Në selinë e Unioncamere në Romë është zhvilluar eventi për lançimin e Presidencës italiane të Strategjisë Evropiane për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR). Gjatë fjalës së tij, Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, prezantoi vizionin e vendit të tij për udhëheqjen 12-mujore të kësaj nisme rajonale.
Sipas Tajanit, fokusi kryesor i Romës do të jetë bashkëpunimi institucional, fuqizimi i infrastrukturës energjetike e transportuese, si dhe përshpejtimi i procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Integrimi i Ballkanit si investim strategjik
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Jashtëm italian nësevizoi se riintegrimi i rajonit të Ballkanit përbën një objektiv parësor për qeverinë italiane, duke e cilësuar vitin 2026 si një moment kyc.
“Nën Presidencën tonë, ne do të forcojmë angazhimin tonë për riintegrimin e Ballkanit në historinë evropiane, i cili është një përparësi absolute strategjike për qeverinë dhe për mua personalisht. Është investimi më i madh strategjik që Evropa mund të bëjë. Viti 2026 është një vit vendimtar.”, tha Antonio Tajani, Ministër i Jashtëm i Italisë
Për realizimin e këtij objektivi, Tajani vuri theksin te roli i strukturave ekzistuese rajonale, si Iniciativa Adriatiko-Joniane dhe Iniciativa Qendrore Evropiane (InCE).
Korridoret logjistike, Korridori VIII dhe infrastruktura energjetike
Në kuadër të përparësive tematike të strategjisë EUSAIR, Italia synon përparimin në fushën e lidhjeve infrastrukturore dhe diversifikimin energjetik, çështje këto që, sipas Tajanit, janë bërë emergjente nga zhvillimet gjeopolitike.
“Po mendoj para së gjithash për lidhjet e infrastrukturës dhe energjisë. Kjo është një çështje thelbësore për diversifikimin dhe forcimin e zinxhirëve tanë të furnizimit – një çështje që kriza e Gjirit e ka bërë të pamundur ta shtyjë më tej.”, theksoi ministri i Jashtëm i Italisë
Në këtë kuadër, Italia ka konfirmuar angazhimin e saj në disa projekte kyçe të transportit dhe logjistikës në rajon dhe më gjerë.
Italia po mbështet me prioritet zhvillimin e Korridorit VIII, si dhe punimet në Korridorin X si mjete për integrimin tregtar dhe politik.
Projekti hekurudhor Trieste-Zagreb-Lubjanë-Beograd
Mbështetet ndërtimi i kësaj linje hekurudhore, e cila aktualisht është objekt i një studimi paraprak nga InCE në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Milanos.
Korridori Imec dhe Rrjeti i Porteve
Përfshirja në korridorin logjistik Imec për lidhjen e Evropës me tregjet aziatike, ku porti i Triestes dhe rrjeti i porteve të Adriatikut do të luajnë rol udhëheqës.
Vizioni për rajonin Adriatiko-Jonian
Kryediplomati italian nënvizoi se parimi udhëheqës i Presidencës italiane do të jetë puna në grup midis institucioneve evropiane, shteteve anëtare, rajoneve dhe shoqërisë civile, me synim krijimin e një qendre dinamike ekonomike.
“Ne duam ta bëjmë rajonin Adriatiko-Jonian – bizneset dhe territoret e tij – nxitës gjithnjë e më dinamikë të rritjes dhe qendra kyçe ekonomike, logjistike dhe energjetike midis Evropës dhe Mesdheut më të gjerë.”, tha Antonio Tajani, Ministër i Jashtëm i Italisë
Sipas Tajanit, gjatë 12 muajve të ardhshëm do të punohet për të arritur rezultate konkrete që sjellin më shumë lidhje, tregti dhe mirëqenie për bizneset dhe qytetarët e rajonit.
Lini një Përgjigje