Kryeministrja daneze viziton Groenlandën, pas kërcënimeve të Trump

23 Janar 2026, 22:30Bota TEMA
Kryeministrja daneze viziton Groenlandën, pas kërcënimeve të

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, ndodhet në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, për të zhvilluar bisedime me liderin e ishullit, Jens-Frederik Nielsen, pas një jave të trazuar që filloi me kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë me forcë ishullin arktik dhe përfundoi me një kthesë të papritur, ku Trump hodhi poshtë kërcënimet ushtarake dhe u zotua për negociata të mëtejshme.

Tensionet kanë arritur një pikë kritike gjatë dy javëve të fundit, deri në një kthesë të papritur të mërkurën, kur Trump papritur përjashtoi çdo veprim ushtarak dhe tërhoqi kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj disa aleatëve evropianë. Ai postoi në rrjetet sociale se ishte arritur një kornizë për një marrëveshje të ardhshme në lidhje me Groenlandën, pas takimit me sekretarin e NATO-s, Mark Rutte në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Megjithatë, pak detaje janë bërë publike dhe ekzistojnë pyetje mbi atë që është rënë dakord konkretisht mes presidentit amerikan dhe Sekretarit të Përgjithshëm.


Kryeministrja daneze udhëtoi direkt nga Brukseli, ku gjithashtu takoi sy për sy Rutten mëngjesin e së premtes. Sipas postimit të Rutte në X, ata ranë dakord të forcojnë mbrojtjen në Arktik. Pas mbërritjes në aeroportin e Nuuk, Frederiksen u prit nga Nielsen, i cili e përqafoi.


“Jam kryesisht në Groenlandë sot për të treguar mbështetjen tonë të fortë daneze për popullin groenlandez”, tha ajo për gazetarët. “Është një kohë shumë e vështirë, të gjithë e shohin këtë”. “Është një situatë serioze në të cilën ndodhemi. Të gjithë e shohin këtë. Tani ka një rrugë diplomatike dhe politike që ne do të ndjekim”, shtoi ajo. Vizita e saj ishte një vizitë pune për të përgatitur hapat e ardhshëm.


Të enjten, Trump i tha Fox News se SHBA-ja merr gjithçka që do pa asnjë kosto dhe se një “pjesë” e sistemit të planifikuar të mbrojtjes raketore “Kupola e Artë” do të vendosej në Groenlandë. Kur u pyet nëse kjo do të ishte një “blerje” reale, ai u përgjigj: “Është qasje totale. Nuk ka fund, nuk ka kufizim kohor”.

Më parë, New York Times raportoi se një ide në diskutim ishte që Danimarka të dorëzonte sovranitetin mbi copa të vogla toke, ku SHBA-ja do të ndërtonte baza ushtarake. Zyrtarët danezë dhe groenlandezë kanë kundërshtuar fuqishëm çdo dorëzim të pronësisë, duke theksuar se sovraniteti është një linjë e kuqe.


Para një samiti të jashtëzakonshëm evropian në Bruksel të enjten në mbrëmje, Frederiksen tha se sovraniteti i Groenlandës nuk është i negociueshëm, megjithëse Danimarka është e gatshme të punojë për “sigurinë”. SHBA-ja ka rreth 150 persona ushtarakë në bazën e saj të vetme Pituffik, në skajin veriperëndimor të territorit.

Në kuadër të një traktati mbrojtës me Danimarkën që daton që nga viti 1951, SHBA-ja mund të rrisë tashmë prezencën e saj ushtarake dhe të dislokojë trupa. Kjo marrëveshje u përditësua në 2004, së bashku me administratën Bush, për të përfshirë Groenlandën si një partner të barabartë.


Burime raportuan për AFP se SHBA-ja dhe Danimarka do të rinegociojnë marrëveshjen e vitit 1951. Gazeta kombëtare daneze “Berlingske” gjithashtu shkruan se një rinegocim është i mundur, dhe se pala daneze dhe groenlandeze nuk kanë përjashtuar një rishikim të marrëveshjes. Megjithatë, të drejtat minerale apo dorëzimi i territorit kurrë nuk kanë qenë në tryezë.

Ndërkohë, ministri danez i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, tha të premten se nuk ekzistonte një plan i detajuar, por negociatat do të fillonin së shpejti, duke u fokusuar tek siguria.

2 Komente

  1. V
    Vini

    Mooos,u kujtua kjo Biba te vizitoje Greonlanden tani.Sa shume do jete trembur Trumpi.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje