Fjalimi i kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, për Ditën e Pavarësisë së SHBA ishte një shembull i përkryer i ideologjisë në kuptimin pozitiv të fjalës. Ai përmbysi si narrativën populiste të së djathtës për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe kritikën “woke” të së majtës, duke ofruar një vizion me potencialin për të mobilizuar një shumicë.
Nga Slavoj Žižek, Project Syndicate
Teza e vitit 1990-të e Francis Fukuyama-s për fundin e historisë ishte narrativa e fundit e madhe që bashkonte Perëndimin liberal-demokratik. Kapitalizmi i shtetit të mirëqenies sociale i Perëndimit liberal-demokratik, argumentonte ai, ishte rendi social më i mirë i mundshëm. Dilema e vetme që mbetej ishte ajo empirike: Kur saktësisht do të mbërrinin pjesët e tjera të botës tek i njëjti model?
Kjo narrativë u shpërbë pas vitit 2001 dhe gradualisht ne hymë në epokën e pragmatizmit brutal. E vemtja narrativë konsistente ishte ajo e ofruar nga nacionalistët racistë Trampianë dhe Europianë: Perëndimi i zhvilluar i Krishterë përbën një përjashtim historik, një qytetërim i pasur që e do lirinë dhe mbijetesa e të cilit kërcënohet vazhdimisht nga emigrantët, “marksistët kulturorë”, partizanët e LGBT+ dhe Europianët që ndihen fajtorë.
Natyrisht, narrativa “woke” e refuzuar nga nacionalistët, tërheq edhe më pak njerëz se sa ata vetë. Ajo përqendrohet në një armik të vetmë racist/seksist dhe as nuk përpiqet të mobilizojë shumicën sepse i intereson të ngrejë grupe të caktuara, si transgjinorët, në statusin ekzemplar të të shtypurve. Duke qenë se shumica e njerëzve nuk janë trans, kjo narrativë i ofron shumicës vetëm ndjesinë e fajita dhe jo një vizion pozitiv që mund të tërheqë një masë të gjerë njerëzish.
Por diçka e re ka lindur me fuqizimin e të ashtuquajturve socialistë demokratikë në SHBA. Në një fjalim gjatë ceremonisë së 250-vjetorit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, një nga eksponentët e tyre kryesorë, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ofroi një narrativë krejt të ndryshme në lidhje me atë çfarë SHBA-të mund të jenë. Mamdani i fitoi zgjedhjet lokale jo duke promovuar puritanizmin akademik të lëvizjes woke, por duke u përqendruar tek problemet lokale dhe te më pak të privilegjuarit, me thirrje për kujdes falas për fëmijët dhe autobusë falas, kontroll të qirasë dhe shërbime shëndetësore të aksesueshme. Dhe gjatë fjalimit të tij të 4 korrikut, Mamdani e përktheu politikën e tij në një vizion global:
“Na thuhet se Amerika është e veçantë sepse jemi më të pasur, më të fortë dhe më të pushtetshëm se sa gjithë të tjerët… E vërteta, miqtë e mi, është se Amerika është e veçantë sepse këtu, asgjë nuk është e fiksuar në vend. Epoka e eksplorimit të tërritorit mund të ketë përfunduar, ne mund të kemi ecur në hënë, por puna për të përmbushur vlerat e shenjtëruara në Deklaratën e Pavarësisë, kjo punë vijon, miqtë e mi, dhe na përket të gjithëve. I përket gjithashtu Amerikanëve më të rinj, atyre që janë këtu me mua sot, të cilët janë natyralizuar së fundmi. Thuajse një dekadë më parë, edhe unë kam përjettuar atë që ju përjetoni sot – gëzimin e të mos qenit më thjesht njujorkezë, por edhe amerikanë. Secili prej jush ka një fuqi të veçantë. Fuqinë për të përcaktuar se çfarë do të thotë Amerikë.”
Vizioni i Mamdanit është padyshim ideologjik. Ai paraqet një imazh të thjeshtëzuar dhe jo të vërtetën e papërpunuar. Por ajo që ka më tepër rëndësi është se sfidon e sfidon ballë për ballë narrativën populiste, siç mund të evidentohet nga sulmet histerike të së djathtës ndaj tij. Gjatë fjalimit të tij të 4 Korrikut, Presidenti Donald Trump kishte qartësisht në mendje Kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut kur, duke bërë lëmsh historinë, tha se: “Komunizmi është kërcënimi vdekjeprurës ndaj lirisë amerikane. Është kërcënimi edhe më i madh se sa Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Pearl Harbor, e madje edhe se sa 11 Shtatori.”
Por duhet theksuar po aq se Mamdani ka tërhequr kritika ndaj vetes edhe nga disa të majtë radikalë. Në përgjigje ndaj lëvdatave të tij për Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutës së SHBA-ve, revista “Jacobin” botoi një koment me titullin: “Ta djegim edhe një herë kushtetutën.” Siç shpjegonte nëntitulli, “Kushtetuta nuk e ndali Trumpin, por e bëri të mundur sundimin e tij.”
Argumente të tilla kanë sigurisht meritat e tyre. Siç duket edhe nga Letrat Federaliste*, shqetësimi më i madh i etërve themelues të SHBA-ve ishte të kufizonin influencën popullore. Ndaj Kushtetuta vendosi për themelimin e një Kolegji Elektoral dhe pengesave të tjera institucionale ndaj shumicave politike.
Themeluesit e Amerikës ishin elita oligarkike e kohës së tyre. Xhorxh Uashington ishte një nga njerëzit më të pasur të kolonive. Në dy zgjedhjet e para pas themelimit të SHBA-ve, vetëm një pjesë e vogël njerëzish morën pjesë në votime. Një dokument vendosmërisht i bardhë anglosakson e protestant, siç ishte Kushtetuta, mbronte skllavërinë. Madje edhe irlandezo-amerikanët mbetën për një kohë të gjatë të përjashtuar nga postet sensitive të administratës shtetërore.
Megjithatë, për një lloj të caktuar majtisti, edhe Shkolla e Frankfurtit mbetet një komplot reaksionar. Narrativa dominuese populiste e djathtë fajëson Antonio Gramshin për ideologjinë woke dhe veçanërisht Herbert Marcuse dhe Theodore Adorno-n. Megjithatë, një pjesë e të majtës, sikurse filozofi Gabriel Rockhill i Universitetit Villanova, e shpërfillin marksizmin kulturor Perëndimor si një lëvizje antikomuniste të përkrahur nga CIA, e krijuar për të diskredituar “socializmin ekzistues.” Në të dyja rastet, njeriu bën mirë të ndjekë vëzhgimin e Sartrit se një tekst i sulmuar nga të dy palët – qoftë ai Kushtetuta e SHBA apo “Njeriu Njëdimensional” – me shumë mundësi është duke thënë atë që duhet.
Në këtë kontekst, fjalimi i Mamdanit ishte shembulli perfekt i ideologjisë në sensing pozitiv të fjalës. Ai përmbys vizioni e të djathtëve për SHBA-të si një bastion elitë që kërcënohet nga të huajt, duke e paraqitur në vend të kësaj si një vend mjaftueshëm të fortë për të pranuar dhe t’iu dhënë mundësi të varfërve, të shfrytëzuarve dhe të shtypurve të botës. Mamdani e sheh pikërisht atë tipar që populistët e djathtë e peceptojnë si kërcënim ndaj identitetit amerikan – hapjen ndaj të huajve – si burim të eksepsionalizmit amerikan. SHBA mbetet simbol shprese sepse iu ka dhënë disa brezave emigrantësh me radhë, një mundësi për sukses.
Disa të majtë do të thonë, natyrisht, se kjo ëndërr është e gënjeshtërt sepse shtypja ndaj klasave të ulëta, minoriteteve racore dhe të sapoardhurve, nuk ka pushuar për asnjë çast. Por një sulm i tillë është si të qëllosh me fishek manovre: nuk ka asnjë forcë përtej nxitjes së një lloj autokritike që nuk çon askund. Vizioni i Mamdanit nuk e reflekton të vërtetën e plotë dhe të palustruar, por është më i vërtetë se sa alterantiva trampiane dhe ka potencialin të mobilizojë miliona njerëz, sikurse ka bërë që nga zgjedhja e tij si kryebashkiak i Nju Jorkut.
Ky është gjenialiteti i Mamdanit. Ai i ka kthyer emigrantët e sapoardhur, të varfër dhe të rraskapitur, në të vetmit agjentë autentikë të ëndrrës amerikane. Populistët trampianë janë provincialë primitive dhe skllevër të lumtur të mega korporatave. Sot janë socialistët demokratikë, ata të cilët përfaqësojnë bërthamën emancipuese të ëndrrës amerikane. Janë ata patriotët e vërtetë amerikanë.
*Letrat Federaliste janë një seri esesh politike të shkruara në fund të shekullit XVIII nga Alexander Hamilton, James Madison dhe John Jay, për të mbrojtur dhe shpjeguar ratifikimin e Kushtetutës së SHBA-së. Sot konsiderohen një nga tekstet themelore për të kuptuar sistemin politik amerikan.
Shkrimi nuk i pershtatet nivelit kulturor te lexuesit mesatar te Temes. Nuk kishit ndonje kofshe-dale ose gjoks-tullumbace?
Keta s kane nje shtet demokratik,japin leksione.Sikur te drejtonin boten do ishte Parajse