mundur me i zbutë, por me mundin tim kam shpëtuar mjaft. A ka pasë shqiptarë të marrë si unë që, për të shpëtuar njerëzit ,shkojnë e futen në gojën e ujkut?! Ka pak që sakrifikohen moralisht. Rrnoftë Shqypnia”.

Në process-verbalin e Gjykatës Ushtarake, Tiranë, datë 12.2.1946, Lef Nosi akuzohet për “bashkëpunim me Mustafa Krujën, akuzohet se ishte kryetar i Komisionit të Elbasanit, për mbledhjen e ndihmave të leshit për ushtrinë fashiste, akuzohet se ishte kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit në Elbasan”. “Pas kapitullimit të Italisë fashiste, akuzohet se krijuan Komitetin Ekzekutiv kuisling për, krijimin e Asamblesë Kombëtare kuislinge, ku u bë kryetar. Gjatë kohës së pushtimit nazist, ishte anëtar i regjencës”.

“…Akuzohet se Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mid’hat Frashëri për Ballin Kombëtar, Abaz Kupi e Fiqiri Dine për Legalitetin dhe për Indipendentët Gjon Marka Gjoni, të shoqëruar gjer në Tiranë prej Maliq Bushatit, të gjithë bashkë kurdisën Qeverinë e Koalicionit të të gjithë reaksionit të brendshëm… formuan regjimentin ‘Kosova’”. “Me ardhjen e okupacionit nazist, Lef Nosi, në bashkëpunim me agjentët e Gestapos, Von Scheinger e Noubacher, mori iniciativën, tok me të tjerë, për formimin e Komitetit Ekzekutiv dhe u bë kryetar i Asamblesë Kuislinge. Thërriti dhe Patër Anton Harapin, madje i telefonoi edhe Papës në Romë, të jepte leje që ky të bëhej anëtar i Regjencës”.

“Shpallën nën okupacionin e nazistëve ‘indipendencën dhe neutralitetin e Shqipërisë’. Formuan tri qeveri: të Rexhep Mitrovicës; të Fiqiri Dines e krijuar në Tufinë, ku mori pjesë edhe Patër Anton Harapi, dhe të Biçakut…”! “Të pandehurit Lef Nosi, patër Anton Harapi, Maliq Bushati kanë vazhduar rrugën e tradhtisë deri në fund….” Megjithëse nuk ishin ushtarakë, ata u përballën dhe u gjykuan nga një Gjykatë Ushtarake, si dhe morën mbi supe një aktakuzë që u vinte si barrë “28 mijë të vrarë e të plagosur nga popullsia civile, pa zënë në gojë të vrarët e të plagosurit e Ushtrisë sonë heroike; 18.800 shqiptarë të internuar ose të burgosur në Shqipëri, Itali dhe Gjermani e gjetkë… më shumë se 50 mijë shqiptarë u vranë dhe u plagosën, u masakruan ose u pushkatuan, vdiqën në tortura në kampet e Dachaut, Mat’hausenit, Prishtinës, ishujt e Italisë”.

Lef Nosi u përfaqësua në mbrojtje, nëpërmjet avokatit Zoi Xoxa, i cili, për të zbutur ashpërsinë e gjykimit, e ndau aktivitetin e tij në dy periudha: Periudha I-rë përpara vitit 1942 – patriotike; Periudha II-të pas vitit 1942, kur nisur nga një qëllim i mirë, u tregua miop politik. Por mbrojtja ndeshi në koracën e hekurt të trupi gjykues. Një ndër dëshmitarët në mbrojtje të Lef Nosit ishte Virgjil Papajani, 27 vjeç, banues në Tiranë. Sipas process-verbalit të Gjykatës Ushtarake, Tiranë, nr. 24 i Librit Themeltar, ai dëshmoi se në tetor të vitit 1943, kur gjermanët mbërritën në Pogradec, e kapën dhe e regjistruan për internim në kampin e Selanikut, por flitej se do ta varnin në Korçë. I ati i tij shkoi te Lef Nosi dhe me ndërmjetësinë e tij e liroi. Lef Nosi në atë kohë ishte anëtar i Regjencës.

Kur e pyetën se çfarë kishte për të thënë për herë të fundit, i pandehuri Lef Nosi tha: “Unë s’kam gjë për të thënë, se i kam thënë më parë, por po paraqes një listë të personave që i kam shpëtuar dhe liruar nga burgu”. Fakti i shpëtimit të jetëve të dhjetëra njerëzve nga duart e nazistëve, duhet të ishte prova më e madhe e çlirimit nga akuzat e rënda, por faktet nuk vlejnë në gjyqet propagandistike e, ky fakt nuk u përkthye dot në shpëtimin edhe të një jete – të asaj jete që shpëtoi jetët e të tjerëve më parë. Lef Nosi, Maliq Bushati e Patër Anton Harapi, duke mos qenë kurrë ushtarakë, u gjykuan nga një gjykatë ushtarake, në një sallë teatri, ku për herë të parë po luhej tragjedia reale e jetëve njerëzore – në sallën e Kino-Theatër “Kosova”.

Të tre u akuzuan si: “Tri kokat e tradhtisë kombëtare: një ish-ministër dhe kryeministër i fashizmit dhe dy anëtarë të së ashtuquajturës Regjencë, të Regjencës së Gestapos”. Vendimi i dënimit me vdekje i dhënë nga Gjykata Ushtarake, Tiranë, u la në fuqi nga Gjykata e Lartë. Kështu, një ditë a një mbrëmje në terr, tre burra që u përpoqën në kohën e kolerës nazifashiste të bënin diçka për kombin e tyre, qoftë edhe të sillnin një fije shprese, u pushkatuan në periferi të Tiranës, në vendin e njohur si Kodra e Priftit. Sipari i Kino-Theatrit ra! Askush nuk e di se si u varrosën dhe ku gjenden trupat e tyre.(Memorie.al)

8 Komente

  1. J
    Jorgo

    Tmerri bolshevik vendosi perden e hekurt mbi kete vend te lire me vrasjen e tyre...

    1. q
      qe ta dish

      Jorgo KATUNARI, kolaboracionistet e fashizmit moren denimin e merituar!

