Për montazhierët e revolucionit

28 Korrik 2026, 10:50Blog Nga Ylli Manjani

Ma sollën në vëmendje një montazh hajvanesk të deklarimeve të mia publike. Sipas montazhierëve të revolucionit, në një monolog te Krasta Show paskam sharë njerëzit e bukës së gojës pse nuk protestojnë, ndërsa sot po i shaj pse protestojnë.

E kuptoj që edhe revolucionarët e montazheve urrejtjenxitëse janë shqiptarë. Edhe ata e ndalojnë makinën aty ku u vjen shurra. Pasi çlirohen me atë dridhjen karakteristike të trupit, hipin sërish në makinë dhe parakalojnë djathtas për të fituar metrat që humbën te cepi i rrugës. Është një garë qesharake me vetveten, por të paktën është e padëmshme.

Montazhi që më kanë bërë nuk është i tillë. Ai ka një qëllim të vetëm: të zhvendosë kuptimin e fjalëve të mia.

Nuk e fsheh se sedrën ta përkëdhel fakti që edhe pas kaq kohësh deklarimet e mia vazhdojnë të citohen, qoftë edhe në mënyrën më hajvaneske të mundshme. Por nuk më shqetëson citimi; më shqetëson keqcitimi. Sepse keqcitimi nuk është debat. Është mashtrim.

Së pari, në atë monolog te Krasta Show kam folur për shqiptarin që përdor “bukën e gojës” ose “bukën e kalamajve” si justifikim moral për shitjen e votës. Këtë kam thënë atëherë dhe këtë them edhe sot.

Ai që shet votën, shet të drejtën e vet politike. Në momentin që e kthen votën në mall tregu, nuk mund të pretendojë më se po lufton për demokracinë. Demokracia nuk mbahet në këmbë me vota të shitura.

Vota është zgjidhja e konflikteve politike, jo dhuna.

Në vitin 1997 e provuam rrugën e armëve. Në fund, prapë te vota përfunduam. Historia na ka dhënë përgjigjen. Kush vazhdon të besojë se dhuna është zgjidhje, ose nuk ka mësuar asgjë nga historia, ose bën sikur nuk e ka mësuar.

Prandaj, po, më neverit sot e gjithë ditën degradimi i votuesit për një thes miell, për një vend pune apo për një favor. Varfëria është dramë. Shitja e votës nuk është zgjidhje e saj. Është thellimi i saj.

Së dyti, nuk kam qenë kurrë kundër protestës. Përkundrazi. E drejta për të protestuar është një nga shtyllat e demokracisë dhe duhet mbrojtur gjithmonë.

Kam qenë dhe mbetem kundër revolucionit si filozofi politike dhe kundër dhunës si metodë politike.

Në përplasjen mes dhunës së rrugës dhe dhunës së shtetit, unë zgjedh rendin institucional. Edhe kur shteti gabon, ai mund të korrigjohet me ligj, me zgjedhje dhe me votë. Dhuna e rrugës nuk korrigjohet; ajo vetëm zëvendësohet nga një dhunë tjetër.

Historia shqiptare dhe ajo botërore e kanë provuar mjaftueshëm se revolucionet premtojnë liri dhe shumë shpesh prodhojnë një tirani të re. Kush nuk e kupton këtë, rrezikon ta përsërisë pafund të njëjtin gabim.

Së treti, nuk e paskam ditur që deklarimet e mia qenkan kaq të rëndësishme, saqë duhen prerë, ngjitur e shtrembëruar për të justifikuar protesta, revolucione apo narrativa politike.

Nëse ju hyn në punë kjo metodë, vazhdoni. Nuk kam ndërmend të harxhoj kohë duke ndjekur çdo montazh të bërë në bodrumet e propagandës revolucionare.

Por një gjë po jua them.

Kur e ndaloni makinën te cepi i rrugës për të bërë atë që dini të bëni bash kur u vjen ta bëni, mos harroni se më pas do t’ju duhet të futeni sërish në qarkullim.

Dhe kujdes kur parakaloni djathtas.

Jo gjithmonë fitohen metrat që mendoni se keni humbur. Ndonjëherë humbet krejt rruga.

8 Komente

  1. "
    "BOHOTINA"

    Plotesisht dakort me rreagimin tend Manjani... Shkurt. I qart. I drejt. I vertete...

    Përgjigjjuni
    1. J
      Jetimi.

      E drejtë Z. Manjani! Në fillimet e saj në mbrojtje të natyrës,ishte e bukur dhe shpresë dhënëse në vazhdim po kthehet në shëmtirë. Kjo protestë po karakterizohet nga dhuna,urrejtja,linçimi dhe akte të mashtrimit.

      Përgjigjjuni
      1. J
        Jam me protestën ?

        Manjani Ti godet fenomenin jo revolucionaret. Ata janë pjesa më e dukshme këtij fenomeni Jam me protesten. Qeveria shkundet, administrata zgjohet por revolucioni mund te shkatërroj çdo gjë, edhe vetë funksionimin normal të shtetit Këtu nuk jam me protestën

        Përgjigjjuni
        1. A
          Avokati

          Servil i peshtire.

          Përgjigjjuni
          1. K
            Kendoni kengen....

            Ndersa ju Avokati dukeni idiot i pështirë

            Përgjigjjuni
          2. s
            sdtrg cv

            Sish, shih, dreqi, i duket vetja i rendesishem kur eshte vecse nje hic, qe vrapon here ketej e here andej me shpresen se dikush do kujtohet se eshte gjalle dhe i afron nje kocke. Po te ishte i ri i falet se mungesa e pervojes, deshira per tu afirmuar, mosnjohja bejne te veten, por ne moshen e tij ... Cfare ka ndryshuar qe vjet qe ishte "thike me thike" me pushtetin, kur eshte po i njejti pushtet i korruptuar gjer ne palce, arrogan dhe i pa shpirt dhe antikombetar? sgje, ka ndryshuar shoku Ydhi qe i lepihet dy e tre here ne dite me shpresen se rama i hedh veshtrimin dhe perfiton ndonje kocke. Njeri pa karakter.

            Përgjigjjuni
            1. F
              Freud

              sdtrg cv duket se nuk ke karakter për të vleresuar karaktere

              Përgjigjjuni
            2. E
              Emigranti

              I nderuar Ylli!Lexoj çdo artikull qe Ju botoni.Ju vlerësoi per analizat racionale dhe pa anësi partake. Ju vlerësoi edhe per përqendrimit qe ke mbajtur kur ke qenë aktive ne politike, përjashto vedimin qe dikur keni marrë duke ju bashkuar LSI-se. Megjithatë me mire vone se kurrë. Ju uroj punë të mbarë. Një i moshuar (86vjeç),emigrante ne Itali.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje