Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani i ka kërkuar Uashingtonit të arrijë një marrëveshje, ndërsa pretendoi se SHBA-të kanë fituar tashmë përballjen ushtarake dhe se Teheranit i ka mbetur “shumë pak”.
Duke folur nga Air Force One pas kthimit nga Ankaraja, ku mori pjesë në samitin e NATO-s, Trump tha se Irani “telefonoi pak kohë më parë” dhe se udhëheqësit iranianë “duan shumë të bëjnë një marrëveshje”.
Megjithatë, presidenti amerikan shprehu dyshime nëse Teherani do të ishte një partner i besueshëm për një marrëveshje të re.
“Thjesht nuk e di nëse ata janë të denjë për të bërë një marrëveshje, nuk e di nëse do ta respektojnë marrëveshjen”, tha Trump.
Trump deklaroi se SHBA-të kanë arritur objektivat e tyre ushtarake ndaj Iranit, duke thënë se “ne thjesht i goditëm shumë fort” dhe se Irani ka humbur ndjeshëm kapacitetet e tij.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara “kanë fituar tashmë ushtarakisht”, ndërsa tani mbetet çështja nëse mund të arrihet një marrëveshje diplomatike.
Komentet e Trump nuk janë konfirmuar publikisht nga autoritetet iraniane. Teherani nuk ka bërë të ditur se ka kërkuar një marrëveshje të re me SHBA-të.
Deklaratat e fundit të presidentit amerikan vijnë pasi ai një ditë më parë tha se armëpushimi kishte “mbaruar” dhe se përpjekjet për negociata ishin një “humbje kohe”.
Lini një Përgjigje