      1. i
        informacion

        KOLABORACIONISTET E FASHIZMIT : Harry Fulc (shefi i Zyres per Shqiperine,i Sherbimit te Inteligjences Amerikane gjate Luftes), në raportin që i dërgon Uashingtonit në shtator 1944 shkruan: “…duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre, i përziejnë ato me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman…Këto gërshetohen mirë, prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë, ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa në të njëjtën kohë adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti…Ata preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar…ata nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës. Anëtarët e këtij grupi me pozita shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira. Elementë të këtij grupi janë: 1.Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj. 2.Bajraktarët, dhe kapedanët mysliman të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët. 3.Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit: Markagjonajt, Krujat,Bushatët, Çobat, Harapët. 4.Elementët ballistë, shumica e të cilëve, ka dalë nga grupet e mësipërme si dhe shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandërmarisë, zyrtarët profesionistë dhe tregtarët e pasur, doktorët dhe gjykatësit e privilegjuar, me ndonjë përjashtim të vogël shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. (Dokumenti original në arkivin e DASH: A. M 1211/16/875.01/9-2244) Cfare ndodhi ne Evrope pas renies se fashizmit (dhe s'kishte pse ne Shqiperi te ndodhte ndryshe) : “…Sipas të dhënave të vendeve të ndryshme, në periudhën 1945-1955 në Europë janë zhvilluar 13607 procese gjyqësore kundër Kolaboracionisteve. Vendi që ka vuajtur më së shumti nga kolaboracionizmi ka qenë Franca, prandaj aty edhe qëndrimet ndaj tyre e dënimet kanë qenë radikale. Për të vendosur mbi baza ligjore dënimin e tyre, Asambleja Konsultative e Francës, në gusht-shtator 1944, aprovoi dy ligje për dënimin e atyre që “i kishin dhënë ndihmë Gjermanisë dhe aleatëve të tyre, që kishin dëmtuar unitetin kombëtar, të drejtat dhe barazinë e shtetaseve francezë”. Sipas të dhënave zyrtare, në Francë u zhvilluan procese gjyqësore ndaj 170 mijë kolaboracionistëve, ku 120 mijë vetë u dënuan, nga të cilët, 4785 vetë me vdekje. Vetëm 4 muajt e parë, mbas çlirimit të Parisit, janë dënuar me vdekje 6763 vetë nga të cilët 1500 prej tyre janë ekzekutuar menjëherë… Sipas shifrave që japin studiues të ndryshëm, në Francë janë ekzekutuar me gjyqe të rregullta, gjyqe të shpejtuara ose pa gjyqe, 20-30 mijë kolaboracionistë”. “Statistikat flasin qartë për urrejtjen dhe qëndrime të pafalshme ndaj kolaboracionistëve në Norvegji, Belgjikë dhe Holandë. Kështu në qoftë se në Francë janë dënuar 12 vetë ndër 10 mijë banorë, në këto vende janë dënuar nga 40 deri në 64 vetë për 10 mijë banorë. Tepër të prerë e kategorikë kanë qenë holandezët ndaj kolaboracionistëve. Qeveria Holandeze që ndodhej në Londër prej disa vitesh, kishte filluar përgatitjet për “spastrimin e madh” Që në Londër ajo kishte bërë ndryshimet e duhura në Kodin Penal. Për këtë qëllim ishte ndryshuar dhe përfshirë në kodin e ri dënimi me vdekje për tradhtarët e atdheut… Norvegjia konsiderohet vendi ku kolaboracionistët janë dënuar më rëndë se kudo në Europë. Megjithëse një vend me popullsi prej rreth 3.3 milionë banorë, në Norvegji u akuzuan për kolaboracionizëm 92 mijë vetë, u nxorën para gjykatave 46 mijë kolaboracionistë, nga të cilët 37150 vetë u dënuan me afate të ndryshme burgimi, ndërsa 60 vetë u dënuan me vdekje (kryeministri Kuisling u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në sy të turmave që kërkonin me ngulm ta shihnin me sytë e tyre vdekjen e tij). Viktima të urrejtjes popullore u bënë edhe 50 mijë vajza e gra që kishin pas marrëdhënie intime me oficerë apo ushtarë gjermanë, 14 mijë prej të cilave kishin lindur fëmijë nga këto marrëdhënie. Ato u arrestuan dhe 5 mijë prej tyre u dërguan nëpër kampe përqendrimi… Në Danimarkë menjëherë mbas çlirimit u arrestuan 20 mijë vetë të akuzuar për kolaboracionizëm. Më 1 qershor 1945 parlamenti danez, ratifikoi një ligj të ri që parashikonte dënime të rënda për bashkëpunëtorët e pushtuesve. Para gjyqit dolën dhe u dënuan 15742 vetë, nga të cilët 3641 vetë me mbi 4 vite burgim, 62 vetë me burgim të përjetshëm dhe 78 vetë me vdekje. Në Belgjikë kolaboracionistët u ligjëruan ‘me shtetësi të humbur’, madje u vu në përdorim një term i ri, “joshtetas” (pa shtetësi). Para gjykatave u nxorën 57 mijë vetë, nga të cilët u dënuan 23584 vetë për “kolaboracionizëm politik”, 31831 vetë për “ndihmë ushtarake” pushtuesve, ndërsa 20652 personave ju hoqën të drejtat civile. 42 vetë u dënuan me vdekje, disa prej tyre u ekzekutuan në prani të turmave. Rreth 2 mijë vetë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa rreth 5 mijë vetë u dënuan me nga 10 deri në 20 vjet. Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Për disa vite mbas lufte, çdo belg që donte të zinte një vend pune, ka qenë i detyruar të merrte një çertifikatë garancie politike, ku kryesorja ishte qëndrimi i tij gjatë luftës… Në Luksemburgun e vogël, janë dënuar për kolaboracionizëm rreth 10 mijë vetë, nga të cilët 12 prej tyre me vdekje. Tepër ashpër u sollën me kolaboracionistët në Çekosllovaki, madje ekzekutimi i tyre kishte filluar pa mbaruar lufta… Gjatë dëbimit të tyre nga Çekosllovakia, në vitet 1945-1947, janë vrarë 20 – 30 mijë vetë, por numri më i madh i tyre janë eliminuar, ditët e para mbas largimit të pushtuesve gjermanë, apo siç është quajtur, gjatë “dëbimit të egër”. Në Austri u shpallën 130 mijë vetë në kërkim, nga të cilët 23 mijë iu nënshtruan proceseve gjyqësore, ku u dënuan 13.600 vetë, ndër të cilët 43 vetë me vdekje…”

        1. i
          informacion

          EMRAT E ANETAREVE TE ASAMBLESE KOLABORACIONISTE : Me 12 prill 1939, menjehere pas pushtimin fashist, u thirrën në Tiranë gjithë përfaqësuesit e ish-parlamentit zogist, për të vendosur dhe shpallur bashkimin e Shqipërisë me Italinë fashiste dhe për të formuar qeverinë kolaboracioniste. Nuk u paraqiten te gjithe, por vetem ata qe u bene kolaboracioniste te fashizmit. Në këtë Asamble morën pjesë: - Nga qarku i Gjirokastrës : Fejzi Alizoti, Safet Libohova, Jani Dado, Sulo Lekdushi, Islam Këlcyra, Mihal Kaso, Fuat Asllani, Dhimitër Kacimitro e Reis Selfo . - Nga qarku i Beratit : Hysen Vrioni, Qemal Vrioni, Bektash Cakrani dhe Ali Kuçi . - Nga qarku i Korçës : Xhavit Leskoviku, Thoma Orollogu, Selim Mborja, Refail Prodani, Xhemal Ypi, Kristaq Kosturi, Theodhoraq Pano e Vangjel Tashko. - Nga qarku i Vlorës : Eqrem Vlora, Skënder Muço, Ali Asllani, Tom Stambolla, Hysni Lepenica, Shezai Agalliu, Xheladin Pashë Vlora. - Nga qarku i Elbasanit : Shefqet Vërlaci, Dervish Biçaku, Ibrahim Biçaku, Qemal Karaosmani, Ahmet Dakli, Mit Papajani, Gani Bungu. - Nga qarku i Dibrës : Jashar Erebara, Shaqir Dema, Selim Kaloshi, Irfan Ohri. - Nga qarku i Shkodrës : Gjon Markagjoni, Patër Andon Arapi, Dom Mikel Koliqi, Nush Topalli, Kol Bib Miraka, Jak Koçi, Lec Çoba, Kol Thaçi, Engjëll Sereqi dhe Ahmet Berisha. Këta, pasi nënshkruan aktin e turpshëm të “Bashkimit vullnetar të Shqipërisë me Italinë fashiste”, pasi formuan edhe qeverinë kolaboracioniste me në krye Shefqet Vërlacin, vendosën njëkohësisht të dërgonin në Itali një delegacion të gjerë për t’i çuar Viktor Emanuelit të III-të „Kurorën e Skënderbeut” dhe për ta kurorëzuar atë edhe “Mbret të Shqipërisë”. EMRAT E DELEGACIONIT QE DOREZOI KUROREN TE VIKTOR EMANUELI !!! Në këtë delegacion bënin pjesë: Shefqet Vërlaci, Xhafer Ypi, Ferit Vokopola, Qemal Vrioni, Pilo Papa, Vangjel Haxhistasa, Zef Kadareja, Ali Qoraliu, Ismail Petrela, Siri Toptani, Dhimitër Popa, Kristaq Zaguridha, Shefqet Çelkupa, Shahzivar Alltuni, Ndos Pistuli, Ymer Kopliku, Kol Bib Miraka, Mark Kakariqi, Osman Ruzhdia, Selim Mborja, Thodhoraq Nano, Refail Prodani, Xhevat Starova, Visarion Xhuvani, Dervish Biçaku, Bexhet Hydi, Ibrahim Biçaku, Qemal Karaosmani, Ali Asllani, Kristaq Strati, Cen Elezi, Selim Kaloshi, Shaqir Dema, Faik Shehu, Elmas Ndreu, Ismet Kryeziu, Avni Gjilani dhe Rok Berisha. (Emrat e Asamblesë dhe të delegacionit janë marrë nga Gazeta Shqiptare e Barit e datave 14 dhe 15 prill 1939).

          1. i
            informacion

            Bashkepunimi i Ballit me greket : Ja me poshte letra e Mitat Frasherit derguar Dhimiter Falos me 10. 05. 1944, per “Federaten Greqi-Shqiperi”. Kjo marreveshje midis Greqise dhe Shqiperise u pergatit nga nje komision perfaqesuesish : 1. Xhavit Leskoviku - perfaqesues i Qeverise kuislinge 2. Koco Kota - perfaqesues i Legalitetit 3. Dhimiter Falo - Perfaqesues i Ballit 4. Koco Tasi - perfaqesues i Ballit 5. Selman Riza - perfaqesues i Kosoves Ne letren qe kryetari i Ballit, Mitat Frasheri i dergon Dhimiter Falos ne Selenik ne 10. 05. 1944 shkruhej : ... ju falemi per gjithe sa keni bame deri me sot dhe kemi shume shprese qe me aktivitetin t'uej te gjejne nje perfundim te mire tratativat per marreveshje. Vime tash te pikat mbi te cilat do jete bazue marreveshja e jone ; 1. Mbasi ceshtja e lidhjes ne forme federative varet nga mundesite e mbasluftes, prandaj te dy palet marrin angazhimin qe sot se jane te disponuem per realizimin e ktij projekti ... Pak kohe me vone gazeta greke “Vradhini” Athine 1944, shkruante: “Partia Komuniste e Shqipërisë u bë shkak për mosrealizimin e një marrëveshje që ishte projektuar ndërmjet Shqipërisë e Greqisë, e cila do të zgjidhte perfundimisht çështjen e aneksimit me Greqinë të Vorio-Epirit, në suazën e një federate, ku Shqipëria do të gëzonte një autonomi duke qenë e bashkuar me Greqinë

          2. P
            Pika

            E pesoi se dinte shume per xhaxhin Enver.

            1. z
              zalli

              Per nje komb, dy jane guret e peshores,pavarsia dhe lira e Atdheut,gjithe figurat e kombit kane qene njerez te spikatur ,si formim kulturor e profesional, por kur jane perfshire ne politike,e aq me shume ne pushtet,per cilen do kohe,aty ka filluar problemi,pushteti pasuria egoja etj,mgjt,mos te harrojme se shteti nuk drejtohet me dashuri e dhemshuri,(si ne rastin e nje prijesi fisi),por me politikë, dhe jo vetem politike kombetare,por e nderlidhur dhe e ndervarur me politikat rajonale e me gjere.Mendoj se sa me shume fakte,te nxirren ne drite nga arkivat,si ato te vendit,dhe me gjere aq me shume drite do te hidhet,per keto personazhe te shtetit shqipetar,dhe besoj se gjithsejcilit do i jepet ajo qe meritojne.

              1. f
                fshatari.pafshat

                A e dini se Malua nga Bushati ka pas takuar Hitlerin, zyrtarisht, dhe koke me koke. Lexoni kronikat e shtypit te kohes. Madje Hitleri i dhuroi edhe makine Benz per Zogun... Madje edhe Saliu, Nano, Meta... kane strehuar komuniste para dhe mbas vitit 1991 deri me sot... por kjo... Lexoni te mesoni, ose, mesoni me pare qe te lexoni.

                Lini një Përgjigje